in

Mafia, sfida ndaj shtetit

Mistere italiane nga Massimo Canario*

Më 23 maj 1992, ndërsa shumë njerëzve të famshëm vazhdojnë t’u arrijnë fletëthirrje për gjyq e nisin arrestimet e para të bujshme, dhe ndërsa partitë nuk arrijnë të gjejnë me mirëkuptim pasardhësin e Francesco Cossiga-s, në autostradën që nga Punta Raisi çon për në Palermo vritet gjykatësi Giovanni Falcone së bashku me të shoqen Francesca Morvillo dhe agjentët e truprojës Antonio Montinaro, Vito Schifani e Rocco Di Cillo: një bombë e vënë nën një mbikalim shpërthen në çastin e kalimit të veturave duke transformuar një pjesë të Sicilisë në Bejrutin e viteve tetëdhjetë

Përkufizimi i mafies nga fjalori De Mauro: “organizatë e gjerë klandestine e natyrës kriminale, lindur në Sicili në shek. XIX dhe zhvilluar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, veprimtaria e së cilës qëndron tradicionalisht në sigurimin e fitimeve të paligjshme përmes shantazheve dhe shtypjeve të çdo lloji dhe veçanërisht në detyrimin e dhunshëm të ndërmarrjeve bujqësore, tregtare dhe sipërmarrëse t’i paguajnë kontribute të detyruara”.

Shtrirje e kuptimit: “grup personash të lidhur ngushtë mes tyre për të arritur, me rrugë të ligjshme apo të paligjshme, avantazhe të caktuara dhe për të mbrojtur me çdo mjet interesat e kategorisë së vet”.

Ky është përkufizimi që mund të gjejmë për fjalën mafia në fjalorin italian të Tullio De Mauros; përkufizimi mund të jetë edhe i saktë, ajo që mungon është se në Italinë e pasluftës dhe kryesisht në atë të viteve tetëdhjetë dhe të viteve të para nëntëdhjetë, Mafia ka dashur të thotë vdekje, shkatërrim dhe terror, deri sa shëmbëllente thuajse si një shtet në brendësi të shtetit, një kundërfuqi e aftë të vendoste rregullat e lojës dhe të pretendonte respektimin e tyre.

19 korriku 1992 ishte ditë e diel: lajmi që pasdite arriti nga Palermo ishte nga ata që mund të kallin në dëshpërim një vend të tërë: gjykatësi Paolo Borsellino dhe njerëzit e truprojës së tij ishin vrarë me një autobombë.

Në fakt, muajt e parë të vitit 1992 nuk premtojnë optimizëm: të lihej përshtypja se shteti po shkërmoqej nën goditjet e mafies dhe për shkak të korrupsionit të klasës politike që pool-i i Milanos po niste të nxirrte në dritë; për më tepër, zgjedhjet politike të prillit kishin sjellë konfirmimin e një force të re politike, Lega lombarde ( që më vonë do të bëhej Lega Nord), separatiste dhe raciste e hapur, pikërisht në çastin kur nga Jugosllavia e afërt po shiheshin shenjat e para të asaj që do të jetë një nga luftërat civile më gjakatare të viteve të fundit.

Le të kujtojmë ndonjë datë nga ata muaj të parë të vitit 1992:

– më 17 shkurt në Milano arrestohet presidenti i Pio albergo Trivulzio, Mario Chiesa, i PSI-së ndërsa merrte ryshfete; më 23 mars do të nisë të bashkëpunojë me gjykatësit: është fillimi i atij hetimi gjyqësor që do të njihet me emrin Tangentopoli dhe që do të shënojë fundin e republikës së parë

– më 12 mars në Palermo vritet Salvo Lima, politikan i fuqishëm demokristian, njeriu i besuar i Giulio Andreottit në Sicili

– më 5 prill janë zgjedhjet: Lega lombarde, e pranishme vetëm në Veri, kapërcen 8% të votave në shkallë kombëtare, si në Dhomën e Deputetëve ashtu edhe në Senat

– më 25 prill Cossiga jep dorëheqjen nga President i Republikës

– më 1 maj fillojnë lajmërimet gjyqësore e jashtëzakonshme: marrësit e parë janë dy ish kryebashkiakë të Milanos, që të dy socialistë: Paolo Pillitteri, kunat i Bettino Craxit, dhe Carlo Tognoli

