Fedriga: “Heqje e të drejtës së privatësisë, dëbime të menjëhershme e sekuestrim të pronave. Ja çfarë do të ndryshonte me ne në qeveri”.
Romë, 22 shkurt 2016 – Ligje e procese speciale, asnjë lloj privatësie, sekuestrim pasurie dhe dëbime të menjëhershme. Receta e Legës për qeverisjen e imigracionit nënkupton shpalljen e luftës ndaj imigrantëve.
“Vetëm ligjet special mund të na mbrojnë nga pushtimi i klandestinëve që tashmë po ndodh për shkak të paaftësisë së dyshes Renzi-Alfano” thotë kryetari i grupit të deputetëve legistë Massimiliano Fedriga. E numëron një sërë masash që lega do të vërë në jetë po të fitojë zgjedhjet, që kushedi pse mbetën jashtë programit gjatë viteve që ishin në qeveri (ndoshta sepse krejtësisht antikushtetuese???).
“Kur të jemi në qeveri – premton Fedriga – e para gjë që do të bëjmë është të shfuqizojmë për të huajt ligjin mbi privatësinë. Duhet të jenë të kontrollueshëm e të monitorueshëm në çdo veprimtari të tyren”. “Madje- shton – për azilkërkuesit apo edhe refugjatët që kryejnë vepra penale do të fusim masën e dëbimit të menjëhershëm dhe pa mundësi ankimimi me proces special brenda 24 orëve”.
“Pra nëse kryejnë vepra penale, menjëherë jashtë e sekuestrim të të gjitha pronave për të paguar shpenzimet që Italia bën, përfshirë ato të riatdhësimit. Kush nuk respekton ligjet tona, por edhe shoqërinë tonë, nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në vendin tonë. Me ne në qeveri – përfundon legisti – merr fund epoka e të drejtave për të huajt e klandestinët e nis ajo e detyrimeve. Renzi në shtëpi, menjëherë!”