in

Legisti në Facebook: “Imigrantët në krematoriume”

Komenti shokues i nënshkruar nga Mauro Aicardi, këshilltar legist në Albenga. Qarku qytetar i Fli-së: “nëse ka qenë vërtet ai, të japë dorëheqjen”

Romë, 5 janar 2012 – Në Facebook ka grupe të çdo lloji e nuk të çudit që ekziston edhe një që quhet “Cazzate di Albenga 2”, e thënë shqip, “gomarllëqe në Albenga 2”. Në murin e grupit diskutohen tema e evenimente që kanë të bëjnë me komunën e Ligurias.

Dje, një nga anëtarët ka sinjalizuar një artikull kronike lokale mbi një shtetas maroken të grabitur në rrugë nga një bashkatdhetar. Për të kuptuar tonin e diskutimit mjafton hyrja: “Fundërrinat bastarde, çfarë do të ndodhë kur të pushojnë së theruri mes tyre?”.

Por tronditës është komenti i lënë nga një tjetër anëtar i grupit, që i bie shkurt: “nevojiten krematoriumet”. E akoma më shqetësues është fakti që thënia vjen nga profili facebook i Mauro Aicardit, që në Albenga është anëtar i këshillit komunal, përfaqësues i Legës së Veriut, e sikur të mos mjaftonte, edhe me prokurë për mbrojtjen civile.

Rastin e sinjalizon qarku qytetar i Futuro e Libertà (Fli) e Gianfranco Finit, që parashtron: “Nuk duam ta besojmë e shpresojmë që të bëhet fjalë për identitet të vjedhur”. Por kërkon edhe “dorëheqje të menjëhershme të Aicardit nga posti i këshilltarit në rast se do të dalë në dritë që është vërtet ai autori i shënimit të ulët”.

Ai koment, kujtojnë militantët e Fli-së, nuk është “vetëm një ofendim i ulët dhe i rëndë, kemi të bëjmë me nxitje të urrejtjes raciale, krim i dënueshëm me ligj. Autoritetet e sigurisë publike, falë mjeteve informatike dhe teknologjike që kanë në dispozicion, do të gjejnë adresën i.p. të kompjuterit duke arritur kështu në identifikimin e autorit”.

Ndërkaq, komenti “Nevojiten krematoriumet” u  hoq. Nuk dihet ende nëse Aicardi këshilltar është  Aicardi racist që uron zgjidhjen radikale. Në Komunë nuk e gjejmë e celularit nuk i përgjigjet vetë por një zë i ri që shpjegon: “Nuk është, ka lënë celularin në shtëpi”. Të jetë aq i hutuar Aicardi i shkretë sa dje të ketë harruar edhe kompjuterin ndezur gjëkundi?

Elvio Pasca

Rrugicat e filmave, një mundësi joshjeje turistike për Durrësin

Hackera shqiptarë sulmojnë faqen e muzeut grek me ‘Xhamadanin vija-vija”