– më 23 maj, ndërsa shumë njerëzve të famshëm vazhdojnë t’u arrijnë fletëthirrje për gjyq e nisin arrestimet e para të bujshme, dhe ndërsa partitë nuk arrijnë të gjejnë me mirëkuptim pasardhësin e Francesco Cossiga-s, në autostradën që nga Punta Raisi çon për në Palermo vritet gjykatësi Giovanni Falcone së bashku me të shoqen Francesca Morvillo dhe agjentët e truprojës Antonio Montinaro, Vito Schifani e Rocco Di Cillo: një bombë e vënë nën një mbikalim shpërthen në çastin e kalimit të veturave duke transformuar një pjesë të Sicilisë në Bejrutin e viteve tetëdhjetë

– më 25 maj, në valën e emocioneve për çka ndodhi në Palermo, Oscar Luigi Scalfaro zgjidhet President i Republikës

– më 28 qershor krijohet e para qeveri Amato: është akoma një pesëparti me shumicë shumë të ngushtë

– më 14 korrik Gianni De Michelis, ish ministër i Jashtëm, merr fletëthirrjen e parë për gjyq

Kjo ishte Italia e korrikut 1992. Po kush ishte Paolo Borsellino?

Lindur në Palermo në vitin 1940 nga një familje në gjendje të mirë, në vitin 1959 regjistrohet në fakultetin e drejtësisë në universitetin e qytetit të tij dhe diplomohet në vitin 1962 me maksimumin e notave (110 e lode); në vitin e pasrendës, në moshën 23-vjeçare, fiton konkursin për gjyqtar. Vitet e para i kalon në prokurori të ndryshme siciliane; në vitin 1975 vendoset në Palermo dhe nis të punojë përkrah Rocco Chinnici-t, një nga gjyqtarët e shumtë që do të shohë të bjerë viktimë e mafies; fillon të merret me mafien dhe në vitin 1980 pas arrestimeve të para i jepen agjentë truproje.

Nën udhëheqjen dhe falë intuitës së Chinnici-t lind pool-i, grupi antimafie që do të koordinojë të gjitha hetimet dhe që do të ndryshojë me rrënjë mënyrën e luftimit të dukurisë kriminale; në të do të punojnë gjyqtarë si Borsellino, Falcone, Di Lello e Ajala; do të jenë vite fitoresh të mëdha dhe zhgënjimesh e vuajtjesh, veçanërisht kur, e do të ndodhë shpesh, do t’u duhet të qajnë miq e kolegë, por edhe kur do t’u duhet të ndeshen me murin e gomës që duket se përshkon një pjesë të institucioneve. Ndër të parët që bien nën goditjet e mafies do të jenë gjykatësi Cesare Terranova dhe truproja e tij, marshalli i policisë Lenin Mancuso, vrarë më 25 shtator 1979; kapiteni i karabinierëve Emanuele Basile, që bashkëpunon me Borsellinon nga viti 1975, vrarë më 4 maj 1980.

Lista e vrasjeve të atyre viteve do të ishte tepër e gjatë: politikanë, njerëz të forcave të rendit, përfaqësues të drejtësisë, kushdo që u pret rrugën mafiozëve vë në rrezik jetën. Më 30 prill të vitit 1982 vritet kryetari i PCI për Sicilian, Pio La Torre; vendoset të dërgohet si i plotfuqishëm në Sicili gjenerali Carlo Alberto Dalla Chiesa, që sapo kishte arritur suksese të shkëlqyera kundër terrorizmit; gjenerali shpresonte të sillte në Sicili sisteme dhe metoda të përdorura kundër Brigadave të kuqe (Brigate Rosse); do ta kuptojë shumë shpejt që është i vetëm dhe më 2 shtator të të njëjtit vit, vetëm pas tre muajsh nga ardhja e tij, do të masakrohet bashkë të shoqen e re, Setti Carraro, ndërsa ktheheshin në shtëpi pa truprojë.

Për Paolo Borsellinon dhe Giovanni Falconen janë çaste shumë të vështira: më 29 korrik 1983 një autobombëvret Rocco Chinnici-n, dy nga agjentët e truprojës së tij dhe portierin e një godine. Po të provohet të shfletohet një kronologji e atyre viteve mbetesh pa frymë nga numri i vrasjeve që pasojnë njëra-tjetrën në Sicili.

