Është gati-gati e pabesueshme se si një popull kaq i vogël mundet me u grishë në tryezën e Zotit me një flì aq të madhe: 38 martirë të lumë! Ndër një miliard e treqind milionë katolikë që ka sot në botë, një bashkësi prej rreth 500 mijë katolikësh nxjerr prej parzmit të saj 38 martirë. Duke parë tubën botërore të martirëve të lumturuar prej 1.038 personash, qysh prej dy mijë vjetësh historie të Kishës Katolike, mundemi të pohojmë me plot gojën se Kisha Katolike në Shqipëri është një Kishë Martire.
Nga Albert P. Nikolla
Secili prej nesh, të krishterëve, është i thirrur të jetë martir, sipas forcës së vet shpirtërore. Dhe përnjëmend, vetë Krishti e pohon se persekutimi është vetvetiu i pranishëm në jetën e të krishterit për arsyen e zgjedhjes që ka bërë: Nëse bota ju urren, ta dini se para jush më urreu mua. Po të ishit të botës, bota do t’i donte të vetët, e pasi nuk jeni të botës, ‑ pse unë ju zgjodha prej botës ‑ për këtë arsye bota ju urren. (Gj. 15, 18-19). Kjo profeci e Krishtit është bërë realitet i qenësishëm në krejt përmasat e veta me dhunimin e klerit katolik deri në gjymtimin e plotë të Kishës nën regjimin e “kmesës e sakicës”.
Me Kishë Katolike kam parasysh krejt bashkësinë e të pagëzuarve, pasi persekutimi nuk është ndalur vetëm te kleri, por zelltarët shfarosës kanë pasur për qëllim djallëzor gjymtimin e paskajshëm të krejt katolikëve, të kulturës së tyre, të historisë, të mbamendjes e sidomos të trashëgimisë së saj.
Qëndresa e ipeshkvijve, meshtarëve dhe e laikëve të persekutuar në mënyrat më çmeritëse deri në gjymtin, ka qenë me të vërtetë heroike. Kaq e shpërdorur ka qenë fjala “heroike” në ligjërimin paskomunist në Shqipëri, saqë sot kjo fjalë tingëllon paksa e rëndomtë, por qëndresa i ka kaluar tejpërtej caqet e së zakonshmes. Në agun e asaj periudhe që do të duhej të ishte liria e shqiptarëve, bash në atë ndërkohë erdhi orëzeza e filloi dhuna shtazarake kundër klerit dhe elitës katolike shqiptare.
Elita katolike në pragun e ‘45-s ishte xhixhëlluese në të gjitha aspektet kulturore, sociale e politike dhe komunistët e kishin kuptuar se ajo ishte gjalmë e madhe penguese për një regjim që do të bazohej në injorancën dhe bindjen e verbër. Për këtë arsye me të drejtë atë Zef Pllumi pohonte: Prandaj Tito dhe Stalini i thanë Enver Hoxhës: në daç pushtetin në Shqipni, do të na bâjsh kurban klerin katolik. Kjo âsht historia e vërtetë, ajo kurrë e shkrueme.
Duke parë forcën e jashtëzakonshme shpirtërore e kulturore, e për pasojë indirekte, edhe politike, të klerit dhe të elitës katolike, regjimi, përveç kërbaçit, u përpoq edhe me kulaçin. U hodh ideja e krijimit të Kishës Katolike Kombëtare Shqiptare. Prelati Imzot V. Prenushi është dënuar e torturuar deri në vdekje për mospranimin e kësaj ideje ndjellakeqe. Thirrja e përbrendshme e të qenit i krishterë katolik nuk e lejon një gjë të tillë, Kisha nuk mundet me u nda prej Atit të Shenjtë, atij që Krishti i ka dhënë për detyrë udhëheqjen e grigjës së vet. Edhe në këtë rasë vepra e klerit ishte thellësisht ungjillore duke bërë zgjedhjen e tij: mospajtimin me diktaturën. Kisha ndoqi me përpikëri këshillën e Shën Palit: Mos u zini në zgjedhë me të pafetë! Çfarë të mire të përbashkët mund të ketë drejtësia me mbrapshtinë? Ose, çka ka të përbashkët drita me terrin? Çfarë përkimi ka Krishti me Beliarin (qoftëlargun)? Ç’pjesë ka besimtari me të pafenë? (2Kor. 6, 14-15).
