in

Mars 1991: “T’i lëmë, mos t’i lëmë”

Ndërsa po kundroja lindjen e diellit, nisa të vras mendjen se kush mund t’i gëzohej diellit që po lindte. Më erdhi ndërmend aventura e ardhjes në Itali, ai agim që mijëra shqiptarë e pritën me padurim, ai mëngjes i ftohtë marsi. Atë ditë lindja e diellit përkoi me nisjen e anijes për në Itali.

Më dolën para sysh si në mjegull fytyrat e personave të fundit, të cilët hipën në anijen ku ndodhesha unë. Anija ishte mbushur e gati sa s’derdhej. 20 orë ngjeshur, të përgjumur e të tkurrur nga era e ftohtë. Merrnim nga njëri-tjetri duke lënë mënjane mirësjelljen, një copë bukë (uji s’ekzistonte) në pritje të përfundimit të lojës qeveritare, që në vend të letrave, luanin me fate njerëzish: “T’i lëmë, mos t’i lëmë”. Herë pas here dëgjonim krismën e thatë të ndonjë pushkë, breshëri automatiku ravizonin në terrin e natës buzëqeshjen djallëzore të sekretarit të partisë së halabakëve: “T’i lëmë!”.

Një valë mornicash më përshkoi trupin tek më erdhi ndërmend brohoritma e marrë e gëzimit e cila përshëndeti nisjen e anijes.

Kështu arka e Noesë mori rrugën kuturu, duke lënë pas shpine diellin që po lindte.

Të ikte, vetëm të ikte nga ky ferr i gjallë, të zhdukej, se ku, nuk na interesonte. Jeta e mijëra njerëzve kish vendosur atë ditë të ndryshonte dimensionet. Si diktatore që ishte, kishte marrë vendimin pa përfillur njeri dhe caktoi trupat tanë si përfaqësues fizikë për të ndërmarrë ekspeditën.

Jeta ime dhe e mijëra të tjerëve! Jetë të tëra me gëzimet e pakta dhe hidhërimet e shumta, me ankthet e përditshme, të përvitshme, me buzëqeshjet dhe ngashërimet, me njërën këmbë në pasigurinë për të sotmen e tjetrën në shpresën për të ardhmen; gjithmonë në gjunjë e kërrusur, me njërin sy në atë botë (zot ç’na krijove!) dhe tjetrin në ferr e parajse bashkë. E njëjta pamje si në ritin mysliman të faljes. Jo nga adhurimi për zotin, por nga poshtërimet, nga apatia për të jetuar në atë botë të çnjerëzuar, ku mbizotëronin instinktet shtazarake të klounëve injorantë, të cilët qeverisnin vendin dhe përpiqeshin me të gjitha mënyrat t’i jepnin formë katrorë shpirtrave të njerëzve, në mënyrë që të bënin të mundur vendosjen e tyre sipër njeri-tjetrit si tulla dhe të formonin me ta figura gjeometrike, të cilat të kënaqnin epshet e tyre. Pas disa orësh anija filloi të lëkundej si të ish lëvozhgë arre. Jetë njerëzore u shtrinë dhe filluan të villnin vrer. U shtrimë gati të gjithë, ashtu ngjeshur njeri pas tjetrit, femra e meshkuj që  për herë te parë shiheshin, duke lënë pas shpine bashkë me vendin dhe fanatizmin e çmendur; fëmijë tashmë të përdhosur në ndërgjegje, të zhytur në vese, familje të tëra, burra e gra që kishin braktisur fëmijët apo bashkëshortin, prostituta, hajdutë e kriminelë, njerëz të ndershëm e të pandershëm, të gjithë, pjellë të epokës socialiste, të shpërfytyruar nga mekanizmat e diktaturës, njerëz të brezit të humbur, në atë anije fantazmë drejt të panjohurës, në kërkim të lumturisë, të lirisë së pashijuar të fjalës e të ndërgjegjes, në kërkim të ëndrrave, drejt një bote tjetër duke përjetuar fizikisht momentet e fundit të botës sonë.

Ashtu shtrirë, vështrimi i të gjithëve ishte përhumbur në hapësirën qiellore. Pas më shume se dhjetë orësh, si në një film fantashkencor, u shfaq fuqishëm një zog gjigant metalik që dukej sikur priste gjahun të jepte shpirt për ta gllabëruar më lehtë. Mendja m’u kthjellua. Jo jo! Ishte helikopter, ishte shenja e parë që tregonte se tashmë kishim arritur në brigjet e kësaj bote.

E njëjta farsë si në brigjet e botës tjetër – “T’i lëmë, mos t’i lëmë”, një zë pro, një zë kundër. Oshëtinin zërat “Che orrore! Guarda un po’ come sono ridotti! Sembrano usciti dalle tombe”. “T’i lëmë!” Më në fund anija fantazmë u ankorua.

Një buzëqeshje e hidhur më detyroi të zija fytyrën me duar (që të mos më merrnin për të lajthitur personat në autobus) ndërsa m’u kujtua skena në port. Është e vërtetë, errësira i zmadhon gjërat.

