Një vit e gjashtë muaj burg për keqtrajtime në famije. Është sentenca e dhënë ndaj një 40-vjeçari shqiptar që për të larguar të bijën nga rruga e drogës, e ka çuar atë te familjarët në Shqipëri kundër vullnetit të saj. Por ai mund t’i gëzohet faktit që të bijën e shpëtoi
Romë, 3 mars 2014 – Një baba që shkel ligjin duke menduar se vetëm kështu mund të ndihmonte të bijën. Dënohet me një vit e gjysmë heqje lirie, por nga ana tjetër është i qetë, pse jo, edhe i kënaqur që të bijën e largoi nga droga.
Është lajmi që jep sot ilpiacenza.it me protagonist një shqiptar 40 vjeç, kamionist, rezident në Valtidone të provincës së Piacenza-s, që pikërisht sot është dënuar me një sentencë për keqtrajtime në familje, të cilit i janë njohur rrethanat lehtësuese më shumë se ato rënduese.
Historia e 40-vjeçarit është ajo e një babai që në vitin 2012 zbulon se e bija 18-vjeçare drogohet. Përpiqet të flasë me të bijën, t’i mbushë mendjen me të mirë që të heqë dorë, or nuk ia arrin. Babai u kërkon ndihmë asistentëve socialë, madje edhe karabinierëve, por sërish pa asnjë rezultat: e bija vazhdon të marrë kokainë. I dëshpëruar, babai provon të ndalojë të bijën duke përdorur dhunë. Kur sheh që as të rrahurat nuk largojnë të bijën nga droga, vendos ta largojë atë nga Italia. E çon në Shqipëri, e lë pranë familjarëv atje, larg drogës e larg shoqëriv të këqija.
Ndërkaq paditet në Itali për keqtrajtime në familje e çështja gjyqësore shkon përpara. Po nga ana tjetër, me kalimin e muajve e bija nuk drogohet më, kthehet në Itali, gjen punë e nis një jetë normale. E mbi të gjitha afrohet me babanë, kupton arsyet e qëndrimeve të tij, gjë që duhet t’i ketë mbushur zemrën me gëzim 40-vjeçarit.
Ndërkaq, çështja gjyqësore ka vazhduar rrugën e saj e sot më 3 mars arrin sentenca: babai dënohet me një vit e gjashtë muaj burg për keqtrajtim në familje. Natyrisht nuk do të çohet në burg, pasi është pa precedentë penalë. Edhe pse sjellja e tij ndaj të bijës është e dënueshme nga ana penale, ai ndoshta është i kënaqur me rezultatin e asaj sjelljeje, me siguri fakti që e bija doli nga rruga pa krye e drogës vlen më shumë se dënimi që i dha drejtësia.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)