Dhe njëmend, dëshmitë e mbledhura mbi martirët e vërtetojnë plotësisht qëndrimin e udhëhequr prej parimeve të Ungjillit. Është e pamundur të sillen këtu të gjitha dëshmitë e martirëve, por dy prej tyre besoj se e përmbledhin krejt madhështinë e forcën e tyre shpirtërore. Dom Dedë Malaj Unë jam meshtar katolik. E atdhetar. I zvarritur këtu, pa asnjë faj para atdheut, para grigjës e, sidomos para Zotit, që ma besoi. Për një gja të vetme, po, mund të fajësohem. Jam kundër komunizmit qysh se kam marrë mend e shqise. […]…ne edhe ju të gjithë, jemi në dorë të Zotit. Që gjykon, po nuk ka forcë në botë që mund ta gjykojë!
Dom Anton Muzaj: M’i thuaj të mive, të Kishës e të shtëpisë, se jam krejt i pa faj. I vetmi faj, për të cilin ndodhem këtu, asht se e deshta fort Krishtin e të afërmin, e nuk pranova t’i tradhtoj për asnjë çast! (marrë nga Radio Vatikani. Seksioni i Gjuhës Shqipe).
Fitorja morale e martirëve nëpërmjet vdekjes është e shkruar në Shkrimet e Shenjta. Në librin e Zbulesës shkruhet: Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Por ata e mundën me fuqinë e gjakut të Qengjit dhe në saje të dëshmisë së vet: nuk deshën jetën e vet aq sa donin vdekjen. (Zb. 12, 10-12). Fitorja e Krishtit që është e pranishme në ditët e sotme nëpërmjet martirëve e ka një çmim. Kjo fitorja i reziston kohës nëpërmjet sakrificës së martirëve. Dëshmia për Krishtin përplotësohet kur përjetimi i dashurisë shkon deri në ekstrem: Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. (Gjn. 12,25).
Në Kishën e Shqipërisë së vogël e të persekutuar u krijua mundësia e paradoksit të fitores së krishterë: nëpërmjet vdekjes së ndërgjegjshme duke sakrifikuar vetveten e duke i përngjarë Krishtit, jo duke vrarë të tjerët. Pra, martirizim për hir të fesë në Zot e për hir të së vërtetës. Prej botimeve mbi persekutimin, kujdesuar nga dr. Pjetër Pepa, sinteza krejt e shkurtër e shfarosjes: prej 6 ipeshkvijsh e rreth 220 meshtarësh në 28 nëntor të 1944-s, 65 kanë vdekur martirë, 30 janë ekzekutuar, 35 janë mbytur në tortura, 64 kanë vdekur më vonë si pasojë e torturave dhe stërmundimeve në burgje e kampe përqendrimi! Veç meshtarëve, një pjesë e konsiderueshme e elitës laike katolike u ekzekutua.
Kjo dëshmi përbën një mësim dhe mesazh të madh shpirtëror përtëritës e shpresëdhënës për të krishterët katolikë, për të krishterët e kishave të tjera dhe për gjithë shqiptarët vullnetmirë kundër një aksiome ndjellazezë që përdoret fort ndër ne: Shqipëria nuk bëhet! Në një kohë kur një krizë e madhe morale paskomuniste ka kapërthyer për fyti shoqërinë shqiptare, dëshmi të tilla na japin të kuptojmë se ka përherë një mundësi për kthesë. Duhet një hov me dalë prej ligësisë e plogështisë e kjo provë e martirëve përbën motiv të fortë. Nuk është fjala për të bërë thirrje për heroizma. Kushdo, sipas hirit që i ka dhënë Zoti, mundet të bëjë hapa të sigurt e të fortë drejt së vërtetës e së mirës me gjithë dobësitë që ka karakteri i secilit prej nesh. Shembulli i tyre duhet të jetë si një musht shpirtëror, si një shkas farëzues për kapërcimin e krizës ku na ka vojtë halli.
