in

Mars 1991: Historia e 9 peshkatarëve, pionierë të eksodit

Kjo anije, që quhet anija Panameze në vitin 91 ka qenë për mua kujtim i gëzueshëm por edhe i hidhur njëkohësisht. Sepse unë kam qenë një prej 9 peshkatarëve të Durrësit që 15 ditë para se të ndodhte eksodi masiv me këtë anije dhe me shumë të tjera, në rrëmbyem një peshkarexhë në Durrës, në ato net plot terror nga ana e ushtrisë kufitare. Dhe kur po dilnim nga porti kjo anije e madhe dhe e zezë (anije panameze) po hynte brenda portit , dhe ne u gëzuam aq shumë sepse na mbulonte nga rojet qq po rrinin me mitraloza nq hyrjen e portit, dhe kështu filluam të bërtisnim nga gëzimi e fati që na solli zoti në atë moment.

Por ai gëzim ishte i shkurtër, sepse ne po shkonim drejt urës së Teutës,  ashtu quhej në atë kohë, për të marrë me vete edhe shumë miq, shokë dhe të afërm për në Itali. Në momentin e afrimit me urën, u habitëm dhe ngelëm pa mend sepse pamë aty jo miq e shokë por qindra e qindra njerëz të tjerë që nuk i njihnim, domethënë ishin aq shumë, sa ne me peshkarexhën tonë takuam fundin e detit dhe ngecëm aty deri sa erdhën forcat e policisë dhe na arrestuan me motivin e arratisjes.

Ne ngelëm në burg për 13 ditë duke parë dhe dëgjuar ikjen e shumë njerëzve të tjerë me anije, edhe me këtë anijen panameze. Kjo anije ishte për ne edhe trishtim, sepse na ndihmoi për të dalë nga porti, por na bëri që të arrestoheshim nga policia sepse po mos të ishte ajo anije do të binim në sy të ushtrisë,  dhe në vend që të merrnim miqtë tanë tek ura, do të vazhdonim rrugën drejt Italisë.

Kjo histori nuk është përmendur nga askush, por ne jemi të parët e eksodit të madh duke i dhënë shkëndijë ikjes nga porti i Durrësit të shumë e shumë qytetarëve durrsakë dhe nga rrethe të tjera.

Sot unë ndodhem në qytetin e Vareses, dhe bëj një jetë të qetë por me dhimbje, kur kujtoj ato ditë të shkurtit të vitit 1991. Se si ngelëm dhe u dënuam nga regjimi i atyre viteve.
Dëshiroj që kjo histori të shkruhet sepse 9 peshkatarët ishin pionierët e eksodit të madh të vitit 1991.

Fisnik Doci

Lexo edhe: Mars 1991 – Edhe unë isha në anije

Mars 1991: Shënomëni edhe mua

Lejeqëndrimet. “Nuk mund të shpallen listat emërore”