in

Në Miss Italia një çmim edhe për të huajat

Këtë vit konkursi i famshëm i bukurisë do të ketë një garë kushtuar të rejave të huaja që jetojnë në Itali prej të paktën një viti. Patrizia Mirigliani: “Një zgjedhje në favor të integrimit”, po atëherë pse të mos konkurrojnë së bashku italiane dhe të huaja?

Romë, 24 maj 2012 – Nga “Miss Italia në botë” në “Miss bota në Itali”. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë risia e shpallur nga organizuesja Patrizia Mirigliani në faqet internet të konkursit më të famshëm të bukurisë në Itali.

“Të dashura mikesha të huaja që banoni në Itali, këtë vit kam menduar edhe për ju” shkruan e vetëkënaqur organizatorja e konkursit. Dhe shpjegon se parashikohet një edicion special i “Miss Italia në botë” që “për herë të parë në vitin 2012, nuk u kushtohet bukurosheve me origjinë italiane që nuk jetojnë në atdhe por pikërisht juve (të huajave që jetojnë në Itali)”, sepse “integrimi juaj – sqaron – është tepër i rëndësishëm për të gjithë”.

Ende nuk është përcaktuar një rregullore pjeëmarrjeje, tani për tani dihet vetëm se do të mund të marrin pjesë vajza me moshë nga 18 deri në 26 vjeçe që jetojnë në Itali prej të paktën një viti dhe se regjistrimi do të bëhet vetëm on-line në faqet www.missitalia.it. Fituesja do të kurorëzohet në shtator në Montecatini Terme, në të njëjtat ditë kur do të zhvillohen finalet e konkursit mëmë, “Miss Italia”.

“Migrimet janë një hap i madh i qytetërimit – nënvion Mirigliani – që na ka çuar drejt një universi pa kufij. Dhe ne, që përfaqësojmë një pjesë të rëndësishme të botës femërore, që ka një rol parësor në dukurinë e migrimit dhe është element vendimtar integrimi, ndiejmë nevojën t’i përshtatemi kohës”.

Lajm i mirë? Ndoshta. Ana tjetër e medaljes është që gara kryesore “Miss Italia” vazhdon të përjashtojë bijat e imigracionit, vajza të rritura në Itali, shpesh të lindura këtu, por që nuk kanë akoma pasaportën italiane, sepse ligji mbi shtetësinë vazhdon të mos marrë në konsideratë brezat e dytë.

Ndërsa reforma e shtetësisë që të gjithë thonë se duan të miratojnë ka mbetur mbyllur në sirtar në parlament, do të ishte vërtet një revolucion i vogël sikur të gjitha italianet, autoktone dhe bija imigrantësh, të garonin së bashku. Një mënyrë për të vënë theksin mbi faktin se sot bukuria italiane është edhe sybajame apo lëkurë-çokollatë.

Elvio Pasca

Lejeqëndrimi. Shkon nga 6 muaj në një vit kohëzgjatja për ata që mbesin pa punë

ShBA: “Korrupsioni në qeveri dhe në sistemin gjyqësor problem serioz për Shqipërinë”