Një ditë që nuk do të harrohet kurrë
Ishte 5 marsi dita kur unë mora rrugën drejt një jete më të mirë. Isha duke pirë me shokët atë mëngjes marsi dhe në atë moment na thotë njëri që do nisej anija Tirana.
Me vrap u drejtova drejt portit pa e kthyer kokën prapa, duke shkuar përpara pa e kuptuar se ku do të perfundoja, por gjithmonë mendoja se jeta ime do të merrte një kuptim tjetër.
Anija ishte e mbushur aq shumë, sa nuk merrnim dot frymë.
Nuk do ta harroj kurrë kur mbërritëm në brigjet e Brindizit. Ishim të uritur, të pagjumë me shpresën se do gjenim një jetë më të mirë. Më kujtohet shumë mirë që kam ndenjur dy ditë pa futur gjë në gojë.
Por gjithë asaj sakrifice që kam bërë sot ia kam parë frutet, jam i lumtur që kam ecur përpara, punoj e jetoj me familjen time. Kam dy djem të mrekullueshëm që nuk u mungon asgjë (gjëra që unë nuk kam pasur kur isha i vogel).
Por edhe pse bëj 20 vjet që jam në Itali, mendja ime gjithmonë ka qenë në atë vend ku unë linda dhe ku shpresoj që një ditë të kthehem e të jetoj i lumtur.
Shkëlqimi
Sot jam në Gjermani, por edhe unë isha në anije
Edhe mua më kujtohet data 9 mars 1991 se sa vuajta dhe se sa luftova për të parë një jetë të ndryshme. Atë jetë që unë vazhdoj tani..
Dhe të them të drejtën mua më hapet zemra kur kujtoj që vërtet vuajta por në fund arrita të jem më mirë nga ç’do të isha. Me bëhet qejfi shumë nëse të gjithë shqiptarët që ishin ato ditë në anije të kenë sot një jetë të qetë dhe të gëzuar, sepse boll kishin hequr.
Unë deri më 28 qershor 1991 mbeta në Itali, pastaj luftova për të ardhur në Gjermani ku ndodhem edhe sot e kësaj dite.
Isha vetëm 14 vjeç kur e lashë vendin tim që kurrë nuk do të harroj e për të cilin me merr malli përherë, dhe ndiej një gëzim të tmerrshem kur jam aty.
Sot jam 34 vjç dhe jetoj në Gjermani. Uroj që jeta ime dhe e të gjithë shqiptarëve, në Ballkan e e kudo gjetkë të jetë sa më e bukur!
Sh. Lushnja
Vitet e ndryshimeve
Ishin vitet e ndryshimeve në shumë kuptime. Une nuk i përkas ardhjes e atij viti. Jetoj në Itali prej vitit 1999. Por më kujtohen ato ditë dhe mund të flas në emër të atyre që e përjetuan atë ngjarje thjesht si shikues e jo protagonistë.
Isha në vitin e parë të shkollës së mesme. Ora e parë frengjisht . Rrëmujë në shkollë. Unë isha e shqetësuar se isha me vonesë e në fakt më shkoi mirë sepse profesori na priti me: “po ju nuk paskeni ikur?”. Dhe ne: “ku?”. Ajo vuri buzën në gaz sepse e pa se ne ishim pak krejt jashtë muhabetit. Ndoshta edhe për vetë moshën, ishim akoma 14-15-vjeçarë.
Dhe për mua aty qëndronte ndryshimi. Që mësuesja të jepte sprint për të ikur në kuptimin e mirë të fjalës, sepse të gjithë mendonim se po të ikje nga Shqiperia për në Itali ishte vetëm pozitive për të ardhmen.
Por është nje ndarje e madhe, tepër e madhe për kombin, për miqtë e për të afërmit dhe ndarja e madhe ka si rrjedhoje dhimbje të madhe në shpirt. Megjithate do të vazhdojmë të ecim përpara e shpresojmë që rruga tashmë të na çojë drejt Shqiperisë.
Mall e dashuri për Shqipërinë, për miqtë që s’i pamë më kurrë e për të afërmit. U uroj fat të gjithë shqiptarëve.
Marjana