Nga fundi i shtatorit, Kuesturat do t’i nisin një mesazh të huajve për t’i lajmëruar për datën e tërheqjes së dokumentit elektronik. Eksperimentimi i nisur muajt e shkuar do të shtrihet tashmë në mbarë Italinë
Romë, 19 shtator 2011 – Shumë shpejt, të huajt do të mësojnë përmes një mesazhi në celularin e tyre se kur mund të shkojnë të tërheqin lejeqëndrimin e tyre elektronik. Kjo është risia që duhet të zgjidhë probleme komunikimi mes Kuesturave dhe imigrantëve.
Qershorin e shkuar ky shërbim nisi në formë eksperimentale në provincat: Ancona, Perugia dhe Messina. Nga 27 shtatori ky mini-revolucion do të shtrihet në të gjithë Italinë: sapo leja e qëndrimit elektronik e shtypur nga Poligrafiku i shtetit do të mbërrijë në Polici, një sistem informatik do të caktojë ditën e një takimi dhe do të nisë automatikisht një mesazh në celularin e titullarit të dokumentit, bashkë me udhëzimet për ta tërhequr në Kuesturë apo pranë një Komisariati zone.
Sot për të mësuar nëse leja e qëndrimit është gati duhet të lidhesh me faqet internet të policisë së Shtetit dhe të fusësh kodin e kërkesës së lëshimit apo të përtëritjes së dokumentit. Mungesa e komunikimit e çdo tipi tjetër (provoni të kërkoni informacion drejtpërdrejt në Kuesturë…) u ka krijuar probleme të gjithë atyre që nuk janë të zotët me kompjuterin dhe internetin. Duke mbajtur parasysh që tashmë personat pa celularë janë vërtet të rrallë, lajmërimi me sms duhet të jetë diçka pozitive dhe e pranueshme nga të gjithë.
Ministria e Brendshme ka lajmëruar Kuesturat, duke u kërkuar të bëjnë kujdes në regjistrimin e numrit të celularit të dhënë nga qytetarët e huaj në sistemin informatik që administron lëshimin dhe përtëritjen e lejeve të qëndrimit. Për më tepër, duhet të komunikojnë sa persona arrijnë të presin çdo ditë për dorëzimin e dokumenteve, në mënyrë që të organizohet agjenda e dhënies së takimeve.