in

Luli Bitri{br}“Itali apo Shqipëri, mbetem e huaj”

Intervista

Bota Shqiptare: Luli si i keni hyrë aktrimit?

Luli Bitri: Të them të vërtetën, krejt rastësisht. Kisha përfunduar një vit studime për mjekësi dhe ndieja se nuk ishte ajo që dëshiroja të bëja. Mu desh një nxitje e një mikeshës sime dhe nisa një aventurë të re pa qenë e sigurt nëse do të isha e aftë. Fitova konkursin dhe u bëra pjesë e një tjetër realiteti. Në fillim mesa duket ishte kuriozitet, por ditë pas dite u kthye në një dashuri të madhe. Kjo dashuri për teatrin,  kinemanë ose për artin në tërësi është një dashuri e zjarrtë por jo nga ato pasione që të bëjnë të humbasësh mendjen. Është dashuri nga ato që të rrit së brendshmi e të vë në paqe me veten. Kjo punë s’ka lidhje me asnjë punë të kryer mekanikisht. Aktori është çdo ditë në krijim, çdo ditë në vëzhgim . Të krijosh është privilegji i Zotit. Është zgjedhja më e mirë që kam bërë në jetë. Ky profesion për mua është i shenjtë. Më jep mundësinë të kem më shumë miq, më mëson si të njoh më mirë veten, jetën dhe si të jetoj më mirë mes të tjerëve.

Me se jeni marrë në Shqipëri para se të vinit në Itali?

Pa mbaruar akoma studimet në Akademinë e Arteve të bukura në Tiranë, kam nisur të punoj në teatër dhe në kinematografi, gjithashtu edhe në televizion si zë zyrtar i spoteve në Digitalb e Top Channel. Kam qenë për katër vjet dubluese me mbi 250 role dhe regjisore dublimi për filmat e animuar për fëmijë dhe për ata artistikë.

E mbani mend rolin tuaj të parë në Teatër?

Pjesa e parë teatrale ka qenë me regji të Gëzim Kames, me tekst të Ismail Kadaresë, “Stinë e mërzitshme në Olimp”. Interpretoja përkrah Timo Fllokos. Më pas vijuan të tjera si: “Goodbye dashuri”me regji të Arben Kumbaros, “Kopraci” me regji të Hervin Culit dhe luaja me Robert Ndrenikën, Yllka Mujon, Roland Trebickën,  “Gjoleka, i biri i Abazit” film nga Dhimitër Anagnosti, “Kulla e fildishtë” nga Erion Kame, “Muzikë dy”, Sonila Ulqinaku e shumë të tjerë. Pas shfaqjes “Pak më afër” me regji të Kiço Londos, përkrah Ndriçim Xhepës, Luiza Xhuvanit, u shkëputa për pak kohë nga skena shqiptare dhe u transferova në Itali. 

Që në daljet e para në skenë keni qenë krah aktorëve të mëdhenj e regjisorëve më me emër në Shqipëri. Ka qenë edhe kjo një shkollë?

Pa diskutim! Pata fatin ta nisja me profesionistët më të mirë, në çdo drejtim, regjisorë dhe partnerë. E nga të gjithë kam mësuar diçka të re profesionale. Mësova përkrah tyre të synoj lart dhe të përmirësohem në punën time. Por kam mësuar edhe që përtej profesionistit, njeh një njeri. Kam ndier se me shumë dashuri dhe përkushtim edhe idhujt mund të preken dhe mund të bëhen miqtë e tu. E të punoja me ta ndihesha me shumë fat por edhe me shumë përgjegjësi. Më duhej të punoja shumë për të mos zhgënjyer fatin dhe të gjithë ata që më dhanë besim. Kam qenë kritikja e parë e vetes sime dhe e hapur ndaj kritikave të të tjerëve. Mësova përkrah tyre të synoj lart dhe të përmirësohem në punën time.

Cilat personazhe nga ato që keni luajtur keni më për zemër?