Kaos!!! Mendimi i parë që më zhbiroi trurin, të kthehesha, të kthehesha sa më shpejt me anijen e parë që do të nisej. Porti ishte mbushur plot me shqiptarë. E pabesueshme! Koloni pinguinësh në brigjet arktike! Shqiptarët që kishin arritur disa ditë më parë me të tjera anije popullonin portin si të ish një koshere stërgjigante bletësh. Hodha shikimin përreth e mbeta i shastisur për të mos thënë i mahnitur. Të gjithë elektrone të lirë. Kacavirreshin si kafshë në anije dhe hidhnin që nga lart thasë me sheqer (ngarkesa e anijes). Të tjerë shqepnin me duar dërrasa për të ndezur më pas zjarre. Një palë tjetër mblidhte plastmasë.

Por jo! Epiqendra ishte diku tjetër, në hyrje të portit, ku qindra persona po luanin një lojë që vetëm mendja pjellore italiane ishte në gjendje të shpikte. Në njërën anë ishin vendosur ushqimet, në anën tjetër mijëra shqiptarë të babëzitur. Në mes, muri, sipër të cilit qëndronin karabinierët me shkopinj gome. Mbronin ligjin! Nuk lejonin as edhe një fëmijë të kalonte në anën tjetër të murit për të marrë ushqime. Poshtë, të tjerë karabinierë, murgesha e vullnetarë të Kryqit të kuq, të cilët aq sa edhe shqiptarët, merrnin pjesë gjallërisht në lojë duke bërë garë midis tyre kush të flakte më larg pakot e ushqimeve.

Mizëri moshash që çirreshin e shtyheshin kush e kush të kapte më parë pakot. Ndokush, si lider improvizonte ndonjë fjalim: “Mos na turpëroni si komb! Mos i merrni ushqimet që na i hedhin si të ishim kafshë!”. Disa largoheshin si të zënë ngushtë, të tjerë shtonin radhët. Por s’kishin faj, ishin të stëruritur! Sa për turpërim si komb, me kohë ishim turpëruar nga qeveria komuniste. I përhumbur në mendime, u përplasa me një djalë që nxitonte. Ngrita kokën dhe u gjenda përballë një shoku tim. “Eja – më thotë – eja të fshihemi në ndonjë cep e të hamë këtë pako. Nxjerr që nga poshtë bluzës një kuti kartoni, e hapi dhe kur pa që ishte ujë mineral, e përplasi me forcë në tokë. I thashë mendimin tim për të marrë rrugën e kthimit. Dhe përnjëherë vura njërën dorë para fytyrës për t’u mbrojtur nga cirkat e pështymës: “Kam tri ditë që zvarritem si qen, e do të zvarritem deri sa të kem fuqi, po për t’u kthyer nuk kthehem! Këtu do të vdes!”

E lashë me aq, pashë një zjarr afër e kështu kaluam natën bashkë, shtrirë në beton, në atë klimë të akullt marsi italian.
Të nesërmen, përshtypjet e errësirës m’u zvanitën paksa. Fillova të xhiroj kuturu në port, për të shkrydhur trupin e ngrirë nga “komoditeti” i natës së kaluar. Nga ora 2 e drekës nisën hedhjen e pakove. E vetmja lojë gjatë tërë ditës.
Tre ditë duke u zhgërryer në betonin e portit, herë pas here i mbuluar me plastmasë, u mundova t’i vjedh ndonjë ëndërr Brindizit, por më kot, ishte e pamundur të flija.

Në të katërtën natë (për mua), filluan shpërndarjen e shqiptarëve me anë të autobusëve. Shkopinjtë e gomës nisën të fishkëllenin mbi kokat tona. Pasi mora dy-tri goditje në kokë nga policët, kalova dhe atë natë në port.

Të nesërmen, me disa qindra të tjerë të cilët nuk kishin mundur të sistemoheshin gjatë natës, mora rrugën për ne qytet. U vendosa në të parën shkollë që hasa, pasi aty takova dhe disa shokë të mi. Nga betoni i portit, netët që pasuan i kalova shtrirë në tavolinat e shkollës. Pas dy ditësh munda te lahesha me ujë të ftohtë në një kishë. Hodha tej rrobat që mbaja në trup që nga Shqipëria dhe vesha një palë të tjera. U enda një javë në Brindizi, duke u ndeshur gjatë tërë javës me zemërgjerësinë e pafund të banoreve të tij dhe me shqiptarë ngarkuar me thasë ngjeshur me rroba.

Nga fundi i javës mora rrugën drejt veriut, në tren, bashkë me qindra të tjerë.

(Shkëputur nga “Uverture per refugjat” – Mars 1991/mars 2011)
Venaliu, anëtar i forumit kavajaonline.com

Lexo edhe: Mars 1991 – Edhe unë isha në anije

 

Legambiente: “Kostot fryhen e veprat publike mbeten në letër”

Tre milionë euro për emigrantët që kthehen në atdhe