in

Letta jep dorëheqjen, Renzi drejt kryesimit të një qeverie të re

PD rrëzon qeverinë Letta. Renzi: “Duhet të nxjerrim vendin nga këneta ku gjendet”

“Pas vendimeve të marra gjatë ditës së sotme nga kryesia kombëtare e Partisë Demokrate, informova Presidentin për vendimin tim për t’u paraqitur nesër në Quirinale (presidenca italiane) për paraqitjen e dorëheqjes nga detyra e kreut të kabinetit të qeverisë italiane”, deklaron të enjten kryeministri italian, Enrico Letta.

Deklarata e Letta-s vjen vetëm 24 orë pasi kishte prezantuar paktin e ri të qeverisë për vitin 2014, por edhe menjëherë pas vendimit të marrë nga kryesia e partisë së tij për të mbështetur rendin e ditës të paraqitur nga sekretari Renzi.

Në fakt, pasditen e të enjtes, 13 shkurt, kryesia e Partisë Demokrate italiane, forca kryesore që mbështet qeverinë aktuale italiane, miraton me shumicë votash (136 votash pro, 16 kundër dhe 2 abstenime) propozimin e Matteo Renzit për “një ndryshim të kabinetit qeveritar, me qëllim fillimin e një faze të re për Italinë” që në thelb konsiston me marrjen e postit të kryeministrit nga kryebashkiaku i Firences duke i kërkuar kështu kryeministrit aktual, ish numrit dy të PD-së, Enrico Letta-s, të vihet mënjanë.

“Duhet hapur një faqe e re, ndryshim horizonti dhe ritmi”, thekson Renzi duke u bërë thirrje anëtarëve të tjerë të kryesisë të PD-së “të marrin përsipër rreziqet që mund të rrjedhin nga një ndryshim i tillë”. “Dua t’ju kërkoj të dalim nga këneta”, shton ai.

E kështu Matteo Renzi sekretari i ri i PD-së që deri pak ditë më parë thonte se bënte “marrëveshje me Berlusconin për të mos bërë një qeveri me të”, se nuk donte kurrsesi “t’i merrte postin Letta-s”, se do të bëhej kryeministër vetëm “pasi të fitonte zgjedhjet”, duket se tani kërkon të kundërtën e gjithçka ka mbrojtur deri më sot. Shumë shpejt, ndoshta që të dielën, përjashtuar ndonjë të papritur të minutës së fundit, Renzi do të jetë kryetar i një qeverie që nuk del nga një mazhorancë zgjedhore (e do të jetë e treta qeveri e radhës që nuk respekton vullnetin e zgjedhësve pas asaj të Montit dhe Letta-s), do të mbështetet në një koalicion të gjerë mes qendrës së majtë e asaj të djathtë. Madje ëndrra e Renzit nuk është të bëjë një ligj të ri zgjedhor që të shkohet sa më shpejt në zgjedhje të reja, përkundazi ai kërkon të ketë mandat deri në vitin 2018 në përfundimin e natyrshëm të kësaj legjislature.

Vetëm 39 vjeç, Renzi do të jetë edhe kryeministri më i ri që Republika italiane ka pasur ndonjëherë.

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

DRIVE IN ITALY, siguria rrugore në 12 hapa

Kosova nis festimet për Pavarësinë