Në këto mote, jo pa mjegull, peshë e madhe i takon laikatit për të qenë sa më i bashkuar rreth barinjëve të Kishës e sidomos për të shprehur mbështetjen për barinjtë e rinj që kanë nevojë të madhe në hapin e tyre drejt dhurimit të plotë të jetës së tyre për Krishtin. Meshtarët, e sidomos ata të rinj, përveç përgjegjësisë së paskajshme që përmban në vetvete ndjekja e Krishtit, duhet të ballafaqohen edhe me dy përgjegjësi të tjera jo fort të vogla: me përgjegjësinë që rrjedh prej sensit të krenisë që buron natyrshëm prej martirizimit dhe me përgjegjësinë prej lavdisë së pashoqe të klerit dhe elitës katolike para shfarosjes së persekutimit. Meshtarët e rinj dhe seminaristët janë si vullaja lëndore dhe shpirtërore ku vaditen filizat për të ardhmen e Kishës e duhet që përditë, laikët e angazhuar në Kishë, të dëshmojnë praninë e dashamirësinë për ta duke pasë parasysh edhe realitetin problematik shqiptar ku përmasa shpirtërorë është e vokët e “lëndorja” është kokëfortë, tunduese e pushtuese! Rrëfem se ai që shkruan këto rreshta, në rend të parë, nuk është kurrëkund me përmbushjen e këtyre detyrave, por po i shkruan këto rreshta me besimin se është udha e drejtë që duhet të ndjekim.
Është domethënës fakti se ndër 38 martirë, 5 kanë qenë laikë! Provë e një pune baritore në rend të parë me udhëheqësit shpirtërore dhe barinjtë e Kishës. Laikët, kur nuk tundohen nga krijimi i klaneve sipas simpative për meshtarë të caktuar, janë forcë plot hov në Kishë. Dasia në laikë të misionarëve apo të shqiptarëve, të qytetëruar apo fshatarë, tradicionalë apo të konvertuar, ia pret hovin rolit të madh që kanë laikët në Kishë.
Veç faktit se ndër martirët që lumnohen më 5 nëntor ka edhe disa misionarë, duhet të dimë se në kohën e përtëritjes së Kishës Katolike në Shqipëri, menjëherë pas rënies së komunizmit, nuk mund të mos përmendet kontributi i paskaj i misionarëve. Kisha është misionare. Mjafton të lexohen Veprat e Apostujve dhe Letrat e Shën Palit për të kuptuar se ungjillëzimi varet fort prej natyrës misionare të Kishës. Falënderim i madh duhet për misionarët, meshtarë, murgesha e laikë, të cilët ia ngjitën dorën Kishës së martirizuar në ditët e veta më të zeza. Me gjithë vështirësitë e mëdha për ta kuptuar kulturën tonë të ndërlikuar, ata kanë dhënë dëshminë që i krishteri nuk ka atdhè dhe njëheri është qytetar me të drejta të plota në dheun e huaj! (shih: Letrën e Dionjetit. Në fillim të Shek. II)! Nevoja për misionarë ka qenë jetike. Ajo ndërkohë ka bërë që mjaft misionarë të vinin pa përgatitjen e nevojshme të njohjes së gjuhës e të kulturës shqiptare. Por, sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin që qysh para tre shekujsh misionarët që vinin në Shqipëri e kishin për detyrë të bënin një vit kurs mbi kulturën e gjuhën shqipe, kuptohet vetiu se është e kritikueshme që sot, 25 vjet mbas rënies së komunizmit, të kemi disa misionarë që kremtojnë meshë me përkthyes! Nuk mundet të përplotësohet misioni i ungjillëzimit me përkthyes, është thjesht e pamundur!
Veç lavdeve të pa kursim që meritojnë misionarët, edhe një kritikë tjetër do të ishte me vend: ndoshta, por jo vetëm ata, kanë pasur mundësi për t’i kultivojnë me më tepër përkujdesje thirrjet e reja. Edhe familjet shqiptare kur shohin në vatrat e tyre fillimet e fryteve të një thirrjeje duhet të jenë më pranuese, mbështetëse e inkurajuese.
