Pas seancës dëgjimore të ministrit Riccardi në Dhomën e deputetëve: “Qeveria teknike duhet të shqyrtojë problemet ekonomike. Nuk është e drejtë të hiqet taksa mbi lejet e qëndrimit”
Romë, 12 janar 2012 – Nuk kapërdijnë dot legistët ndërhyrjen e të mërkurës në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese të ministrit të Integrimit Andrea Riccardi që foli për zgjatjen e lejeqëndrimit për kërkim pune deri në një vit dhe për shtetësinë e brezave të dytë.
“Problemet e ilegalitetit nuk zgjidhen duke u dhënë shtetësinë imigrantëve. Kjo çështje i takon vetëm parlamentit dhe besoj se një qeveri teknike duhet të shqyrtojë vetëm problemet ekonomike”.
Kështu komenton deputetja e Legës Maria Piera Pastore, anëtare e Komisionit për Çështjet Kushtetuese, ndërhyrjen e djeshme të ministrit Riccardi. “Dhënia e shtetësisë imigrantëve nuk sjell automatikisht integrimin dhe Lega vazhdon të mbështesë idenë që normat e shtetësisë nuk duhen ndryshuar”.
Ministrit Riccardi i drejtohet edhe legisti Matteo Bragantini, kur e pyet “a nuk duket e padrejtë që në një çast krize ekonomike të hiqet taksa që ishte futur për lejet e qëndrimit të imigrantëve. Kur është fjala për sakrifica – poho ai – të bëhen nga të gjithë jo vetëm nga italianët”.
Akoma më i ashpër kryetari i grupit të Legës në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese Pierluigi Vanalli, që shpjegon “në një fazë krize dhe vështirësish është e nevojshme t’u jepet përparësi ndërhyrjeve në favor të shtresave më të ulëta që në këtë çast janë italianët që humbasin vendin e punës dhe ndërmarrjet që janë në prag të mbylljes”. Përparësore, sipas Vanallit është “të rikrijohet punë dhe të hapen vende pune për ata që përbëjnë shoqërinë tonë. Vetëm më pas do të jetë e mundur të shqyrtohet një politikë imigracioni më e favorshme”.