in

Lejeqëndrimi. Mund ta përtërij nëse punëdhënësi nuk ka derdhur kontributet?

Kam bërë kërkesë për përtëritjen e lejeve të qëndrimit për motive pune por mësova se punëdhënësi nuk më ka paguar kontributet. Kuestura mund të më mohojë lejen për këtë arsye?

Romë, 7 nëntor 2013 – Sipas ligjit italian, kushdo që punon duhet të derdhë kontributet shoqërore. Në rastin e të huajve ky kriter është i lidhur me banimin në Itali e mund të kushtëzojë lëshimin apo përtëritjen e dokumentit të qëndrimit. Në fakt, në rast se nuk përmbushen kriteret për qëndrimin në Itali, qoftë lëshimi, qoftë përtëritja e lejes së qëndrimit mund të refuzohen sipas nenit 5 të dekretit legjislativ 286/98.

Kur puna është e varur, derdhja e kontributeve shoqërore është kompetencë e punëdhënësit, ndaj punonjësi vetëm mund të verifikojë nëse derdhja është bërë vërtet dhe, në rast se jo, t’i kërkojë punëdhënësit të përmbushë këtë detyrim.

Për rrjedhojë, vetëm në rastin e punës së varur, i huaji nuk është përgjegjës për mospagesën e kontributeve e për këtë arsye atij nuk mund t’i mohohet dokumenti i qëndrimit. Ndërsa, nëse i huaji bën punë të pavarur, ai është i vetmi përgjegjës për derdhjen e kontributeve shoqërore të kërkuara nga ligji në fuqi.

Kur paraqitet kërkesa për lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit, Kuestura analizon dokumentacionin e bashkëngjitur kërkesës, përfshirë edhe atë që ka të bëjë me marrëdhënien e punës. Në rast se dokumentacioni nuk është i plotë apo ka paqartësi, autoritetet, para se t’i mohojnë lejen e qëndrimit, duhet të lëshojnë një paralajmërim që motivon hedhjen poshtë të kërkesës. I huaji, pasi merr këtë lajmërim, duhet të integrojë kërkesën, brenda kohës së parashikuar nga Kuestura, me dokumentacionin që dëshmon se përmbush kriteret për hyrjen e qëndrimin në Itali.

Sipas nenit 5 të dekretit legjislativ 286/98, po të ndeshen parregullsi administrative të riparueshme, autoritetet nuk mund të refuzojnë apo të mos përtërijnë dokumentin e qëndrimit, me kusht ama që këto parregullsi të korrigjohen. Në rastin konkret, mosderdhja e kontributeve shoqërore që rrjedhin nga puna e varur nuk mund të kushtëzojë lëshimin e lejes së qëndrimit, pasi i huaji nuk e ka personalisht në dorë përmbushjen e këtij detyrimi nga anë e punëdhënësit. Ky është edhe orientimi juridik i konfirmuar edhe nga sentenca nr. 785 e 23 shtatorit 2013 e lëshuar nga Gjykata administrative e krahinës së Lombardisë.

Maria Elena Arguello / stranieriinitalia.it

 

Flukset. Më shumë kuota se kërkesa për konvertimet e lejeve të qëndrimit

Studenti. Ora è legge: i permessi dureranno quanto il corso di studi