Nga Yllka Lamçe
“Sot, shqiptarët në të gjitha trojet etnike, shqiptarët në diasporë e kudo që ndodhen nderojnë e përulen para veprës e kontributit të një prej burrave më të shquar të historisë së tyre kombëtare, Mbretit Zogu I, që rikthehet në dheun e tij pas dekadash ekzil në mërgim, prej së gjalli dhe prej së vdekuri, në dhëna të tjera. Shqiptarët kudo që janë përulen me nderim të madh para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë” – Sali Berisha.
Lajmi i mirë është se neni 1, paragrafi 1 i Kushtetutës sonë në fuqi sot, vazhdon të sanksionojë se: Shqipëria është Republikë parlamentare. Lajmi i mirë është se Kushtetuta është më jetëgjatë se ata që institucionalisht e nëpërkëmbin në përkujtimore kockash ish-mbretërore. Lajmi i mirë është se Republika nënkupton res publica-n, gjënë e përbashkët. Lajmi i mirë është se Republika nuk i detyrohet përulje e as nënshtrim entiteve të rëna nga fiku e për më keq të vetëshpallura si majë fikut në 1928.
Lajmi i mirë është se Republika themelohet te shtetasit, e nuk i falet ndonjë autoriteti nga lart. Lajmi i mirë është se në Republikë askush nuk detyron dot askënd të përulet, aq më tepër të flasë për përulje në emër të themeluesve të Republikës. Lajmi i mirë është se në Republikë parlamentare Kryeministri nuk përfaqëson shtetasit, por palën partiake në pushtet, që për më tepër është e përkohshme. Lajmi i mirë është se Presidenti apo Presidentja e denjë për t’u quajtur e tillë, përulet para Kushtetutës, dhe e ruan atë nga nëpërkëmbje me sfond ish-monarkik.
Lajmi i mirë është se Republika jeton më shumë se një apo disa legjislatura, të kujtdo qofshin ato. Lajmi i mirë është se edhe në 1928 monarku kufizohej nga një tekst i shkruar kushtetues. Lajmi i mirë është se ai tekst i kërkonte besnikëri edhe atij që pretendonte ta ushtronte pushtetin nga lart-poshtë. Lajmi i mirë është se edhe mbreti asokohe detyrohej të betohej për besnikëri ndaj pavarësisë shtetërore e në të mirë të popullit. Sipas nenit 56 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare të 1928: Mbreti para parlamentit betohet si vijon: “Unë (…), Mbreti i Shqiptarëve, në minutën që hyp në fronin e Mbretërisë Shqiptare dhe marr në dorë pushtetet mbretërore, betohem para Zotit Fuqimadh, se do të ruaj njësinë kombëtare, pavarësinë shtetërore dhe tërësinë tokësore; gjithashtu, do të ruaj Statutin e do të veproj pikërisht sipas atij dhe sipas ligjeve në fuqi, duke pasur parasysh gjithmonë të mirën e popullit. Perëndia më ndihmoftë”.
Lajmi i mirë është se edhe në 1928 sanksionohej pavarësia e shqiptarëve, qoftë kjo e personalizuar edhe në fron mbretëror, e pozicioni i mbretit përkundrejt shqiptarëve. Sepse neni 70 i Statutit të 1928 sanksiononte se: Froni Mbretëror i Shqipërisë nuk mund të bashkohet me fronin e një Mbretërie tjetër. E sipas nenit 176: Të gjitha Forcat e Armatosura të Shtetit formojnë një trup dhe janë nën komandën e urdhrin absolut të Mbretit. Kurse neni 179 sqaronte se: Mbreti, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, pa ndërmjetësi. i jep urdhra Komandës së Mbrojtjes Kombëtare.
Lajmi i mirë është se braktisja e vendit nga mbreti në prag pushtimi, për të dorëzuar me duart e veta kurorën në duart e mbretit pushtues, duke dorëzuar sakaq sovranitetin shqiptar tek pushtuesi, zeron çdo pretendim të mëtejshëm për kthim pas. Lajmi i mirë është se Republika e Shqipërisë i detyrohet kujt luftoi për t’i kthyer sovranitetin e dorëzuar. Lajmi i mirë është se nuk i detyrohemi më asgjë ish-mbretit që dorëzoi sovranitetin.
Lajmi i mirë është se gjurmët e monarkisë italiane me gjithë çka kish mbetur nga fashizmi u mohuan në themele edhe nga rezistenca italiane. Lajmi i mirë është se asnjë shtetar italian, asnjë institucion, as mediat e opinioni publik nuk i lejon më vetes të risjellë në memorien kolektive kockat e mbretërisë që mbështeti fashizmin. Lajmi i mirë është se Italia europiane ku Berisha kërkon të integrohet i ofron shembuj të mirë se si trajtohen fashistët dhe kolaboracionistët, qofshin këta të familjes mbretërore.
Lajmi i mirë është se monarkitë kanë rënë prej kohësh nga fiku. Lajmi i mirë është se sot në NATO e BE të qeshin kur u jep sinjale se mund t’u ofrosh monarkinë në vend të republikës për integrim. Lajmi i mirë është se monarkitë e mbetura lart e poshtë janë vetëm kukulla të pudrosura institucionale që nuk përzihen më me punët e shtetit. Me to merren studiuesit e historisë, e jo Kryeministrat, e as Presidentët, e as ministrat e Republikave.
Lajmi i mirë është se Republika sanksionon barazinë. Lajmi i mirë është se Republika sanksionon shtetasin e jo nënshtetasin. Lajmi i mirë është se Republika sanksionon votën dhe jo shpërdorimin e saj. Lajmi i mirë është se vota e shqiptarëve në 1997 shkoi për Republikën e jo për Monarkinë. Lajmi i mirë është se në Republikë, vota sot të ngre, e nesër të dëbon nga pushteti.
Lajmi i mirë është se shtetasit zgjedhin frymën e Republikës ndaj kockave të ish-mbretit, lëkurës së ish-diktatorit, apo ngërdheshjes se Kryeministrit në detyrë. Lajmi i mirë është se sot është 17 nëntori i shqiptarëve, e jo i mbretërve, as i diktatorëve e as i kujt përdhos gjakun e të rënëve për Republikën e të gjithëve.
E lajmi i mirë, është se 17 nëntori 2012 është në anën e shqiptarëve siç do të jenë të gjithë 17 nëntorët në vijim. Sepse e tyre është historia.
Gazeta Tema