Në aspektin politik, në domethënien më të gjerë të kësaj fjale, kam bindjen se dëshmia e martirëve është shembulli më suprem i moskorruptimit. Shumica e akuzave ndaj martirëve kanë qenë politike, drejtazi ose tërthorazi, prandaj tragjedia e tyre nuk ka se si të mos ketë një kuptim politik për gjithë shoqërinë shqiptare e sidomos për politikën. Katolikëve iu bie barra e rëndë që t’i referohen më vullnet të fortë kësaj dëshmie të martirëve për me e vu dinjitetin e komunitetit katolik aty ku i ka hije. Sot komuniteti katolik po bën një ecje shpresëplotë drejt një ripërtëritje të vështirë pas asaj shfarosjeje qëllimkeqe. Udhëtimi është plot me pengesa për shkak të shytimit të rëndë dhe mungesës së vullnetit të politikës për mirënjohjen e rolit historik të komunitetit katolik në tharmimin e kombit e shtetit shqiptar.
Gjysmadijet dhe tendenca për të mjegulluar dëshminë e martirëve është shprehje e qartë e një bezdisjeje të politikanëve për të qëndruar kundruall kësaj sprove. Më së pakti, klasës së sotme politike i takon marrja e një vendimi simbolik politik për njohjen e mirënjohjen e martirizimit të klerit dhe të elitës katolike duke shënuar kështu edhe fillesat e një pendese për krimet e kryera në komunizëm. Sigurisht që një pjesë e madhe e politikanëve të sotëm nuk kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çka ka ndodhur në komunizëm, por nga ana morale dhe institucionale duhet bërë një hap i tillë, pasi kjo do të jepte kontribut në një proces eventual të pastrimit moral të politikës. Edhe Papa Gjon Pali II, Benedikti XVI dhe Françesku kanë kërkuar falje për gabime të kryera në të kaluarën nga Kisha, edhe pse personalisht nuk kishin asnjë faj. Ligji i një vendi shpreh ndërgjegjen morale të popullit, për pasojë pendesa për krimet e kryera është premisë që ligje vëllavrasëse të mos miratohen kurrë në kuvendin e këtij vendi e lëngata morale ta ketë jetën sa më të shkurtër. Martirizimi është një verigë e mirë ku mund të kapet politika për ta përplotësuar pendesën që i mungon.
Pendesa është një proces jo i lehtë për t’u realizuar, pasi mosvullneti për njohjen e martizirmimit, gati deri në bezdisje, është i pranishëm në të gjitha këndet e politikës. Në rastin e vizitës së Papës, ku isha i impenjuar në organizimin e saj, deri në rangjet më të larta të politikës kam dëgjuar: Na lodhën këta katolikët me persekutimin, prapë viktimizohen!
Gacat e mëkatit në ndërgjegjen e persekutorëve janë shpupurisur prej lumnimit të martirëve. Kjo dëshmi u jep flamë, u jep bezdi. Dëshmitë e të birit të Mehmet Shehut nuk na japin shumë shpresë në këtë drejtim, pasi pohonte me forcë se: komunistët nuk pendohen. Por në perspektivën e krishterë asgjë nuk është e pamundur, mjafton vullnesa e mirë, sepse mundësia e kthesës ekziston deri në dekikun e fundit të frymës.
Pse jep bezdi dëshmia e martirëve? Prej martirizimit, në të vërtetë, rrjedhin disa mësime shndritëse për një bashkëjetesë njerëzore sa më të denjë e një shtet shqiptar sa më dinjitoz e të virtytshëm. Por këto mësime mund të japin bezdi sepse prekin disa thepa të cilët shqisat e politikanëve nuk i kanë fort për qejf t’i hasin:
Së pari, zgjedhja e vetëdijshme e vdekjes përballë mundësisë për ta shpëtuar jetën me kompromis është shembulli më suprem i moskorruptimit. Në fizionominë etike të sodit në Shqipëri, shkandulli më i madh nuk është vetëm korrupsioni lëndor në vetvete, por po aq edhe justifikimi i tij moral prej një pjese të politikës e të shoqërisë. Sot nuk kërkohet të flijohemi përballë mundësisë së korruptimit, por të paktën të fillojmë kthesën, atë që feja e krishterë nuk ia mohon kurrkujt asnjëherë.