Ndër personazhet që mbeten në zemër janë ata më të vështirët dhe sigurisht ata për të cilët të lavdërojnë se ke bërë punë të mirë. Nuk më pëlqen t’i ndaj sepse edhe ata role më pak të suksesshëm me siguri më kanë ndihmuar në rolet pasardhës. Gjithsesi si role sfidues do të përmendja Alisin tek shfaqja teatrale “Pak më afër”, vejushën Nejme tek “Gjoleka i biri i Abazit”, Kloen te “Më e vërtetë se e vërteta”, Elsën te “Amnistia”. Me një skenar apo dramaturgji të mirë, çuditërisht puna e aktorit është me e thjeshte sepse nuk ndihet dora që e ka shkruar por duke ndjekur fillin e personazhit vjen gradualisht transformimi. Sa më larg aktorit të jetë personazhi aq më e bukur është sfida për aktorin. Një aktor i mirë është gjithmonë ndryshe në rolet e tij.

Në Shqipëri konsideroheshit me të drejtë një vajzë me karrierë të pasur, me punë të bukura, me një fjalë, një person i realizuar. Ç’ju shtyu të emigronit në vitin 2006?

Në atë periudhë, Shqipëria më rrinte ngushtë mesa duket. Ëndërroja se do të bëja gjëra të mëdha nëse do të bëja një hap jashtë Shqipërisë, se ndoshta mundësitë do ishin më të mëdha. Ishte iluzioni i një bote më të mirë, i asaj bote që na ishte ndaluar e që na joshte pa e njohur. Por nga ana tjetër, ikja më ka bërë të shoh më qartë disa gjëra në Shqipëri, duke qenë se ndonjëherë nga larg duken më mirë.
Këtu jam përballuar me vështirësi, me një konkurrencë të mirëfilltë por megjithatë vazhdoj të këmbëngul e ta dua pasion e përhershëm aktrimin. Në këtë aspekt do të thosha që ikja më ka bërë më të fortë.

E jeta si emigrante si është?

Një jetë e qetë, me përgjegjësi familjare dhe sigurisht me ambicie profesionale. Vështirësia më e madhe ishte të njihesha dhe të përshtatesha me realitetin e ri, të kuptoja se si funksiononin gjërat. Tani që e njoh, vështirësia ia lë vendin durimit dhe këmbënguljes. Fati është i rëndësishëm, por nuk mund t’ia lëmë veten në dorë rastësisë, kështu që nuk ndalem së tentuari. Jeta ime këtu është një jetë mëse normale, e ndarë mes detyrash dhe dëshirash, përgjegjësish dhe arratisjesh. Jetoj në një realitet të dyfishtë mes Torinos-Romës dhe Tiranës dhe përpiqem të marr më të mirat e mundshme nga të gjitha. Në Itali kam familjen time dhe një pjesë të madhe të kohës ia kushtoj asaj.

Ç’marrëdhënie keni me prindërit, vëllezërit? Vështirësitë në mërgim kanë forcuar edhe më shumë lidhjen tuaj?

Jam shumë e lidhur me familjen. Me babin dhe mamin, të cilët i kam si shokë tashmë dhe me dy vëllezërit e mi, Eduartin dhe Ledjon. Ata janë pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Pa ta, ndihem përgjysmë. Çdo arritje, çdo sukses, pa ata nuk është i plotë. Mbaj mend kur isha e vogël, kur dëgjoja se prindërit do plakeshin një ditë, rrija pa gjumë duke menduar si të gjeja një zgjidhje që ata të mbeteshin gjithmonë të rinj. Edhe sot në këtë moshë që jam, shpesh më mundon i njëjti mendim. Do bëja gjithçka për ta. Përkrah projektimit të një jete më të mirë për vete, janë gjithmonë edhe ata. Ndoshta dukem pak si prindi i tyre, por më vjen keq që në atë kohë kur ata kanë jetuar rininë e tyre, mundësitë kanë qenë të kufizuara. Të joshur edhe ata nga një jetë jashtë Shqipërisë u bënë pjesë në përpjekjet për t’u përshtatur në një shtet me zakone, rregulla dhe psikologji tjetër. Për disa arsye mendoj se janë të kënaqur që jetojnë këtej, për disa te tjera jo. Isha unë që u bëra shkak që ata të vijnë të jetojnë këtu dhe shpesh pyes veten nëse është vërtet kjo jeta që do të dëshironin, ndoshta u kam shitur shumë iluzione për Italinë. Mendoj se jeta në mes të të huajve u bën mirë, na bën mirë sepse mësojmë të jetojmë për veten, për familjen dhe jo të varur nga opinioni si ndodh rëndom në Shqipëri.