Por puna vazhdon për Borsellinon dhe pool-in e tij: në vend të Chinnici-t vihet Antonino Caponnetto dhe rezultatet e para fillojnë të duken: më 1984 arrestohet Vito Ciancimino, ish kryebashkiak demokristian i Palermos; por viti 1984 është mbi të gjitha viti i të penduarit të parë të rëndësishëm të mafies: Tommaso Buscetta u tregon gjyqtarëve strukturën dhe lidhjet politike e institucionale të Cosa Nostra-s. Mbi fjalët e tij përfaqësuesit e drejtësisë do të ndërtojnë të parin maksiproces gjyqësor kundër bandave mafioze; por klima vazhdon të jetë e rëndë, vazhdojnë vrasjet e vdekjet, vihen në qarkullim fjalë kundër përfaqësuesve të drejtësisë sikur këta abuzojnë me truprojën duke vënë në rrezik jetë të pafajshmish. Paolo Borsellino kërkon dhe ia arrin të shkojë të drejtojë prokurorinë e Marsalës, ku do të qëndrojë nga 1986 deri më 1991 dhe ku, së bashku me Falconen që qëndron në Palermo, do të arrijë rezultate të mëdha.

Më 1987 Caponnetto largohet nga pool-i për arsye shëndeti; zgjedhja më e mirë për t’i dhënë vazhdimësi punës do të ishte zëvendësimi i tij me Giovanni Falconen, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën presione politike dhe me pretekstin e vjetërsisë më të madhe në punë, vendos të emërojë Antonino Mele.

Fillon një erë e re: gjyqtarët që ishin dhënë me mish e me shpirt pas punës ndjehen të izoluar, sulmet personale vazhdojnë me ritme frenetike, përhapen fjalë pa asnjë bazë për qëllime të supozuara politike të Falcones e Borsellinos. Ndërkohë, i pari vendos të pranojë një detyrë të re në Romë, si drejtor i çështjeve penale: është i bindur se, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me politikanët, fjala e tij mund të ketë vlerë për një projekt që ka shumë për zemër: krijimin e një superprokure antimafie; edhe Borsellino merr zemër dhe vendos të kthehet në Palermo: me të vijnë në prokurori zëvendës-prokurori Ingroia dhe marshalli Canale.

Në Romë vendoset të ngrihet Superprokuroria dhe kandidaturat e forta për drejtimin e saj janë dy: ajo e Falcones dhe ajo e Agostino Cordova. Borsellino, edhe pse nuk kishte qenë shumë dakord me zgjedhjen e mikut për t’u transferuar në kryeqytet, e mbështet atë plotësisht, në të gjitha mënyrat, me ndërhyrje dhe deklarata publike. Në maj duket se Falcone i ka të gjitha shanset të bëhet super prokuror, por më 23 të të njëjtit muaj, ndërsa ishte në Palermo, një bombë mbi autostradën e Capaci-t i jep fund karrierës dhe jetës së tij.

Borsellino është i drobitur por jo i mundur. I ofrojnë kandidaturën e mikut, por refuzon. Dëshiron të qëndrojë në Palermo dhe të japë kontributin e tij me të gjitha mënyrat për të zbuluar vrasësit e Falcones. Një muaj pas atentatit, duke marrë pjesë në një debat për mikun e tij do të thotë: “|Pse nuk iku, pse e pranoi këtë situatë të tmerrshme? Nga dashuria. Jeta e tij ka qenë një akt dashurie ndaj këtij qyteti, ndaj kësaj toke që e lindi dhe e rriti. Sepse, nëse dashuri do të thotë, mbi të gjitha dhe kryesisht, të japësh, për Falconen, dashuria për Palermon dhe njerëzit e saj ka nënkuptuar gjithnjë të japësh diçka, gjithçka ishte e mundur të jepje nga forcat tona morale, intelektuale dhe profesionale për ta përmirësuar këtë qytet dhe atdheun të cilit i takon… Kanë vdekur të gjithë për ne, për të padrejtët, u kemi atyre një borxh të madh dhe duhet t’ua shlyejmë, duke vazhduar veprën e tyre… duke i treguar vetës dhe botës që Falcone është gjallë”.

Fatkeqësisht nuk do ta ketë të mundur: më 19 korrik në Palermo, në rrugën D’Amelio një autobombë vret gjykatësin Paolo Borsellino dhe njerëzit e truprojës së tij: Agostino Catalano, Walter Cusina, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Claudio Traina.

