in

Marrëveshja e integrimit. Nga 10 marsi nisin verifikimet e para për lejeqëndrimin me pikë

Mbushen dy vjet nga ardhja në fuqi e Marrëveshjes së integrimit dhe sistemit të pikëve për të drejtën e qëndrimit në Itali. Nga 10 marsi Sporteli unik për imigracionin do të marrë në shqyrtim dokumentet e paraqitura nga i huaji ose, në mungesë të dokumenteve, do t’i bëjë atij një test për të parë nëse ai e meriton të qëndrojë akoma në Itali

Romë, 14 shkurt 2014 – “Marrëveshje integrimi”, “Lejeqëndrimi me pikë”. Janë konceptet me të cilat u njohëm për herë të parë në vitin 2009 falë një pakete sigurie të ministrit të Brendshëm të asokohe Roberto Maroni.

Në të vërtetë u deshën tre vjet që “marrëveshja e integrimit” të hynte në fuqi e si përfundim, nga 10 marsi 2012, kush hyn në Itali nënshkruan një marrëveshje me shtetin në të cilën zotohet se do të sillet mirë, do të çojë bijtë në shkollë, do të mësojë italishten dhe edukatën qytetare etj. Me pak fjalë të bëjë atë që italianët nuk duan të bëjnë më: “të jetë shtetas shembullor”, do të bënte shaka Roberto Benigni.

Tani kanë kaluar dy vjet e ka ardhur koha që të parët që nënshkruan marrëveshjen të merren në “provim” apo t’u shqyrtohen dokumentet për të parë nëse e meritojnë të vazhdojnë të qëndrojnë në Itali apo jo. E nuk po bëjmë shaka…

Me pak fjalë, ligji parashikon që kur mbërrin të huajit “i dhurohen” 16 pikë. Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes Sporteli unik për imigracionin të marrë në shqyrtim dokumentet e paraqitura nga i huaji (certifikata që dëshmojnë ndjekje kursesh apo shkolle) ose, në mungesë të dokumenteve, do t’i bëjë atij një test. Qoftë testi, qoftë shqyrtimi i dokumentacionit do të përfundojë me një shumë pikësh. Nëse i huaji mbledh të paktën 30 pikë, marrëveshja konsiderohet e respektuar dhe e mbyllur, nëse i huaji ka nga 1 deri në 29 pikë konsiderohet “i mbetur në klasë” dhe i jepet një vit tjetër për përmbushjen e marrëveshjes dhe nëse nuk ka asnjë pikë të huajit i jepet dekreti i dëbimit.

Nga 10 marsi i ardhshëm nisin verifikimet e para dhe ministria e brendshme u ka nisur prefekturave tashmë prefekturave një qarkore me udhëzimet se si duhet të veprojnë.

Para së gjithash në qarkore kujtohet se Teksti unik për imigracionin përjashton, në rast mospërmbushjeje të Marrëveshjes së integrimit, aplikimin e masës së heqjes së lejes së qëndrimit dhe të dëbimit ndaj “të huajve me leje qëndrimi për azil, për kërkim azili, për mbrojtje humanitare, për motive familjare, leje qëndrimi si familjar i një shtetasi evropian, lejeqëndrimi të marrë me bashkim familjar, apo leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë”. Për këtë arsye, qarkorja vë në dukje se ndaj “nënshkruesve të marrëveshjes së integrimit që kanë lejeqëndrimi për motive familjare apo për të cilët është lëshuar nulla-osta për bashkim famijar” është e kotë që Sportelet Unike të verifikojnë nëse ata përmbushin apo jo kriteret e marrëveshjes, ndaj “këto praktika do të mbyllen automatikisht nga sistemi me thënien ‘Mbyllur për përjashtim nga verifikimi’”. Në fakt, nga llogaria e bërë nga ministria e Brendshme, ndër 66 mijë marrëveshjet e nënshkruara gjatë vitit 2012, vetëm 26 mijë do të verifikohen vërtet gjatë vitit 2014. Nga këto, rreth 5.200 nga Sporteli Unik i Romës, dhe 2.500 nga ai i Milanos.

Ndërsa për marrëveshjet që duhet të verifikohen, një muaj para skadimit të dyvjeçarit, Sporteli Unik u komunikon të huajve të interesuar të paraqesin “dokumentacionin e nevojshëm për njohjen e krediteve dhe në rast se kanë bij të mitur, edhe certifikatën e përmbushjes së detyrimit të shkollimit, e në mungesë “provën se janë angazhuar për të garantuar këtë detyrim”. I huaji duhet të paraqesë dokumentacionin e kërkuar brenda dy javëve.

Kush nuk mund të provvojë me dokumentacion se njeh gjuhën italiane e edukatën qytetare duhet të testohet nga Sportelet Unike për imigracionin. Kërkesa paraqitet në internet përmes faqes http://accordointegrazione.dlci.interno.it/, duke shkuar në butonin “Richiesta prenotazione” e duke u futur me kodet që i janë dhënë të huajit në çastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Nga anë tjetër, Sporteli unik nuk do të detyrojë të huajin të mbledhë dokumente që tregojnë se ka bërë shkelje që i ulin pikë: do të verifikojë vetë përmes kartotekës së gjykatës, komunave, agjencisë së Tatim-taksave nëse të huajit i duhet hequr ndonjë.

Për më shumë detaje mbi marrëveshjen e integrimit këshillojmë të lexoni Specialen e Shqiptariiitalisë.com ku gjeni nga tekstin e broshurën shpjeguese të marrëveshjes në gjuhën shqipe deri te lista e sjelljeve qe ju shtojnë apo ju heqin kreditet.

Keti Biçoku

Speciale. Lejeqëndrimi me pikë dhe marrëveshja e integrimit

 

Kosova nis festimet për Pavarësinë

Migrantët me celularët e ngritur drejt hënës. Është kjo fotografia e vitit