in

Mars 1991: Edhe unë isha në anije

Mbushen tashmë 25 vjet nga kur anijet e para të mbushura plot e përplot me fëmijë, të rinj, gra e burrë lanë Durrësin e mbërritën në brigjet puljeze duke shënuar atë që edhe më pas do të njihet si eksodi biblik i shqiptarëve. Mijëra vetë mbërritën në Itali ato ditë të para të marsit 1991, mijëra të tjerë erdhën në gusht të po atij viti, por shumica e këtyre u kthyen mbrapsht me forcë. Por shumë e shumë të tjerë mbërritën gjatë gjithë viteve ’90, në grupe më të vogla, me skafe, gomone, peshkarexha. Shumë të tjerë mbetën rrugës, në kanalin e Otrantos, pa arritur kurrë tokën e premtuar.

Sot ndër 600 mijë shqiptarët që numërohen në Itali, mes atyre akoma me leje qëndrimi dhe të tjerëve që tashmë janë bërë edhe italianë, një pjesë e mirë janë nga ata të anijeve, ose janë familjarë, të afërm e bij të tyre.

Në 15 vjet jetë, gazeta Bota Shqiptare, më pas Shqiptari i Italisë, janë përpjekur të pasqyrojnë këtë realitet të shqiptarëve të Italisë. Në to, veç të tjerash, është folur e flitet për shqiptarët e punës, të artit, të sportit, të shkollave e universiteteve, për sipërmarrësit, punonjësit e thjeshtë, për artistët e shkrimtarët e njohur e të vlerësuar e sportistët e zotë, për nxënësit e shkëlqyer dhe të rinjtë e talentuar. Për ata që lanë eshtrat në det pa mbërritur në brigjet e Italisë apo për ata që në këtë vend ranë, e fatkeqësisht vazhdojnë të bien, viktima të fatkeqësive në punë.

E megjithatë janë të shumtë ata që nuk kanë gjetur një histori të dikujt që njohin apo të vetën, dhe që mendojnë se ia vlen të rrëfehet. Për këtë arsye në këtë përvjetor të njëzetepestë të emigracionit shqiptar në Itali, shqiptariiitalise.com u bën sërish thirrje lexuesve të rrëfejnë një histori të një shqiptari “përfaqësues” të eksodit biblik. Të njërit prej personave të anijes së fotografisë* apo të të tjerave të atyre ditëve. Duam të rrëfehen historitë e atyre që thonë “unë jam një prej tyre” apo “im vëlla, im shoq, ime motër, ime më … është një prej tyre”. Rrëfeni ç’bëjnë sot shqiptarët e atyre anijeve.

Kush ka një histori të tillë, që dëshiron ta tregojë, të kontaktojë redaksinë në shqiptari[at]stranieriinitalia.it, apo të lërë një koment nën këtë artikull ose të shkruajë një mesazh në profilin facebook Shqiptari i Italisë.

Lexo edhe: La mia nave si chiamava “Legend”

* Anija Legend, e njohur si “anija panameze”, mbërriti në Brindisi më 7 mars 1991 me 5 mijë shqiptarë në bord

Imigrantët akoma në radhë zyrave, s’ka vetëcertifikime as këtë vit

Brezat e dytë. 10 mijë euro për të hapur biznes, ditët e fundit për aplikimin