Mund ta kërkojë kush ka tre fëmijë të mitur në ngarkim dhe është rezident i rregullt në Itali. Me “Kartën Familja” do të mund të paguhen me zbritje produkte e shërbime të ndryshme
Romë, 23 dhjetor 2015 – Zbritje çmimesh në horizont për familjet me shumë pjesëtarë. Qofshin këto italiane apo të huaja.
“Karta Familja”, e parashikuar nga ligji i stabilitetit 2016 i sapomiratuar përfundimisht në Senat, do t’u mundësojë të paguajnë më lirë mallra dhe shërbime të subjekteve publike dhe private që do të mbështesin këtë nismë, nga blerjet e mallrave të konsumit të përditshëm deri te faturat e gazit dhe dritave. Pa bërë asnjë dallim mbi shtetësinë.
E rëndësishme është që familjet të kenë të paktën tre fëmijë të mitur në ngarkim, të përbëhen nga italianë apo “të huaj me qëndrim të rregullt në territorin italian” dhe të mos kapërcejnë një kufi maksimal të ardhurash, të llogaritura me anë të Treguesit të situatës ekonomike (ISEE). Duhet të jenë familjet ato që do ta kërkojnë këtë kartë, që do të lëshohet nga Komunat e do të vlejë për dy vjet.
Karta Familja do të mundësojë edhe krijimin e “grupeve të blerjes” për të blerë produkte me shumice e për rrjedhojë me çmime më të lira. Karta do të mundësojë gjithashtu edhe përfitimin e “biletave dhe abonimeve familjare për shërbimet e transportit, kulturore, sportive, turistike dhe të llojeve të tjera”.
Kaq thotë ligji i stabilitetit. Për kriteret dhe mënyrat e lëshimin të Kartës Familja (si për shembull, kufijtë maksimalë të të ardhurave) duhet pritur një dekret i ministrive të Punës, të Ekonomisë dhe të Zhvillimit Ekonomik.
Së fundi, duhet theksuar se për të kuptuar nëse Karta Familja do të jetë një ndihmë e vyer duhet pritur të shihet sa do të jenë zbritjet efektive të propozuara nga entet e ndërmarrjet që do të përkrahin nismën.
EP
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)