Keni ndryshuar këto vite në Itali?

Kam mësuar të dua veten dhe të jem përgjegjëse për dëshirat e mia. Ka një kohë për të punuar, për të projektuar, por ka edhe një kohë për të shijuar ç’ke bërë. Ndonjëherë ambicia e madhe të bën të mos shijosh asgjë, të kthen në një qenie që zihet edhe me veten. Ne shqiptarët, ndonjëherë, duam gjithçka dhe menjëherë. Unë përpiqem të eci ngadalë, të mos harroj nga vij dhe se për çfarë vlejnë ato që bëj. Por nuk pushoj as së qeni ambicioze.

Keni hapur një atelie me mamanë, pasion i vjetër?

Traditë familjare dhe pasion i vjetër! Hyja fshehur të qepja në makinën e mamit që kur isha 11-12 vjeçe. Pak nga pak u kthye në një pasion, tani është një profesion i dytë. Kemi hapur diçka modeste ku mami punon dhe unë kaloj kohën kur nuk bëj aktrim. Ka të bëjë me krijimin dhe është diçka shumë çlodhëse, përveçse një vend pune.

E për t’iu kthyer profesionit, çfarë vështirësish ka një aktor i huaj në Itali?

Në fillimet e mia këtu në Itali u përballa për herë të parë me casting të mirëfilltë, duke pritur në radhë të gjata për t’u provuar për të njëjtin rol dhe kjo ishte deprimuese derisa pak nga pak e kapërceva. Kam bërë disa role të vogla në filma televizivë që nuk ia vlen as t’i përmend. Kam qenë pjesë e një dokumentari televiziv, xhiruar në Torino “Kinemaja e parë”. Disa spote nëpër revista, veshje sportive por asgjë me peshë. Konkurrenca këtu është e shumëfishtë krahasuar me atë në Shqipëri dhe një realitet i mbyllur që nuk pranon këdo. Fakti që jam e huaj është edhe ky një “mangësi” më vete, të kufizon.

E ndërsa jetoni në Itali ruani lidhjet edhe me Shqipërinë?

Lidhjet me Shqipërinë nuk i kam shkëputur kurrë por pas disa vitesh jete në Itali, kur kthehesha të dubloja në Shqipëri më thonin se ndihej theksi italian. E bukura është se edhe nëpër casting në Itali më thonin se ndihej theksi i huaj. Ndihesha gjithandej e huaj. Vendosa të punoja që të paktën të mos isha e huaj në vendin tim. Tre vjet me parë mora pjesë  në filmin “Gjallë” të Artan Minarollit, në rolin e vajzës së pishinës. Një vit më parë kisha përkthyer një pjesë teatrale dhe gjatë një bisede me një ish profesoreshën time vendosëm ta vinim në skenë. Bëhet fjalë për shfaqjen “Më e vërtetë se e vërteta”në rolin e Kloes. Rol me të cilin jam caktuar për aktoren e vitit në çmimet Kult award në Shqipëri për këtë vit. Më kënaq shumë ky rezultat sepse ishte një rol me të cilin u riktheva në teatër. Këtë vit kam punuar në dy filma me metrazh të shkurtër po këtë vit: “Zheg”me regji të Kelmend Karunit, dhe “Dyer Dyer Dyer” me regji të Kreshnik Saraçit, gjithashtu vendosëm në skenë në kuadrin e festivalit të regjisorëve të rinj “Pse nuk rri për mëngjes”nga Rozi Kostani. Kam luajtur gjithashtu edhe protagonisten, Elsën, te filmi “Amnistia” i Alimanit, film që po korr sukses qoftë në publik e qoftë në kritikë, festivale.

Luli Bitri në rolin e Elsës në filmin Amnistia
Si u lidhët me Bujar Alimanin për filmin Amnistia?

Alimani ishte i ftuar të vinte të shihte shfaqjen “Më e vërtetë se e vërteta”dhe të nesërmen më kontaktoi dhe më nisi skenarin. Ai jeton në Greqi, unë në Itali e megjithatë ramë dakord shumë shpejt dhe punuam shumë mirë bashkë.

U desh shumë punë për rolin e Elsës?

