Një shoqatë e re shqiptaro-italiane u shtohet formave të ndryshme të organizimit të shqiptarëve në Itali.
Themelohet në Sulmona shoqata Centro/Qendra Abruzzo” që do të festojë lindjen e saj të shtunën në orën 11.00 në Hotel Meeting Santa Croce. Shoqata ka për objektiv të sajin “të favorizojë me aktivitete vullnetarizmi dhe solidariteti, integrimin efektiv të shqiptarëve në shoqërinë italiane, qoftë nga pikëpamja shoqërore ashtu edhe nga ajo e punës, në respekt të plotë të nevojave, të drejtave dhe të identitetit të tyre kulturor” lexohet në nenin e parë të statutit të shqoqatës. Kryetar i shoqatës është zgjedhur Luan Hallulli. Nënkryetar i shoqatës është Domenico Leone, një dashamirës i Shqipërisë.
Luan Hallulli, sipërmarrës në ndërtim, nga Kavaja, i ardhur në Itali prej vitit 1992, në Sulmona jeton prej 15 vjetëve. “Ideja na lindi mes miqsh italianë e shqiptarë disa muaj më parë” – thotë ai – “Me këtë shoqatë duam, nga njëra anë të promovojmë kulturën, traditat shqiptare këtu ku jetojmë, nga ana tjetër, të ndihmojmë për integrimin e komunitetit tonë këtu në Sulmona”. Si do ta bëjnë këtë? “Me veprimtari të ndryshme. Kemi menduar të organizojmë për shembull një darkë bamirësie për të mbledhur fonde për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, apo një udhëtim në Shqipëri të miqve italianë, dashamirës të vendit tonë” thotë Hallulli.
Në ceremoninë e të shtunës janë ftuar mes të tjerësh edhe ambasadori i Shqipërisë në Romë Llesh Kola, kryetari i bashkisë së Sulmonës Fabio Federico , kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, sekretari i përgjithshëm i bashkisë Durrës, Sokol Kokomani, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Klodiana Spahiu, drejtori i drejtorisë së Kulturës të Krahinës Abruzzo, Luigi de Fanis, nënkryetari i Provincës L’Aquila, Antonella Di Nino. Autoriteteet shqiptare do të kenë një takim me sipërmarrës vendas për të hedhur baza bashkëpunimi e shkëmbimesh ekonomike mes dy vendeve.