in

Lejeqëndrim më i lehtë për emigrantët që kanë fëmijë

 

Gjykata e Kasacionit: “Nuk ka nevojë për rrethana të jashtëzakonshme për t’i lëshuar një lejeqëndrim të përkohshëm emigrantëve me fëmijë”

Do të jetë më e thjeshtë për emigrantët marrja e lejeqëndrimit të përkohshëm për të qëndruar në Itali. Lehtësimi është për jokomunitarët që kanë fëmijë, të cilëve, sipas Gjykatës së Kasacionit, duhet t’u jepet përkohësisht autorizimi për të qëndruar në Itali “në prani të arsyeve të rënda që lidhen me zhvillimin psikofizik të fëmijëve, por jo detyrimisht sepse ekzistojnë rrethana emergjence”.

Në veçanti seksioni i parë civil, në sentencën numër 2647 shkruan se “autorizimi i përkohshëm për të qëndruar në Itali i prindit të të miturit në prani të arsyeve të rënda që lidhen me zhvillimin e tij psikofizik, nuk nënkupton detyrimisht ekzistencën e kushteve të emergjencës ose rrethanave kontingjente e të jashtëzakonshme të lidhura ngushtë me shëndetin e tij”.

Pra në dhënien e një lejeqëndrimi të përkohshëm, shpjegon gjykata e Sheshit Cavour në Romë, duhet mbajtur parasysh “çdo dëm efektiv, konkret, të perceptueshëm dhe objektivisht të rëndë që duke pasur parasysh moshën ose kushtet shëndetësore, i sjell ose do t’i sjellë sigurisht të miturit largimi i prindi të tij ose shkëputja përfundimtare nga mjedisi ku është rritur”

Në këtë mënyrë, Gjykata më e lartë pranoi ankesën e një shtetasi maroken në Milano,  Abdellatif E. H, baba i një fëmije. Gjykata e Apelit e kryeqendrës së Lombardisë i kishte mohuar të drejtën e lejeqëndrimit të përkohshëm në Itali duke e argumentuar se kërkesa e tij nuk bazohej në “gjendjen e nevojshme të emergjencës ose në kushte të jashtëzakonshme në të cilat mund të ndodhej i mituri”.

Kundër këtij vendimi, të nxjerrë në nëntor të vitit 2009, emigranti maroken paraqiti me sukses ankesë në Kasacion duke vënë në dukje se largimi i tij do të sillte “ndërprerjen e një lidhjeje të domosdoshme në rritjen e fëmijës”. Gjykata e Kasacionit pranoi ankesën duke e cilësuar vendimin e marrë më parë si një “prononcim veçanërisht të përciptë”, duke kujtuar se aprovimi për të qëndruar në Itali ka të bëjë “me situata në vetvete jo afatgjate ose pa afat, e që nuk kanë tendencë stabiliteti, që megjithëse nuk mund të konsiderohen e të standardizohen paraprakisht, konkretizohen në ngjarje traumatike dhe të paparashikueshme në jetën e fëmijës, të cilat i kapërcejnë problematikat normale dhe të kuptueshme që rrjedhin nga riatdhesimi i tij ose i prindit të tij”.

Bllokohen në Durrës, automjete të vjedhura në Itali

Arrestohet njëri nga drejtuesit e gardës