in

La Stampa: Qeveria shqiptare mbyll kryeqytetin e kanabisit

Për të përditshmen italiane, faktet e fundit po tregojnë se Italia po kthehet nga një vend konsumatorësh në një vend prodhuesish të marihuanës. Ndërkohë, aksioni policor disajavësh i policisë shqiptare në Lazarat, është një arritje e konsiderueshme në luftën kundër trafikut të drogës

E përditshmja italiane La Stampa kishte më 20 gusht në faqet e saj një speciale mbi drogën e në veçanti për kthimin e Italisë nga “vend konsumatorësh në vend prodhuesish”. Në mbrojtje të këtij pohimi sjell mes të tjerash faktin e zbulimit në Sicili të një plantacioni të mbjellë me kanabis për një vlerë prej 35 milionë eurosh. “Nga një anë ullinjtë, nga tjetra plantacione me misër, në fund një mur i lartë 3 metra me topa fieri të thatë. Pas tij, i mbrojtur nga shikime të padëshirueshme, plantacioni i Salvatore Li Bassi, bujk 56 vjeçar nga Calatafimi Segesta, një hektar e gjysmë tokë ku rriteshin të harlisura 15 mijë rrënjë kanabis, me një vlerë tregu 35 milion euro. – shkruan La Stampa – Kur karabinierët e Alcamo ia behën në portën e tij Li Bassi me vështrimin e përhumbur u tha: ‘Kujtova se janë bimë aromatike’. U arrestua”.

Por ky rast nuk është i izoluar e La Stampa rendit disa.  “Kanabisi në Itali është kultivuar gjithnjë por asnjëherë në plantacione me këtë shtrirje. – vazhdon La Stampa – Diçka ka ndryshuar, e thonë të dhënat e Agjencisë së OKB-së për luftën ndaj drogës. Në 2012 Italia ka qenë vendi i parë në botë në sekuestrimin e kanabisit: 4.122.617 bimë narkotike. Më shumë se SHBA që është në vend të dytë. E të mendosh që vetëm dy vjet më parë bimët e sekuestruara kishin qenë 71.988, pesëdhjeteshtatë herë më pak”.

Në të njëjtën speciale, e përditshmja italiane sjell si shembull pozitiv Shqipërinë. Në një shkrim të gazetarit Niccolò Zancan trajtohet operacioni policor në Lazarat, të cilin e konsideron një sukses të rëndësishëm të qeverisë shqiptare kundër trafikut të drogës.

Në vijim, artikulli i plotë i La Stampa:

Qeveria shqiptare mbyll Lazaratin, fshatin ku të gjithë prodhojnë kanabis

Fushatë në fshatin me 2.500 banorë ku kultivimi garantonte një vëllim xhiroje vjetore prej 4,5 miliardë eurosh

Dy muaj më parë, Shqipëria ishte një vend që prodhonte kanabis për një vlerë sa thuajse gjysma e prodhimit të brendshëm bruto të saj.

Lazarati, 240 kilometra në jug të Tiranës, ndodhet pranë kufirit me Greqinë.  Prodhonte vetëm një gjë, në mënyrë intensive e të paligjshme: 900 ton kanabis në vit, me një vlerë prej 4,5 miliardë euro. Të dhënat janë të Guardia di Finanza italiane. Madje shifrat mund të jenë edhe më të larta.

Lazarati ishte kryeqyteti i marihuanës, një qytezë e vogël me 2.500 banorë, me bindje të djathta politike të forta, një bastion i vogël i ish-kryeministrit Sali Berisha. Të gjithë, baballarë, nëna e fëmijë nuk i përkushtoheshin asgjëje tjetër, veçse mbjelljes, kultivimit dhe shitjes së pyjeve të mëdha të kanabisit dhe përtëritjes së tyre çdo vit. Droga nisej përmes detit në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës. Të gjithë e dinin, por mbyllnin gojën. Pasi paratë e Lazaratit përfundonin në ndërtime, banka dhe në shumë xhepa të shqyer.

Ai që ka ngritur zërin është një gazetar që quhet Ylli Pata, i punësuar në Tiranë, i cili ka qenë një prej të parëve që ka denoncuar fenomenin.