Së dyti, martirët na mësojnë se nuk jemi ne, as nuk është politika ajo që ka fjalën e fundit të drejtësisë së vërtetë në një shoqëri. Secilit politikan e qytetar i kërkohet të veprojë me drejtësi, por realizimi përmbyllës i së drejtës, në kuptimin më të gjerë të saj, i takon Provanisë Hyjnore.
Së treti, martirët me dëshminë e tyre na tregojnë se ka disa vlera të cilat nuk mund të jenë objekt pazari politik. Kur martirëve u kërkohet të mohojnë Zotin, ata u drejtohen masakruesve me fjalët: Nuk mund ta mohojmë Zotin, vëllazën. Zoti ekziston. Zoti ekziston! Na besojmë! Në shoqëritë moderne ku Shqipëria është gjendur nxitimthi e papritur, mendohet se gjithçka që i vë në punë marrëdhëniet njerëzore në shoqëri varet prej bindjeve sociale e kulturore, duke mohuar kështu rolin e Krijuesit. Në këtë mënyrë kemi shkuar drejt asaj që Z. Bauman e quan “shoqëri e lëngshme” e ku personi ndihet shpirtërisht i vetmuar megjithëse është fizikisht mes njerëzve! (shih: Z. Bauman, C. Bordoni. Stato di crisi).
Së katërti, martirizimi është udhërrëfimi më i përkryer i lirisë. Dëshmia e tyre na mëson se çka do të thotë me qenë me të vërtetë i lirë: respekti i pakushtëzuar ndaj së vërtetës. Martiri vritet sepse nuk pranon t’i gjunjëzohet një pushteti që i kërkon të veprojë kundër gjykimit të ndërgjegjes së tij morale. Martiri është i lirë përnjëmend, sepse është lirisht i vërtetë!
Impenjimi i drejtpërdrejtë në politikë, herë-herë, ka krijuar disa keqkuptime te një pjesë e komunitetit katolik, duke bërë që përfaqësimi politik të lërë shumë për të dëshiruar. Menjëherë pas rënies së komunizmit shpërtheu moda e “partive demokristane”. Edhe në ditët e sodit ka 5 a 6 parti të ashtuquajtura “demokristiane”! Asnjëra prej tyre nuk ka kurrfarë thepi mendimi që t’i përngjasë sadopak ideve politike me frymëzim të krishterë apo të cekë, qoftë edhe prej së largu, stërhollimet e teologjisë politike, së cilës nuk ia dinë as anën, e as majën. Krejt rrafsh e në tym, pa fill e pa bisht, është lëvizja e tyre politike në formë amebe.
Kur dikush i bie trokllores së gjësë publike në emër të Kishës e të parimeve demokristiane, duke mos kuptuar se çka janë, kryen disa gabime njëherazi:
së pari, sepse nën padije të plotë përdoret emri i Kishës për motive politike, ndërkohë që Kisha nuk merret kurrsesi drejtpërdrejt me politikë. Papa Bendikti XVI e sqaron krejt qartë këtë detyrim mospërfshirjeje të Kishës në politikë: Kisha nuk duhet kurrsesi të përfshihet në beteja politike (Benedetto XVI, Deus caritas est, 28);
së dyti, sepse për të marrë përsipër barrën e përfaqësimit të parimeve të Kishës duhet pikësëpari të jesh i njësuar me komunitetin pa komplekse dhe i pranuar nga Kisha si përfaqësues. Si mundet dikush të përfaqësojë një njësi e cila nuk e njeh si përfaqësues!?
së treti, një pjesë e personave që janë marrë me këtë soj partie shquhen për një këmbëngulje idhnake për të arritur qëllimet e veta. Në këtë formë sjelljeje nuk vëren askush përvujtërinë që duhet të jetë dalluese te një politikan i krishterë.
