Përfundon pa të papritura numërimi i votave të hedhura dje për zgjedhjen e pasardhësit të Sali Berishës në krye të PD-së
Tiranë, 23 korrik 2013 – Lulzim Basha do të pasojë Sali Berishën në krye të Partisë Demokratike. Kështu vendosën mbi 80% e 41mijë anëtarëve të PD-së që dje votuan për të zgjedhur mes Bashës dhe Olldashit.
Olldashi: “Basha fitoi përmes një procesi tërësisht të deformuar”
Në konferencë për shtyp, jo nga selia e PD-së por nga ministria e Transporteve, kandidati Sokol Olldashi tha hapur se gara e fituar nga ana e Lulzim Bashës, ka qenë e deformuar. Ai tha se mijëra anëtarë të PD-së mbetën pa votuar, ndërkohë që mijëra persona të tjerë u regjistruan si anëtarë dy javët e fundit: “Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve”, madje shton se “Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”.
Olldashi u shpreh edhe se nuk i ka pëlqyer as fleta e numerizuar e votimit “që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit”.
Por megjithëse “përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar” ai ka siguruar se do të përfaqësojë “me gjithë energjitë militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë”.
Basha: “Do të mbështetem te pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës”
Në konferencën e shtypit të thirrur pas fitores, Basha ka thënë se gara për zgjedhjen e kreut të PD-së ka qenë dinjitoze, ka falënderuar anëtarësinë e partisë, rivalin e tij Sokol Olldashi “për kontributin e tij në këtë garë e cila dëshmoi para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të PD-së, dhe ka shprehur idenë e tij për drejtimin e ri të demokratëve: “Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, me vendosmërinë më absolute dhe me përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike, sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës. Unë do të punoj pa ndarë që Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë, të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave, shpresave dhe dëshirave të të rinjve shqiptare, gjeneratës së parë të lirisë dhe gjeneratave të tjera. Së bashku me ta kemi fituar ngaherë, së bashku me ta do t’i japim krahë fitoreve tona të ardhshme”.
Topalli: “Kryetari i ri të çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi, natyrisht përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Basha. “Në një moment të vështirë të Partisë Demokratike, demokratët u ngritën për t’i dalë zot partisë së tyre! Me pjesëmarrjen e tyre në çdo takim, gjatë dy javëve të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së, me qytetarinë dhe emancipimin e tyre, demokratët dëshmuan shpirtin e idealeve, mbi të cilat u lind dhe punoi kjo parti”, shkruan Topalli.
“Të vetëdijshëm për nevojën e ringritjes, të vendosur për t’i dalë zot asaj, në ditë të vështira, të bindur se Partia Demokratike kishte nevojë më shumë se kurrë për anëtarësinë e saj, demokratët e bënë garën një proçes emancipues, të veçantë, të civilizuar dhe demokratik. Sot, PD ka një kryetar të ri dhe uroj që ai t’i çojë sa më shpejt demokratët drejt fitores! Mirënjohje të thellë anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Demokratike për shpirtin e tyre të paepur, zemrën e tyre të madhe, besimin dhe vullnetin e fortë për t’u ringritur! “, shkruan ajo në FB.
Berisha: “Zgjedhja e Lulzim Basha në krye të PD mund të vlerësohet si një fillim i shkëlqyer”
Berisha, në një konferencë për shtyp sot në mesditë ka thënë se “zgjedhja e Lulzim Basha në krye të PD mund të vlerësohet si një fillim i shkëlqyer”. Ai ka lavdëruar kryetarin e sapozgjedhur dhe ka renditur pikat më të rëndësishme të “të riut të suksesshëm”: “Basha përfaqëson suksesin e të riut shqiptar, i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist, do të meritonte të përfaqësonte në KQZ PD-në; në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. U nis, shkoi në vende të tjera për studime, studioi në një nga universitetet më serioze të Europës. Doli i pari në gara botërore të fushës së të drejtave të njeriut. Mbi këto parametra u thirr nga Gjykata Ndërkombëtare për të kontribuar në hetimin e kryekasapit të Ballkanit dhe botës të Slobodan Milosheviçit. Ndihmoi në ndërtimin e institucioneve në Kosovë si përfaqësues i rëndësishëm i organizatave ndërkombëtare. Në PD, ai përmbushi me një vendosmëri, aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari, Rrugën e Kombit. U emërua ministër dhe atë mision e realizoi në mëmnyrë të shkëlqyer. Në krye të diplomacisë shqiptare, kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësimin në NATO”.
Gjithashtu Berisha, vlerësoi edhe ministrin aktual të Transporteve, Sokol Oldashin për rolin e tij në këtë garë. “Roli i Olldashit është shumë i madh.Olldashi është deputet i PD-së dhe çdo deputet i PD-së, ka një rol shumë të madh në parlamentin shqiptar. Beteja e fillimit të ri, kërkon një mbështetje të fuqishme, një opozitë më të fuqishm në parlamentin shqiptarë”.
Natyrisht Berisha as i përmendi problemet e nxjerra në dukje gjatë procesit të votimit: mungesa në lista e shumë prej anëtarëve të vjetër të PD-së dhe identifikimi i çdo vote psi fletët e votimit ishin me numër serie. Për të dyja këto ngriti zërin dje pas hedhjes së votës, Sokol Olldashi që pasi tregoi numrin e fletës së tij të votimit, deklaroi: “U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qenë një kontigjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është. Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90 me 10 për Sokol Olldashin”, përfundon kandidati për kreun e PD”.