in

Marsela Çibukaj. Nga Roma për “The Voice of Albania”

“Jam një vajzë 28 vjeçe, që vjen nga një familje e thjeshtë, që ka bërë sakrifica për fëmijët e tyre, duke marrë valixhet e duke u larguar jashtë Shqipërisë. Kam ndier shumë mungesën e vendit tim, që arrita të integrohem në shoqëri, duke ruajtur respektin dhe dashamirësinë e të gjithë njerëzve në Itali. Jam duke përfunduar Universitetin për Juridik në Romë, por pasioni i madh ka qenë muzika”

Pasioni për muzikën dhe dëshira e skenës shqiptare, e çuan Marselën nga Roma në Tiranë për të konkurruar në edicionin e parë të “The Voice of Albania” program muzikor i Top-Channelit në kërkim të zërit më të mirë shqiptar që nisi më 21 tetor të vitit të shkuar e përfundoi më 10 shkurt.

Në përballjen e fundit me Rina Bilurdagun, vajzën 18-vjeçare nga Kosova, nuk arriti të rrëmbente çmimin e madh, edhe pse Marsela Çibukaj mbështetej fort prej publikut.  Pas kësaj eksperience, Marsela Çibukaj ka vendosur të rrijë më gjatë në Tiranë e të mendojë për një prezantim të shpejtë te publiku shqiptar.

Ja një pjesë e intervistës që ajo ka dhënë në shtypin shqiptar.

Si ka qenë eksperienca jote në “The Voice of Albania”?

Mendoj që çdo garë ka një fitues material dhe një fitues moral. Unë nuk fitova diçka materiale, por nga ana morale, sepse njerëzit vazhdojnë të më përkrahin e të më thonë fjalët më të mira dhe kjo për mua është arritje shumë e madhe.

Për të konkurruar në “The Voice of Albania” t’u desh të shkëputeshe nga shumë angazhime në Itali. Përse e more këtë vendim?

Kisha dy arsye: së pari, ishte një nga të pakët konkurrime që bëheshin në Shqipëri për sa i përket muzikës dhe në radhë të dytë, dëgjova një fjalë magjike për të gjithë ata që aspirojnë muzikën, “Universal Music”. Ishte një çmim dhe një emër shumë i madh për ta marrë në konsideratë. Kur erdha në Shqipëri për të konkurruar në “The Voice of Albania”, isha komplet e papërgatitur nga ajo që mund të më priste në Tiranë. Nuk e mendoja dhe nuk e imagjinoja kurrë që mund të kisha një mbështetje kaq të madhe nga publiku, i cili është i pranishëm edhe pas mbarimit të spektaklit. Çdo herë që kam dalë në skenë, e kam përjetuar ashtu siç e ka përjetuar edhe publiku.

“Universal” do të kompozojë një këngë për të gjithë finalistët. Si do ta shfrytëzosh këtë shans për promovim edhe jashtë kufijve shqiptarë?

Do mundohem ta shfrytëzoj në maksimum, pasi nuk është e lehtë të gjesh kontaktet me “Universal Music” jashtë ambientit të muzikës. Do të mundohem t’u prezantoj këngët që kam kompozuar dhe shkruar deri më tani (katër të tilla) dhe që do të vazhdoj të shkruaj deri në mars.

Kur ke kënduar për herë të parë?

Kam qenë e vogël. Isha 9 vjeçe kur notoja në Vlorë bashkë me shoqet e këndoja “Gente come noi” të Ivana Spagna dhe ato më kërkonin ta përsërisja. Këndoja pastaj këngët e Whitney Houston, Mariah Carey dhe në këtë moshë nisa që të kem lidhje me muzikën dhe kanton. Emigrova në Itali, por shumë vonë m’u dha mundësia për të marrë leksione kantoje dhe kitare me shumë sforco e shumë sakrifica. Mblidhja paratë për të ndjekur koncertet e të tjerëve deri sa u rrita pak dhe mundësitë ndryshuan kështu që mund ta përjetoja personalisht edhe muzikën “live”.

Nga kush e ke trashëguar zërin?

Më thonë që si zë i ngjaj gjyshes, por nuk ka pasur në familje këngëtarë të afirmuar. Këndonin vetëm këngë popullore në aktivitete familjare.

 “Top Fest” është përpara. Si do të doje të prezantoheshe për publikun shqiptar?