Lidhja me vdekjen ka qenë gjithnjë e pranishme në jetën e këtij shërbyesi të jashtëzakonshëm të shtetit: ka parë të bien një nga një shumë miq e kolegë, por megjithatë, apo ndoshta pikërisht për këtë arsye, shpesh bënte shaka me Falconen me atë çka duhet t’u shkruanin në nekrologji në rast se njëri prej tyre binte nën goditjet e mafies.

Por Borsellino është i vetëdijshëm, dhe me të drejtë, që ka kryer gjithnjë, deri në fund, detyrën e tij; e vetmja gjë që e shqetëson vërtet, i fut ankthin, është dëshpërimi që do të binte mbi familjarët e tij. Përpara atentatit që i mori jetën kishte shkruar: “Nuk jam as hero as kamikaz, vetëm një person si shumë të tjerë. I trembem fundit sepse e shoh si një gjë të mistershme, nuk di ç’do të ndodhë në botën e përtejme. Por e rëndësishme është që guximi të fitojë mbi të tjera ndjenja… Po të mos ishte për dhimbjen që më jep largimi nga familja ime, mund edhe të vdisja i qetë”.

Vetëm pesë muaj pas vrasjes së Paolo Borsellinos duket sikur gjërat më në fund ndryshojnë: rinisin hetimet dhe arrestimet. Më i bujshmi, më 15 janar 1993, është arrestimi i kreut të Korleonezëve, familjes mafioze më në zë të asaj periudhe, Toto Riinës, që ishte edhe njeriu i atentateve më mizore të viteve pararendëse.

Por mafia nuk dorëzohet: një seri atentatesh mes majit dhe korrikut të të njëjtit vit të lënë të kuptosh që rruga do të jetë ende e gjatë: më 15 maj një bombë shpërthen në Romë, në rrugën Fauro, teksa kalon makina e Maurizio Costanzos, që duhet të ishte edhe viktima pasi gazetari, pas atentateve të Capaci-t dhe rrugës D’Amelio, ishte përpjekur shumë, me aq sa mundej, në luftën kundër mafies. Më 27 maj në Firenze, një autobombë në rrugën Georgofili shkaktoi vdekjen e pesë personave, Dino Capolicchio, Angela Fiume, Fabrizio Nencioni dhe të dy fëmijëve të këtyre të fundit, Nadia 9-vjeçare dhe Caterina 50-ditëshe, dhe mëse 40 të plagosur. Natën mes 27 dhe 28 korrikut shpërthejnë njëkohësisht dy autobomba, një në Romë (shkakton 20 të plagosur) dhe një në Milano (5 të vdekur), ndërsa në pallatin Chigi të qeverisë verifikohet një black out telefonik (teksa zhvillohet mbledhja e Komitetit për rendin dhe sigurinë) që bllokon komunikimin mes Kryeministrit dhe Komandës së përgjithshme të Karabinierëve. Në Milano vdesin zjarrfikësit Carlo Lacatena, Stefano Picerno, Sergio Pasotto, polici bashkiak Alessandro Ferrari dhe emigranti maroken Driss Moussafir. Në Romë dëmtohet rëndë kisha e San Giorgio in Velabro, dhe me një bombë të dytë, Bazilika e San Giovanni in Laterano. Të gjithë këto atentate duken si një paralajmërim që mafia u çon institucioneve.

Që atëherë kanë kaluar vite; mafia si një lumë karstik ka zënë pozita më të ulëta. Tashmë ka mbyllur epokën e atentateve të bujshme dhe ka rimarrë punën e saj nën rrogoz, por, pa dyshim, ajo ende nuk është mundur.

Massimo Canario, korrik 2005

*Kohë më parë, për disa numra rresht, “Bota shqiptare” ka bërë një udhëtim nëpër misteret e Italisë së pasluftës. Artikujt e përgatitur posaçërisht për lexuesin tonë nga historiani i ri italian Massimo Canario kanë trajtuar disa nga pikat më të nxehta (e shpesh të mistershme) të historisë politike, shoqërore dhe ekonomike të Italisë moderne. Shumë nga këta artikuj mbeten njësoj të vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ndaj kemi zgjedhur t’i ribotojmë në shqiptariiitalisë.com.

 

Edmond Godo, un albanese in corsa per il Primo Municipio di Roma

Përkujtohet 40-vjetori i revoltës së Spaçit