in

Luli Bitri{br}“Itali apo Shqipëri, mbetem e huaj”

Aktore kinemaje, teatri, dubluese, për disa vjet zë zyrtar i Top Channel-it, sot  jeton mes Torinos, Romës e Tiranës, nga një casting në tjetrin, ku shpesh i thuhet “ndihet theksi i huaj”. Si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Edhe pse me punët e deritanishme në Itali nuk është shumë e kënaqur, këmbëngul e bën durim, cilësi që ia ka mësuar emigracioni. Dhe nuk heq dorë nga pjesëmarrja në projekte të ndryshme në Tiranë, filma e teatër

Emri i Luli Bitrit është përmendur shpesh këtë vit. Ajo është lavdëruar si aktore në rolin e Elsës në filmin Amnistia të regjisorit Bujar Alimanit, i  cili ka fituar disa çmime deri tani. Bashkë me filmin është vlerësuar edhe ajo: në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Vernon (Francë), mori çmimin “Aktorja më e mirë”.

Por suksesi nuk e deh. “Për mua është një sfidë e fituar. Një shpërblim i bukur për përkushtimin në punë por njëkohësisht një përgjegjësi për të mos rënë më poshtë dhe për të bërë gjithmonë punë më të mira”, thotë ajo. Tregon se rolin e Elsës në filmin e Alimanit e ka shumë për zemër sepse “ishte një personazh i parealizuar që përpëlitej. E pastër shpirtërisht por e zënë në kurth nga fati i saj, mbart mbi shpinë gjithë hallet e familjes. E papunë, me dy fëmijë, jeton me vjehrrin dhe me një burrë që i ka përfunduar në burg. Një rol, me të cilin një aktore mund të shpërfaqë lehtësisht plasticitetin, anën psikologjike dhe shpirtërore të  saj”.

Luli ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë, punon prej vitesh në teatër, kinematografi, televizion, dublim filmash. Ka pasur fatin të punojë me regjisorë të mëdhenj, krah aktorësh ndër më në zë në Shqipëri. “Përkrah tyre mësova të synoj lart dhe të përmirësohem në punën time. – të thotë me çiltërsi – Por kam mësuar edhe që përtej profesionistit, njeh një njeri. Kam ndier se me shumë dashuri dhe përkushtim edhe idhujt mund të preken dhe mund të bëhen miqtë e tu”.

Prej pesë vjetësh ka vendosur të emigrojë, të vijë në Itali sepse “ndoshta Shqipëria nuk më mjaftonte më” shpjegohet ajo. Ndoshta, por këtu hasi vështirësi të reja, veç atyre të çdo emigranti edhe në profesion. Nga një casting në tjetrin, ku shpesh i thuhet “ndihet theksi i huaj”. “Dhe e bukura është që ma thonë edhe në Shqipëri ndonjëherë kur është fjala për ndonjë dublim. ‘Të ndihet theksi italian'” tregon Luli duke qeshur. Edhe pse me punët e deritanishme në Itali nuk është shumë e kënaqur, këmbëngul e bën durim, cilësi që ia ka mësuar emigracioni. Nuk heq dorë nga pjesëmarrja në projekte të ndryshme në Tiranë, filma e teatër.

Por nëse do të kishte mundësi të kthehej mbrapsht në kohë? “Me keqardhje do të thosha se nëse do të kisha mundësi të rizgjidhja dhe njëherë, me siguri Italia nuk do ishte zgjedhja ime. Ndonjëherë më lodh të qenit “midis”, të qenit gjithmonë rrugëve. Më merr malli të kthehem në shtëpi edhe pse nuk e di se ku e kam shtëpinë. Të ardhmen nuk e di askush por nëse do ta mendoj si tani do të vazhdoj të jetoj midis, me gjithë çmimin e lartë që duhet të paguaj”.

Dhe nëse të flet me pasion për dashurinë e saj, aktrimin, “zgjedhja më e mirë e jetës”, ai nuk është asgjë përpara entuziazmit me të cilin flet për familjen e saj, prindërit dhe vëllezërit. “Ata janë pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Çdo arritje, çdo sukses, pa ata nuk është i plotë” i del nga zemra. Babanë dhe nënën i ka tërhequr në Torino por shpesh e mundon dyshimi “a është vërtet kjo jeta që do të dëshironin?”. Për ta bën gjithçka. “Më duket ndonjëherë sikur jam kthyer në prind të tyrin, sikur varen shumë prej meje” thotë buzagaz. Aspak e rënduar nga ky fakt, thjesht ndien më shumë përgjegjësi.

Beteja e Orjetës ndaj diskotekës që i ndalon hyrjen pse është shqiptare

Terrusi: “Historia tragjike e familjes sime, hakmarrje e Enver Hoxhës”