Në nahijen shqiptare, kam dyshime serioze në dobinë e një formacioni politik me emërtimin demokristian edhe në rastin kur ata që mund ta marrin përsipër i njohin fort mirë parimet politike demokristiane. Shqipëria nuk është as Itali, as Gjermani e kush e kupton fizionominë antropologjike e nuk ka ndëgjegje të molisur nuk mund t’i futet aventurave politike të gjithënduershme. Politika e sotme shqiptare ka njëfarë theksi tribal e kjo gjë përbën kundërshtì të fortë për impenjim politik demokristian. Krishterimi e refuzon krejtësisht tribalen, e tejkalon atë! Në perspektivën e krishterë nuk ka vend as për farefisni, as për grupe etnike të dallueshme si parësore, as për fshatarë apo qytetarë, as për gegë apo toskë, as për grekë apo turq, sepse: Nuk ka më: hebre ‑ grek! Nuk ka më: skllav ‑ i lirë!. …! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus! (Shën Pali. Gal. 3,28).
E njëjta gjë, në mos më keq, mund të pohohet edhe për një pjesë të atyre politikanëve me prejardhje katolike që janë pjesëtarë aktivë në partitë e mëdha politike. Një tubë prej tyre duan me ia “pa hajrin Kishës” për vota e nuk bëjnë shenjën e kryqit e as nuk marrin kungimin e shenjtë në meshë. Shpjegimi: është turp dhe dëmton laicitetin e shtetit dhe harmoninë fetare! Harmonia fetare ruhet e forcohet vetëm kur secili prej politikanëve që janë besimtarë e shpreh pa komplekse fenë e tij dhe kjo harmoni prishet atëherë kur dikush e fsheh përmasën e vet fetare për motive politike.
Një paradoks i turbullt e shoqëron shpesh veprimtarinë e tyre politike: janë të parët që ngrihen kundër ndonjë letre baritore me natyrë kritike që boton Kisha Katolike mbi çështje me rëndësi shoqërore! Kundërshtari më zelltar për të mos ia dhënë Kishës Katolike truallin e Katedrales ka qenë një politikan katolik, i cili ka mbajtur një ndër tri postet më të rëndësishme të shtetit! Kur Arqipeshkvi i Tiranës e ka pyetur se pse ky pezm e idhnim i madh kundër Kishës, ai është përgjigjur: trualli duhet për me ba sport e jo për Kisha! Për këtë politikan ishte më e rëndësishme cyrylaja e trupit se gjimnastika e shpirtit!
Veç këtyre dy sojeve të politikanëve katolikë, ekziston edhe një soj i tretë: të konvertuarit, të kthyerit në fenë e Krishtit. Nuk kam kurrfarë tagri, as unë as kurrkush veç Zotit, për të gjykuar vërtetësinë e një konvertimi. Kisha është konvertim. Pa kovertim nuk ka Kishë. Konvertimi është shndërrimi më i madh shpirtëror e moral, tronditja rrënjësore e vetë ekzistencës që mund t’i ndodhë një personi pas takimit me Krishtin. Ndër shembujt më të ndritshëm të konvertimit mund të përmendim Zakeun te Ungjilli i Lukës, Shën Palin, Shën Agostinin. Ajo çka unë e shumëkush mundet të gjykojë është veprimtaria publike e politike e të konvertuarve. Drama më e madhe e konvertimit është nëse ai ndodh për interesa politikë, për modë apo për lavdinë e dikurshme të katolikëve. Një person publik i konvertuar në katolik që mbulon një ndër pozicionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar, përgjatë tre vjetëve të fundit ka bërë një betejë publike të hapur në favor të martesave midis personave të së njëjtës gjini! Ne nuk mund të shohim çka ka shkruar Zoti në zemrën e tij, por puna e tij dëshmon sa i dyshimtë është konvertimi që ka ndodhë në të edhe mbasi uji i bekuar i ka rà në tullë të kresë! Kjo sjellje është shprehje e qartë e mungesës së koherencës, që të qenët i krishterë e kërkon me deomos.
