in

Mars 1991: Shënomëni edhe mua

Ditë e paharruar

Kur flitet për eksodin e marsit, gjithmonë më vjen para syve çdo detaj.

Ishte 6 mars u zgjova në 5 të mëngjesit dhe bashkë me një shok morëm autobusin te axhensia e Kavajës. Ishin ata autobusët e famshëm që i quanin “fizarmonikë”. Kemi qenë pa frikë nja 200 vetë, torturë. Pastaj mbërritja në port ishte llahtar fare, dëgjonim vetëm të shtëna, aventurë e paimagjinushme. Anija Iliria dukej si koshere bletësh e mbuluar me njerëz. Sa ishte shkëputur nga toka dhe po nisej. Fati desh që atë moment erdhi një peshkarexhë e vogël dhe aty hypëm aq shumë që për pak sa s’u fundos, megjithatë ishte vetëm për pak metra. Na çoi afër anijes Iliria dhe aty filuam të imbarkonim të gjithë. Ngaqë anija ishte në lëvizje kur po hipja, përpak sa s’më shtypën të dyja anijet. Terror i vërtetë, por siç e themi sot “con una lieta fine”.

Pastaj udhëtimi prej 16 orësh me një det që na masakroi. Më kujtohet që shoku im kishte 1 veze të zier. E kemi ndarë në 4 pjesë. Mbërritja në Itali, një realitet i paparë për ne që vinim nga hiçi.

Unë sot e kësaj dite gjendem në itali, por i vendosur përfundimisht që nga gushti i 1997. Kam një djalë 5vjeç që do të vazhdojë të shkollohet këtu. Në një të ardhme do të mësojë historinë time dhe të të gjithë shqiptarëve bashkëvuajtës të viteve ‘90.

Një homazh për ata bij nënash që s’arritën kurrë në tokën e premtuar.

Indriti

Dy gjyqe për po aq shqiptarë të lënduar në punë

Të shpëtojmë Katër i Radës