in

Manovra ekonomike. Shkurtim i pensioneve të nuseve-badante

Një bocë e manovrës së ministrit Tremonti redukton ndjeshëm pensionin pas vdekjes së burrit që u shkon të rejave të martuara me një të moshuar. Sa më pak ka zgjatur martesa, aq më pak para do të marrin

Romë, 28 qershor 2011 – Vështirë të parashikosh se çfarë do të përmbajë manovra ekonomike prej 40 miliardë eurosh që po përgatitet (e për të cilën po zihen) në qeveri. Ndërkaq, në projektin e përgatitur nga ministri i Ekonomisë Tremonti bie në sy një normë që parashikon reduktimin e pensionit të pas-vdekjes (pensione di reversibilità) që marrin vejushat e reja të burrave të moshuar.

Nga 1 janari 2012, lexohet në tekstin e vënë në qarkullim nga agjencitë e shtypit, pensioni  i bashkëshortit të vdekur, “në rastet kur martesa me personin që ka vdekur është lidhur kur ky ka qenë mbi 70 vjeç, ka zgjatur më pak se 10 vjet dhe diferenca e moshës mes bashkëshortëve është mbi 20 vjet, pensioni  i bashkëshortit të vdekur reduktohet me 10% për çdo vit më pak se dhjetë çifti ka gëzuar jetën së bashku”.

Le ta sqarojmë me një shembull. Silvio 75 vjeç, është martuar me Renatën 43vjeçare dhe pas dy vjetësh martesë ndërron jetë. Nëse me ligjin aktual Renata do të kishte të drejtën e një pensioni pas-vdekjeje prej 1.000 eurosh në muaj, me modifikimin e ligjit sipas Tremontit asaj do t’i takonte vetëm 200 euro pension. Pra 80% më pak, përqindje që i shkurtohet pensionit për shkak se çiftit i kanë munguar 8 vjet për të festuar dhjetëvjetorin e martesës.

Kjo normë është menduar për shkak të martesave gjithnjë e më të shpeshta të moshuarve italianë dhe të rejave të huaja, që shpesh janë edhe kujdestaret e tyre: tashmë numërohen rreth tremijë martesa të tilla në vit, sipas një

Studimi të fundit të shoqatës së avokatëve italianë të çështjeve martesore. Një realitet që, duke lënë mënjanë motivet që shtyjnë çiftin të lidhë martesë (dashuri e vërtetë? Interes i pastër? Mirënjohje e gjyshit ndaj zonjushës që i shërben?), rëndon në arkat e institutit të sigurimeve shoqërore, i detyruar t’u paguajë pensionin për dhjetëvjeçarë të tërë vejushave të reja.

Në të vërtetë, në parlament po punohet prej kohësh për të shtrënguar pensionet e pas-vdekjes. Dhe vështirë se propozimi i Tremontit do të hasë ndonjë kundërshtim mes kolegëve të tij të qeverisë.

Elvio Pasca

Alban Ikonomi presenta a Udine il suo “Romanzo Breve”

Nove corti kosovari al Genova Film Festival