in

Lejeqëndrimi elektronik i ri, për të miturit është falas

Nën 18 vjeç nuk duhet paguar kontributi i lëshimit apo i përtëritjes. Kërkesa me të njëjtin komplet formularësh të prindërve

Romë, 25 nëntor 2015 – Lejeqëndrimi elektronik ndryshon, por rregulli mbetet i njëjtë: për të miturit nuk paguhet.

Siç shkruanim pak ditë më parë, lejeqëndrimi elektronik i ri (PSE) që dalëngadalë do të zëvendësojë atë të sotmin ka edhe një version për të miturit. Në fakt, këtej e tutje edhe ata do të kenë dokument individual që nga lindja dhe nuk do të jenë të regjistruar në atë të prindërve. Madje, nga gjashtë vjeç e sipër, edhe të miturit do të jenë të detyruar të japin shenjat e gishtërinjve, që do të ruhen në mikroprocesorin e dokumentit dhe në një bankë të dhënash të ministrisë së Brendshme.

Edhe pse këto risi do t’u vështirësojnë jetën fëmijëve e prindërve, të paktën nuk do të rëndojnë në xhepat e familjeve të imigrantëve. Në fakt është akoma në fuqi dekreti që parashikon se të miturit nën 18 vjeç përjashtohen nga pagesa e “kontributit për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit” që për të rriturit shkon nga 80 në 200 euro sipas kohëzgjatjes së dokumentit.

Për më tepër, nëse për të rinjtë nga 14 deri në 18 vjeç akoma parashikohet pagesa e 27,50 € për shtypjen e lejeqëndrimit, nën 14 vjeç, edhe pse këtej e tutje lejeqëndrimi do të jetë individual, kjo pagesë nuk do të bëhet. Të paktën deri tani, pasi ministria e Ekonomisë dhe e Financave nuk ka dhënë asnjë udhëzim në këtë drejtim.

Së fundi, duhet thënë që nuk ndryshon as kostoja e pparaqitjes së kërkesës përmes zyrave postare. Lejeqëndrimi për fëmijët kërkohet duke përdorur të njëjtit formularë e të njëjtin komplet postar me të cilët e korkojnë prindërit. Kjo do të thotë se 30 € për shërbimin postar dhe 16 € të pullë-taksës paguhen vetëm njëherë e jo veç e veç edhe për fëmijët.

 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

La violenza sulle donne: né amore, né potere

I arratisur dy herë nga burgu, Valentin Frrokaj vritet nga i zoti i vilës që donte të vidhte