Megjithëse kanë kaluar disa ditë që dëbora ka reshtur në Parkun Kombëtar të Llogorasë, qilimi i bardhë vazhdon ta mbulojë atë gjithandej. Bardhësia të vret sytë, teksa kapërcen rrugën për të hyrë në thellësi të pyllit të pishave dhe bredhave nga degët e të cilave varen si stalagmite copat e mëdha të borës së ngrirë tashmë nga temperaturat e ftohta.
“Asgjë nuk ka më të mirë se sa Llogoraja e mbuluar nga dëbora”, thotë Arturi, një i ri nga Tirana që ka ardhur me shoqen për të kaluar një ditë të veçantë në këtë mjedis ta zbardhur. Teksa bëjnë fotografi në thellësi të pyllit, diku në vendin që quhet “Shtegu i Qezarit”, ata ndjekin njeri tjetrin nën bardhësinë e pishave. Shtresa e dëborës i kalon të 30 cm dhe në vende të caktuara duhet të ecësh me kujdes për të mos përfunduar në ndonjë gropë të fshehur.
Në të gjithë mjedisin e Parkut Kombëtar, që ndodhet në një lartësi maksimale prej 1.050 metra mbi nivelin e detit, e vetmja që nuk zbardhon është rruga që përshkon këtë qafë. Punonjësit dhe mjetet e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, kujdesen që të garantojnë kushte normale, duke hedhur herë pas here kripë në asfaltin e saj. Temperaturat e ulëta, nën zero, mund të krijojnë situata të rrezikshme me ngrica dhe akullin që formohet nga ujërat që rrjedhin tek tuk mbi shtratin e kësaj rruge, ndërkohë që në të dy krahët e saj, pirgjet e dëborës të zhvendosura ditë më parë, kanë ngrirë tashmë duke formuar kodra të mëdha të ngurtësuara.
Mesdita dhe pasditja e të martës, janë mjaft të ftohta, por njerëzit janë të shumtë. Vijnë nga të gjitha rrethet, kryesisht nga Tirana, Fieri apo Durrësi, por edhe nga Pogradeci apo Berati. Në një mjedis ku reshjet e dëborës përgatiten të nisin sërish, këta vizitorë i japin Llogorasë atmosferën e festave. Ashtu siç është tani, Llogoraja përcjell imazhin dhe simbolin e Vitit të Ri, të tillë siç e kemi parë dhe perceptuar për dekada me radhë nga kartolinat, qysh në fëmijëri.
Lokalet janë plot, megjithëse sot nuk është një ditë pushimi. Teksa po pastron dëborën përpara lokalit të vet me emrin Albert, pronari i tij që nuk na e thotë emrin, shprehet se klientët janë të shumtë këto ditë. Madje, ai po përgatitet për natën e ndërrimit të viteve, kur si edhe në shumë lokale të tjera, do të ofrohet shërbim për klientët që kanë prenotuar. “Veç menysë së pasur me prodhimet me bazë mishi, karakteristike për Llogoranë, do të ofrojmë edhe muzikë live, thotë ai. Në këtë natë, do të jetë e ftuar këngëtarja Maja, e cila sipas pronarit “është vajza jonë”, pra është nga këto anë.
Në lokalin e njohur të Sofos, mjedisi i ngrohtë i krijuar nga zjarri bubulak në oxhakun me dru, të fton të qëndrosh e të konsumosh një drekë. Tavolinat janë plot. “Mirëserdhët”, thotë Sofoja, duke respektuar një traditë të krijuar me klientët e përhershëm dhe të vjetër.
Ndërkohë që mbrëmja po afrohet, zbresim në mjediset e fshatit alpin Llogoraja, ku gjithçka është e mrekullueshme. Tek porta të presin sorkadhet që të ledhatojnë teksa u ofron ushqim. “Po bëhemi gati për natën e Vitit të Ri”, thotë Nikoja një nga pronarët e këtij fshati. Ai tregon se gjatë këtyre viteve, veçanërisht muajt e fundit kanë bërë shumë investime, duke e shndërruar këtë mjedis në një ambient me standardet e duhura për pushime në të gjitha stinët e vitit. Brenda tij është aq ngrohtë, sa mund të qëndrosh edhe me një bluzë apo këmishë, ndërkohë që jashtë bardhësia e dëborës që shfaqet nga paretet e xhamta, të krijon ndjesinë e të ftohtit të pakrahasueshëm. “Kemi prenotime të shumta për natën e Vitit të Ri dhe po përgatitemi për të siguruar të gjitha kushtet e nevojshme”, thotë Nikoja.
Ndërsa ditët e fundit të këtij viti po i lënë dalëngadalë vendin 2012-tës, Llogoraja, me bardhësinë dhe bukurinë që krijon natyra e jashtëzakonshme, pret të festojë Vitin e Ri me vendas e të ardhur.
H. Koçi