in

Legalizimet e rreme të paguara shtrenjtë: mashtrimi i madh i sanatores

Janë me mijëra të mashtruarit me legalizimin e shtatorit 2009, por nuk mund të denoncojnë askënd. NAGA tregon ç’ka ndodhur në Milano dhe kërkon: “Leje qëndrimi për ata që denoncojnë, por të ndryshojmë edhe rregullat i imigracionit”

Romë 7 korrik 2011 – Që çdo sanatore është terren pjellor për mashtruesit është tashmë e ditur dhe e natyrshme. Në çdo shtet me qindra mijëra të parregullt është e lehtë të gjesh të dëshpëruar të gatshëm të paguajnë shtrenjtë edhe vetëm premtimin e një lejeqëndrimi.

Sanatoria e vitit 2009, në këtë këndvështrim, ishte goxha e leverdishme. E kufizuar vetëm për bashkëpunëtorët familjarë, në një kohë kur po ashpërsoheshin dënimet për klandestinët, la jashtë qindra dikë të gatshëm mijëra punonjës, duke detyruar shumë prej tyre të shpëtonin duke gjetur (dhe paguar) dikë të gatshëm që të deklaronte se e ndihmonin në punët e shtëpisë apo për t’u kujdesur për një familjar.

Një lumë parash ka dalë nga xhepat e klandestinëve për të hyrë në ato të ndërmjetësuesve dhe të vetëquajturve punëdhënës. Që ose nuk kanë paraqitur fare kërkesën e legalizimit, ose e kanë paraqitur edhe pse nuk përmbushnin kriteret, ose kanë paraqitur shumë më tepër kërkesa nga ç’lejonte ligji. Duke pasur të njëjtin rezultat: ata janë bërë me një tufë para, ndërsa të huajt “e ndihmuar” prej tyre kanë mbetur siç ishin, klandestinë, pa pasur mundësi as t’i denoncojnë sepse po të shkojnë në polici, marrin vetëm fletën e dëbimit.

Sporteli legal NAGA në Milano ka dëgjuar historitë e mëse 400 imigrantëve që kanë rënë viktima të këtij mekanizmi dhe ka përgatitur një raport që ka nxjerrë para pak ditëve. “Mashtrime. Kur ligji krijon ilegalitet”. Raporti të lë të nënkuptosh që  se janë normat e ndërlikuara italiane të imigracionit ato që ushqejnë e shtojnë rastet që shoqata përshkruan deri në detaje, duke dhënë profilin e të mashtruarve dhe të mashtruesve.

Kuponë të falsifikuar dhe takime të rreme

Mashtrimet janë nga më të ndryshmet. Për shembull, në raport jepet rasti i punëdhënësit që paraqet 47 kërkesa legalizimi (mban rekordin për numër kërkesash të paraqitura), edhe pse e di shumë mirë që do të pranoheshin, maksimumi, tre, duke marrë gjithsesi paratë edhe për të gjitha kërkesat e tjera. Ka të tjerë që kanë falsifikuar kuponët e lëshuar nga siti i ministrisë së Brendshme. Të tjerë që kanë dhënë edhe takime të rreme, për t’u bërë qejfin klientëve të tyre e për t’u treguar se praktika po shkon përpara.

Ka nga ata që kanë inskenuar edhe takimin për firmën e kontratës së qëndrimit në zyrën e ndonjë miku, natyrisht jo në Sportelin Unik. “Më telefonoi ekonomisti – tregon viktima – e më tha që kishte ardhur letra me datën e takimit dhe që duhet të shkoja për të firmosur kontratën e qëndrimit. Shkova dhe gjeta aty edhe punëdhënësin tim. Firmosa, e pastaj, në një dhomë tjetër më morën edhe shenjat e gishtërinjve. Pse nuk kam marrë akoma kuponin e lejes së qëndrimit?”.

Mashtruesit, natyrisht, janë të paskrupuj. Një prej tyre kishte paraqitur një kërkesë legalizimi, kundrejt një pagese prej 3 mijë euro, edhe pse nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të punësuar dikë. Kur Sporteli unik ia ka vënë në dukje këtë fakt, tregon NAGA, “ka thirrur të huajin që po “ndihmonte” dhe i ka kërkuar atij integrimin e të ardhurave. Kështu viktima i ka dhënë edhe 4.000 euro të tjerë (para të thata në dorë), dhe më pas nuk ka marrë vesh më asgjë për praktikën!”.

Raporti nxjerr në dritë që tarifa mesatare e marrë nga mashtruesit është tremijë euro për çdo kërkesë legalizimi. Punëdhënësit e rremë në 83% të rasteve ishin italianë dhe në 71% të rasteve ka pasur edhe ndërmjetësues. Të mashtruarit janë kryesisht burra, egjiptianë dhe që kanë jetuar e punuar ilegalisht në Itali mesatarisht për 4 vjet e 6 muaj para se të mund “të përfitonin” nga ajo që sipas tyre ishte shansi i vetëm i legalizimit.

Massarotto (NAGA): “Të ndryshohen rregullat”

“Hulumtimi dëshmon, edhe një herë, që problemi thelbësor është mosfunksionimi i mekanizmit të hyrjes së shtetasve të huaj për motive pune sipas normave në fuqi, por edhe i sanatoreve. Me rregullat aktuale, mashtruesve nuk u hyn gjemb në këmbë dhe nëse institucionet nuk do të marrin masa krimet e lidhura me “krimet e sanatores” do të kalojnë në heshtje” komenton Pietro Massarotto, president i NAGA-s.

Shoqata kërkon që atyre që denoncojnë këto mashtrime t’u njihet leje qëndrimi për mbrojtje sociale (e njëjta që ligji u njeh viktimave të prostitucionit apo të kaporalatit), për pritje punësimi apo për motive humanitare. Por mbi të gjitha, shoqata kërkon një reformim radikal të ligjit të tanishëm të imigracionit që t-i përgjigjet realitetit.

“Sygjerojmë – përfundon presidenti i NAGA-s – të niset nga këto tre propozime: të ndahet hyrja e punonjësve në Itali nga kriteri i pasjes së vendit të punës; të parashikohet me ligj mundësia e legalizimit për ata që ndodhen në Itali e që kanë një vend pune; të parashikohet mundësia e ardhjes në Itali për kërkim pune”.

Me një fjalë të zgjerohen kanalet e imigracionit të rregullt në Itali, në mënyrë që të goditen ata që spekulojnë me klandestinët.

Elvio Pasca

Shkarko raportin:

Turizmi që mashtron

Futboll, Seria A: Dy lojtarë jokomunitarë për skuadër