Sapo isha kthyer nga Italia në periudhën kur Alimani më besoi rolin e Elsës në filmin e tij “Amnistia”.
Përpjekja për t’u përshtatur me realitetin e Italisë kishte ndikuar tek unë. E kuptova që do të më duhej shumë punë për të krijuar atë figurë femërore. Mu desh së pari të frekuentoja zonat periferike të Tiranës ku mund të gjeja personazhet e filmit. Të njihesha me ambientet e burgut duke plotësuar pak nga pak biografinë që i bëhet një personazhi. Mjaftonte të vëzhgoje portretet e trishtuara të grave nëpër autobusë dhe nuk mund t’i harroje kurrë. Nëse përfshihesh nga ana psikologjike në jetën e atyre njerëzve, personazhi vjen vetvetiu. Pastaj ne si popull e njohim shumë mirë varfërinë, nuk është se vijmë nga luksi, prandaj për të realizuar këtë personazh më mjaftoi të shihja realitetin jashtë rrugicave të bllokut dhe të mendoja larg mentalitetit të artistëve.

A mund ta konsideroni rolin tuaj në këtë film ndër më të arrirët?

Padyshim, është roli më i plotë që unë kam luajtur në kinema. Një rol që është fat për çdo aktore. Një skenar që më ka lënë mbresa që në çastet e para që e kam lexuar. Elsa ishte një personazh i parealizuar që përpëlitej. E pastër shpirtërisht por e zënë në kurth nga fati i saj, mbart mbi shpinë gjithë hallet e familjes. E papunë, me dy fëmijë, jeton me vjehrrin dhe me një burrë që i ka përfunduar në burg. Një rol, me të cilin një aktor mund të shpërfaqë lehtësisht plasticitetin, anën psikologjike dhe shpirtërore të  tij.  Me pak fjalë aftësitë e tij aktoreske. Marrëdhënia me Alimanin ka qenë ndër më të mirat. Ai është një regjisor që nuk të imponohet, punon butë me aktorin dhe ruan gjithmonë atmosferën e ngrohtë, të domosdoshme për të krijuar. Di të intonojë jo vetëm aktorët por të gjithë stafin. Për filmin “Amnistia” është punuar me shumë përkushtim dhe me shumë dashuri. Rezultatet ishin të mrekullueshme dhe kemi ndarë kaq shumë suksese bashkë.

Ç’është suksesi?

Për mua është një sfidë e fituar. Një shpërblim i bukur për përkushtimin në punë por njëkohësisht një përgjegjësi për të mos rënë më poshtë dhe për të bërë gjithmonë punë më të mira. Kjo nuk është gjithmonë e mundur dhe ndonjëherë të çon në pesimizëm. Në këtë teh të hollë për të shkuar më tej ka rreziqe të tilla si tejngopja, dehja nga suksesi ose deliri, që janë shkatërrimi i gjithçkaje. Siç thotë Shekspiri: “Kam frikë të ngjitem shumë lart, se më merren mendtë e bie”. Gjithsesi në rastin e artistit varet nëse atë e gëzon vetja në art apo arti brenda tij dhe në varësi të kësaj, suksesi merr tjetër vlerë.

A keni ndonjë punë në dorë? Projekte për të ardhmen?

Jam duke diskutuar për një rol, por akoma nuk kam asnjë kontratë në dorë. Projektet e mia për të ardhmen varen nga realizimi i projekteve të tanishme. Ndoshta Italia s’do të jetë stacioni i fundit, ndoshta emigroj përsëri. Me keqardhje do të thosha se nëse do të kisha mundësi të rizgjidhja dhe njëherë, me siguri Italia nuk do ishte zgjedhja ime. Ndonjëherë me lodh të qenit “midis”, të qenit gjithmonë rrugëve. Më merr malli të kthehem në shtëpi edhe pse nuk e di se ku e kam shtëpinë. Të ardhmen nuk e di askush por nëse do ta mendoj si tani do të vazhdoj të jetoj midis, me gjithë çmimin e lartë që duhet të paguaj. 

Keti Biçoku, Bota Shqiptare nr 269 – 1 nëntor 2011

Beteja e Orjetës ndaj diskotekës që i ndalon hyrjen pse është shqiptare

Terrusi: “Historia tragjike e familjes sime, hakmarrje e Enver Hoxhës”