in

Shtetësia italiane. Chaouki e Kyenge paraqesin reformën për brezat e dytë

Italianët e rinj të PD-së firmosin një propozim ligji bashkë me kolegët Bersani dhe Speranza. Chaouki: “Tani dialog me të gjithë, Parlamentarët e kësaj legjislature janë të rinj të rritur në Italinë multikulturore”

Romë, 25 mars 2013 – Reforma e shtetësisë është tashmë në Parlament dhe u premton fëmijëve të emigrantëve të bëhen, menjëherë me ligj, shtetas italianë.

Më 21 mars është depozituar në Dhomën e Deputetëve propozimi i ligjit “Dispozita në çështjen e marrjes së shtetësisë italiane”. E kanë nënshkruar Khalid Chaouki e Cécile Kyenge, italianët e rinj të çuar në Parlament nga Partia Demokratike, bashkë me sekretarin Pierluigi Bersani e kryetarin e grupit PD Roberto Speranza.

Propozimi

Pikat kryesore të propozimit ishin parathënë nga PD javën e shkuar. Duke i sintetizuar në maksimum: është italian kush lind në Itali nga prindër rezidentë të rregullt prej të paktën pesë vjetësh, ose kush mbërrin këtu me moshë nën dhjetë vjeç dhe përfundon një cikël shkollor (filloren, tetëvjeçaren, ose të mesmen) apo një shkollë formimi profesional.

Deklarata për marrjen e shtetësisë nënshkruhet nga prindërit, bashkë me angazhimin se do të edukojnë fëmijën në respekt të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve italiane. Nëse prindërit nuk zgjedhin këtë rrugë, fëmijët mund ta bëjnë vetë, me të mbushur 18 vjeç, ashtu siç mund edhe të heqin dorë nga shtetësia italiane, nëse e janë edhe një tjetër.

Një normë kalimtare është menduar për të shpëtuar brezat e dytë “të vjetër” (pra për të gjithë ata për të cilët reforma arrin vonë). Në fakt ligji i ri aplikohet edhe për ata që kanë lindur në Itali apo që kanë mbërritur këtu nën dhjetë vjeç para hyrjes në fuqi, dhe kjo gjë do t’u jepte një mundësi një pjese të mirë të një milion bijve të emigrantëve që jetojnë tashmë në Itali.

Chaouki: “Dialog me të gjithë”

Etiketa “reformë PD-së” i rri ngushtë këtij propozimi dhe nuk është e rastësishme që tre nenet që e përbëjnë nuk dolën nga një mbledhje e Këshillit të Ministrave, siç kishte paralajmëruar edhe vetë Bersani në fushatë elektorale. “Kemi zgjedhur rrugën parlamentare sepse në këtë çast e veçanërisht mbi këtë temë është e udhës të hapim dialogun me të gjitha forcat politike e të kërkojmë mbështetje sa më të gjerë të mundshme” thotë për stranieriinitalia.it Khalid Chaouki.

Chaouki, që edhe vetë është bir emigrantësh marokenë, beson në një mbështetje transversale. “Ky është një parlament plot me të rinj të rritur në një Itali multikulturore, që mund të përballen me temën e shtetësisë pa paragjykimet e atyre që në të shkuarën e kanë kthyer në një pikë ndeshjeje mbi baza ideologjike. Gjatë ditëve të ardhshme, sapo të ngrihen komisionet parlamentare, do të kërkojmë bashkëbisedimin me të gjithë” këmbëngul.

Fakti që kreu i Dhomës së Deputetëve është Laura Boldrini, që pikërisht dje theksoi rëndësinë e reformës, mund të jetë një ndihmë e rëndësishme. “Besojmë në ndjeshmërinë e saj ndaj kësaj teme – përfundon deputeti Chaouki – jemi të sigurt që do të ofrojë mbështetje konkrete në betejën e brezave të dytë”.

Elvio Pasca

Shkarko

Propozim ligji. “Dispozita në çështjen e marrjes së shtetësisë italiane”. Me iniciativë të deputetëve Bersani, Chaouki, Kyenge dhe Speranza (në italisht)

Shoqatat ONLUS. Hapen regjistrimet për të marrë 5 për 1000

Magdi Cristiano Allam, më katolik se Papa