in

Marrëveshja e integrimit. Nuk mund të qëndrojë në Itali kush nuk çon fëmijët në shkollë

Pikët hiqen të gjitha për mospërmbushje të detyrimit shkollor. Sqarimet e ministrisë së brendshme mbi verifikimin e marrëveshjes

Romë, 8 tetor 2015 – Marrëveshja e Integrimit dhe e ashtuquajtura leje qëndrimi me pikë janë një nga risitë më të rëndësishme mbi imigracionin të ardhura në fuqi në Itali në vitet e fundit.

Të huajt e ardhur nga 10 marsi 2012 e këtej, kanë nënshkruar me shtetin italian një marrëveshje me të cilën janë angazhuar se do të sillen mirë e do të arrijnë disa objektiva. Më kryesorët janë njohja e gjuhës italiane dhe e edukatës qytetare dhe ndjekja e shkollës nga bijtë e mitur. E në bazë të sjelljes së imigrantëve, ata fitojnë apo humbasin pikë. Më 30 shtator, ministria e Brendshme ka shpërndarë një qarkore me disa sqarime mbi verifikimin e marrëveshjes së integrimit.

Verifikimi ose testi bëhet dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes. Nëse pikët e mbledhura nuk janë të mjaftueshme (e duhet të jenë të paktën 30) të huajit i jepet kohë edhe një vit. Në përfundim të vitit të tretë verifikimi është përfundimtar. Nëse pikët e mbledhura janë të paktën 30, marrëveshja mbyllet përfundimisht si e përmbushur. Me zero pikë marrëveshja mbyllet, por për mospërmbushje të objektivave dhe i huaji e humbet të drejtën e qëndrimit në Itali. Nëse pikët janë deri në 30, siç shpjegohet në qarkore, kemi mbylljen e marrëveshjes për mosrespektim të pjesshëm të saj, që mund të penalizojë të huajin në ato pak masa diskrecionale të parashikuara nga Teksti Unik mbi imigracionin.

Por ministria nënvizon se mbi shkollën nuk do të bëhet asnjë lëshim. “Shkelja e detyrimit të shkollimit e bijve të mitur, me përjashtim të rasteve kur vërtetohet që prindi është përpjekur të përmbushë këtë detyrim, përcakton humbjen e plotë të pikëve të dhëna në çastin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe të atyre të mbledhura më pas dhe sjell anulimin e marrëveshjes për mosrespektim të saj”. Me fjalë të tjera: kush nuk çon fëmijët në shkollë nuk mund të përtërijë lejen e qëndrimit e për rrjedhojë nuk mund të qëndrojë në Itali.

Në qarkore shqyrtohet edhe rasti i kujt ka hyrë në Itali, ka nënshkruar marrëveshjen e integrimit e më pas është larguar vullnetarisht nga Italia para se t’i skadojë leja e qëndrimit (dhe marrëveshja e integrimit. Çfarë ndodh nëse rikthehet në Itali me vizë të re hyrjeje? Marrëveshja e vjetër e integrimit do të arkivohet dhe nuk do të nënshkruhet një e re. Në fakt, ligji parashikon që marrëveshja të nënshkruhet vetëm nga ata që “hyjnë për të parën herë në territorin italian”.

BE i jep të drejtë Italisë: “Burg të huajit nëse rifutet ilegalisht pas dëbimit”

“Unë votoj”. Shqiptarët e Italisë i kërkojnë presidentit të drejtën e votës