“Sapo mbërrije, vinin njerëz të maskuar. Kishte pika kontrolli përgjatë gjithë rrugës. Nëse u thoje se ishe një gazetar, të dërgonin në drejtim të kundërt, dhe kuptohej menjëherë se nuk mund të këmbëngulje. Lazaratit mund t’i afroheshe rastësisht. Unë përfundova në Lazarat pasi isha në udhëtim me disa miq…”.

Që prej vitit 1990, prodhimi ka qenë në rritje të vazhdueshme. Vite heshtjeje dhe përplasjet me armë në vitin 2005 kanë shkaktuar plagosjen e shefit të policisë dhe të shtëna kundër një helikopteri të Guardia di Finanza që filmonte plantacionet. Vite të aktivitetit të madh. Më në fund, 18 qershori 2014, kur Edi Rama, kryeministri i ri socialist vendosi që historia e Lazaratit duhet të ndryshojë. “Ai dërgoi 800 agjentë të forcave speciale dhe dy batalione të ushrisë”, tregon Ylli Pata.

“Ishin ditët e rrethimit, të shtëna, disa të plagosur, për mrekulli asnjë i vdekur. Shumë vendas dogjën plantacionet për të mos lënë gjurmë. Policia arrestoi 56 persona edhe pse ata nuk dinë ende se ku ndodhen drejtuesit e organizatës. Por për herë të parë në historinë e Shqipërisë ky është një veprim që është ndërmarrë seriozisht. Edhe pse, ky është thjesht një mendim i imi, t’i kundërvihesh trafikut ndërkombëtar të drogërave është e vetmja mënyrë që të merresh në konsideratë nga Evropa”. Por me të vërtetë ka përfunduar historia kriminale e Lazaratit? “Do të ishte naive ta mendoje. Tani prodhimi ka ndaluar, por magazinat e fshehta janë plotë me drogë për t’u shitur”.

Historia e Lazaratit është gjithçka përveç se ezotike dhe e largët. Në raportin vjetor të shërbimit italian kombëtar antidrogë shkruhet: “Është zbuluar se tregu italian furnizohet kryesisht nga hashashi që vjen nga Maroku dhe marihuana që vjen nga Shqipëria”.

Në vitin 2013, në pikën kulmore të fenomenit, në Itali u sekuestruan 25 tonë marihuanë. Nga kjo sasi, shtatë tonë janë sekuestruar vetëm në brigjet pulieze, me prejardhje nga Durësi. Pika më e afërt është zona e Otrantos, vetëm 50 milje.

“Në shumicën e rasteve nisen natën të bindur se mund t’i shpëtojnë kontrollit, kemi parë të vijë marihuanë e fshehur në gomone të mëdha si dhe në varka të vogla peshkimi. Madje edhe mbi kanoe të tërhequra nga motora uji. Kemi gjetur edhe sasi të mëdha në kabinat e varkave me vela ku nuk dyshohej aspak, duke krijuar trekëndësh me Greqinë dhe Malin e Zi. Çdo ditë ndryshojnë metodat”, thotë një hetues që i është dedikuar vetëm kësaj çështjeje.

“Prej dy vitesh Italia po bashkëpunon me qeverinë shqiptare. Guardia di Finanza aktualisht po zhvillon një mision të përbashkët. Avionët tanë po monitorojnë edhe sot e kësaj dite situatën nga lartë për të individualizuar, çrrënjosur dhe shkatërruar plantacionet. Vërehen sinjale të një bashkëpunimi të mire, por për momentin është ende herët të gjykohet”, thotë hetuesi.

Tashmë që rrethimi i Lazaratit përfundoi me sa duket u rikthye qetësia. Por ndoshta është vetëm fillimi i një faze të re. Edhe sepse qetësia është vetëm në dukje. Në Shqipëri vazhdojnë atentate me tritol. Askush nuk di të japë një shpjegim. Dy ditë më parë një zjarr përfshiu shtëpinë e kryeministrit Edi Rama.

(Artikulli “Qeveria shqiptare mbyll Lazaratin, fshatin ku të gjithë prodhojnë kanabis” është përkthyer e i përgatitur për ATSh-në nga Gent Sinani e Eva Cani)

Razzismo. Il supermercato: “Non fate elemosina agli zingari”

Ebola. Ilaçi bën efekt, shërohet mjeku amerikan