Përveç këtyre kategorive, ekziston edhe ajo e të kriptokonvertuarve ose atyre që pohojnë se janë të pagëzuar, por nuk e bëjnë publik këtë fakt dhe nuk e përjetojnë fenë në përmasën e saj publike. Ushtrimi i fesë katolike nuk mund të jetë ekskluzivisht personal, ai ka një përmasë të domosdoshme publike. Pagëzimi është një shpallje publike e bashkimit me Kishën në emër të Atit, të Birit e Shpirtit të Shenjtë. Ushtrimi i fesë kërkon me doemos pjesëmarrjen në kremtimin e meshës së shenjtë çdo të diel. Një politikan që sot është në shërbim diplomatik, pat pohuar si pa të keq: jam pagëzuar në burg, por nuk ia kam thënë njeriu! A thua se po të merret vesh, bëhet hataja! Kësaj i thonë të kesh dëshminë e pagëzimit në rast se e lyp nevoja!
Veç murtajës së shfarosjes, komuniteti katolik duhet të ballafaqohet edhe me një kulturë disi të fshehtë antikatolike që persekutimi ka lënë pas si gjurma e zvarritjes së kërmillit. Dëshmia e intelektualit të ndritur Sami Repishti e ndriçon këtë aspekt kulturor të shytimit të Kishës: Krimineli Pandi Kristo më tha se Prengërat e Lleshërat i kemi vrarë faj e pa faj vetëm sepse ishin katolikë! Sigurisht sot antikatolicizmi nuk mund të shprehet me vrasje e masakrime, por me forma të tjera që në pamje të parë i rrëshqasin syrit.
Pas vdekjes së diktatorit E. Hoxha, partia vendosi që të botohej një libër me kujtime nga personalitetet më të rëndësishme të vendit, intelektualë e politikanë. Më ka bërë përshtypje një pjesë nga ai botim. Bëhet fjalë për dëshminë e Prokop Murrës. Gjatë vizitës së E. Hoxhës, kur ky ishte kryetar komiteti në Shkodër, Murra i tregon, ndër të tjera, për arritjet edhe në shkollat e fshatit dhe i flet për punën e mirë të një mësuesi që kishte ngritur një laborator mjaft të mirë në një shkollë. Shoku Enver kënaqet shumë nga fjalët e mira. Mirëpo kur P. Murra i përmend emrin e mësuesit, Shoku Enver vrenjtet papritur! P. Murra në fillim nuk kupton çfarë po ndodh. Vetëm më vonë, kur E. Hoxha i thotë: kujdes, nga emri kuptova se është katolik, Murra e kuptoi pse u vrenjt Enveri!
Kultura antikatolike mund të shihet edhe te promovimi, hera-herës nga të dy krahët e politikës, i një përfaqësimi qesharak të ndonjë politikani katolik në kuvend.
Çka shkrova më lart nuk e mohon faktin se kroi i ushqimit shpirtëror të martirëve nuk pran së gurgulluari ujin për të ushqyer shpirtin e etur të komunitetit katolik që të jetë aty ku i ka hije! Gjymtimi komunist ka mundur të veprojë vetëm mbi trupin e martirëve pa mundur të cekë palcën e shpirtit që është si fara e ruajtur e Ungjillit: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt. (Gjn. 12, 24).
Tertuliani, një ndër Etërit e Kishës Katolike, thoshte se “gjaku i martirëve është fara e të krishterëve”. Pa kurrfarë mëdyshjeje kjo farë i ka dhënë pa pushim frytet e saj, edhe kur dhuna e ushtruar mbi të ka qenë e përbindshme dhe e menduar deri në detajet më diabolike në të keqen e vet. Dëshmia e tyre kërkon shpagim moral. Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë mbi banorët e tokës? (Zb. 6,10)
“Ma shumë dritë” – bzani Imzot V. Prenushi kur ishte duke dhënë shpirt. E përnjëmend dritë e pambaruar është dëshmia e tyre. E në fund po e mbyll me fjalët e Koliqit: Pà veprën dritë-përhapëse t’inteltualvet të njimendët, nji komb âsht si i verbti mbi nji udhë plot gropa e çarravìna të rrezikshme. (Mapo)
In italiano:
Martiri albanesi, la loro testimonianza per uscire dall’attuale crisi morale