in

Magdi Cristiano Allam, më katolik se Papa

“Kisha e dobët me Islamin dhe zemërgjerë me emigrantët. Do ta lë”. Lideri i “Io amo l’Italia” prishet me Kishën Katolike. “Për shkak të relativizmit të saj  fetar Europa do të përfundojë e nënshtruar”

Romë, 25 mars 2013 – Papa Françesku dëshiron të ngrejë ura e të intensifikojë dialogun me myslimanët? Për Magdi Cristiano Allam është e tepruar: “Do të largohem nga kjo Kishë”. Gazetari me origjinë egjiptiane, themelues i partisë “Io amo l’Italia” i kishte dedikuar Islamit një pjesë të mirë të programit të tij elektoral në zgjedhjet e fundit politike (dhe me vetëm 0,13% në Senat e 0,12% në Dhomën e Deputetëve nuk arriti në ketë as edhe një parlamentar). Jo vetëm duke u deklaruar kundër ndërtimit të xhamive të reja, por edhe duke e përkufizuar “të papajtueshme me qytetërimin tonë” fenë myslimane që ka mbi një miliard besimtarë në mbarë botën.

Sot, në faqen e parë të Il Giornale, shkruan: “Konvertimin tim në katolik, i bërë falë Benediktit XVI natën e Vigjiljes së Pashkëve më 22 mars 2008, e konsideroj të përfunduar pikërisht tani që mori fund papati i tij”. Dhe shpjegon: “Ajo çka më shumë se të gjitha më ka larguar nga Kisha është relativizmi fetar e në veçanti ligjërimi i islamit si besim i vërtetë fetar, i Allahut si Zot i vërtetë, i Muhametit si profet i vërtetë, i Kuranit si tekst i shenjtë, i xhamive si vende fetare”.

Allam e përkufizon “çmenduri vetëvrasëse autentike faktin që Gjon Pali II shkoi deri aty sa puthi Kuranin më 14 maj 1999, që Benedikti XVI mbështeti dorën mbi Kuran duke u lutur në drejtim të Mekës brenda Xhamisë Blu në Stamboll më 30 nëntor 2006, ndërsa Françesku, papë prej pak ditëve ka ekzaltuar myslimanët që “adhurojnë një Zot të vetëm, të gjallë e të mëshirshëm. Ndërsa unë jam i bindur që, edhe pse në respekt të myslimanëve si mbartës të të drejtave themelore të individit të jetës, dinjitetit dhe lirisë, Islami është një ideologji në thelb e dhunshme ashtu siç ka qenë historikisht konfliktuale në gjirin e vet e luftarake me botën jashtë”.

Sipas liderit të “Io amo l’Italia”, “Europa do të përfundojë e nënshtruar ndaj Islamit”, nëse nuk do të ketë kthjelltësinë dhe guximin të padisë papajtueshmërinë e Islamit me qytetërimin tonë dhe të drejtat themelore të individit, nëse nuk do të nxjerrë të jashtëligjshëm Kuranin si apologji të urrejtjes, të dhunës e të vdekjes ndaj jo-myslimanëve, nëse nuk do të dënojë Sharia-n si krim ndaj humanitetit pasi predikon dhe praktikon dhunimin e shenjtërisë së jetës së të gjithëve, e dinjitetit të barabartë mes burrave dhe grave”. Së fundi, “nëse nuk do të bllokojë përhapjen e xhamive”.

Jam kundër – shton Magdi Cristiano Allam – zemërgjerësisë (buonismo) që po e çon Kishën të bëhet mbrojtësja më e lartë e emigrantëve, përfshirë dhe veçanërisht klandestinë. Unë jam për mikpritjen me rregulla e rregulli i parë është që në Itali duhet të garantojmë para të gjithash të mirën e italianëve, duke aplikuar drejt thirrjen e Krishtit “duaje tjetrin njësoj si veten”. Dhe premton: “Do të vazhdoj të shkoj përpara me shpatullat drejt e kokën lart për të dhënë kontributin tim për rilindjen e vlerave dhe të identitetit të italianëve”.

E.P. Stranieriinitalia.it

Shtetësia italiane. Chaouki e Kyenge paraqesin reformën për brezat e dytë

Punonjësit sezonalë. Botohet në Gazetë Zyrtare dekreti i flukseve për 30 mijë hyrje