Norma e re është miratuar në Senat me votat kundër të përfaqësuesve të Legës
Romë, 24 maj 2012 – Komisioni i Punës i Senatit ka miratuar pa asnjë modifikim,natyrisht pa votat e Legës, nenin 58 të dekretit legjislativ të reformës së tregut të punës që zgjat nga gjashtë muaj në një vit periudhën e vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit për punonjësit imigrantë të mbetur pa punë.
Kjo normë lidh gjithashtu qëndrimin në Itali edhe me kriteret e të ardhurave të vlefshme për bashkimet familjare dhe ka për qëllim të evitojë që me humbjen e vendit të punës të shumëfishohen “ndarjet” familjare edhe në prani të të ardhurave minimale të kërkuara. Praktikisht një fjali e shtuar në fund të nenit 58 parashikon që edhe me përfundimin e vitit të kohëzgjatjes së lejes për pritje punësimi, i huaji të mos dëbohet nëse një familjar tjetër i tij në Itali përmbush kriteret e bashkimit familjar me të papunin e mund ta mbajë nga ana ekonomike.
Pas një debati të brendshëm të PDL-s, veçanërisht mbi këtë aspekt të fundit të nenit, të gjithë senatorët e saj në Komision kanë votuar në favor të normës.
“Aprovimi i nenit 58 të Reformës së Punës është një lajm pozitiv, edhe pse konsiderojmë akoma të shkurtër shtrirjen në një vit të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit për pritje punësimi. Është e pamendueshme që koha mesatare që u nevojitet imigrantëve për të gjetur punë në këtë çast të vështirë krize të kufizohet në vetëm 12 muaj”. Kështu shprehet sekretari konfederal i sindikatës UGL, Marina Porro, duke shtuar që “imigrantët, ashtu si të gjitha kategoritë e dobëta, janë ata që po paguajnë më shtrenjtë situatën kritike që po kalon Italia, veçanërisht në tregun të punës. Kësaj i shtohet edhe rritja e kostos së përtëritjes së lejeqëndrimit që penalizon edhe më një kategori që po përjeton probleme të rënda ekonomike”. Ndaj, përfundon sindikalistja, është e nevojshme “të bëhet e pamundura për favorizimin e përfshirjes në tregun e punësimit të personave që përbëjnë risursë për sistemin Itali dhe që nuk meritojnë të bien në ilegalitet apo në kthetrat e punës në të zezë e aq më pak të bien pre e shfrytëzimit nga njerëz që ofrojnë punësim në kushte çnjerëzore”.