Pashë rastësisht që më skadon libreza shëndetësore në të njëjtën kohë me lejen e qëndrimit. Mund ta përtërij? E do të mbetem i regjistruar në SSN?
Romë, 24 mars 2016 – Libreza shëndetësore (tessera sanitaria) që u lëshohet të huajve ka të njëjtën kohëzgjatje me lejen e qëndrimit.
Për të përtërirë librezën shëndetësore, qytetari duhet të paraqesë në ASL dokumentacionin që dëshmon aplikimin për përtëritjen e lejes së qëndrimit, si për shembull kuponin postar të lëshuar në çastin e nisjes së kompletit të formularëve apo kuponin e lëshuar nga Kuestura, kodin fiskal dhe dokumentacionin që dëshmon ku banon.
Me këtë dokumentacion, ASL-i ruan regjistrimin e përkohshëm (6 muaj) të kërkuesit për sa kohë që pritet lejeqëndrimi i përtërirë, në mënyrë që i huaji të mos humbasë të drejtën e përfitimit nga shërbimet shëndetësore. Kur të interesuarit i lëshohet lejeqëndrimi i përtërirë, i çon një fotokopje ASL-it, që konfirmon regjistrimin në Shërbimin shëndetësor kombëtar dhe lëshon librezën e re shëndetësore me të njëjtën datë skadence të lejeqëndrimit.
Duhet saktësuar që gjatë kohës së pritjes së përtëritjes së lejeqëndrimit për punë apo për motive familjare, i huaji ruan regjistrimin e detyrueshëm në shërbimin shëndetësor kombëtar, ndërsa kush ka bërë regjistrimin vullnetar, sepse është, për shembull, në Itali për motive studimi, duhet të ndjekë të njëjtën praktikë që ka bërë herën e parë për t’u regjistruar në SSN.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)