Akoma nuk kemi biseduar me organizuesit e “Top Fest”, por besoj se pjesëmarrja është e sigurt, pasi është deklaruar edhe në finale. Shpresoj që të bashkëpunoj me kompozitorë për një këngë sa më të përshtatshme për stilin tim dhe për ngjyrën e zërit dhe që të pëlqehet te publiku. Është kënaqësi e madhe, sepse kanë qenë evenimente muzikore që i kam ndjekur nga larg dhe me admirim nga ekrani, me shpresë që edhe unë, një ditë mund të merrja pjesë në to. Do mundohem të jap maksimumin.

Këngët që ke kompozuar, edhe i ke kënduar?

Janë të kompozuara dhe të lëna në sirtar sepse duhet të regjistrohen në SIAE për sa i përket të drejtave të autorit. Po prisja rastin që këto këngë t’i dëgjonte dikush që merret me muzikën dhe të jepte një mendim mbi to. Unë kam lindur si këngëtare, por mua më pëlqen të jem kantautore. Thonë se kam aftësi në të shkruarit e teksteve, për muzikën më ndihmojnë muzikantët e mi në Itali e tashmë kam lidhur kontakte dhe me muzikantët në Tiranë. Shpresoj që me ndihmën e tyre, të arrij të kompozoj diçka të bukur edhe për publikun shqiptar.

Ku do të arrish me muzikën?

Tani për tani, objektivi më i madh është të realizoj albumin tim të parë, e kam pasur ëndërr që e vogël dhe vazhdon të jetë ëndrra më e madhe për mua. Kisha filluar të punoja edhe me muzikantët në Itali dhe shpresoj që bashkëpunimi të vazhdojë edhe me muzikantë këtu në Shqipëri. Unë aktualisht shkruaj anglisht, por do mundohem të jap maksimumin edhe në shqip, sepse tashmë është një publik shumë i madh që më përkrah dhe kam detyrim ndaj tyre.

Cila është Marsela jashtë skenës?

Jam një vajzë afërsisht 28 vjeçe, e cila vjen nga një familje e thjeshtë, që ka bërë sakrifica për fëmijët e tyre, duke marrë valixhet e duke u larguar jashtë Shqipërisë. Jam një nga ato vajza shqiptare që e ka ndjerë shumë mungesën e vendit dhe të rrënjës së saj, që arrita të integrohem në shoqëri, duke ruajtur respektin dhe dashamirësinë e të gjithë njerëzve në Itali. Kam qenë gjithnjë e aftë në studime. Jam duke përfunduar Universitetin për Juridik në Romë, por pasioni i madh ka qenë muzika.

Je në prag të diplomimit për Juridik. E ke menduar të studioje për kanto?

Kur mbarova shkollën e mesme, isha gati të plotësoja formularin për t’u regjistruar në Konservatorin Santa Cecilia në Romë. Në atë kohë, në konservatorin italian, nuk ishte futur dega e kantos xhaz, kishte vetëm lirikë dhe kjo më frikësonte pak. Zëri im ka qenë bluz, xhaz dhe kisha frikë se ajo disiplinë mund të më largonte nga ngjyra ime vokale. Mundësitë ekonomike nuk më lejuan të zgjidhja pasionin, sepse shumë pak herë të shpërblen nga ana ekonomike dhe unë vija nga një familje që nuk kishte mundësi të tilla. Megjithatë zgjodha një fakultet që më pëlqente, sepse kështu kam qenë gjithmonë, me pasion dhe me drejtësi.

Avokate-këngëtare. Çfarë i bashkon këto dy botë?

Janë dy botë që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por unë dua të mbroj tezën e të drejtave të autorit dhe kjo do më çonte më pranë muzikës. Këto janë gjëra që do të vijnë më vonë. Tani për tani jam shumë e lidhur me muzikën dhe dua të shfrytëzoj momentin.

Jeta jote do të jetë mes Tiranës dhe Romës?

Shpresoj të kem një qëndrim më të gjatë në Tiranë dhe të shfrytëzoj çdo lloj bashkëpunimi. Kam pasur disa propozime pune për të kënduar “live” dhe po mendohem mbi to. Dua që Shqipëria të më japë një mundësi për të vërtetuar aftësitë e mia vokale, sepse 17 javë në “The Voice of Albania” kanë qenë shumë, por edhe pak në të njëjtën kohë.

Oliverta Lila, Shqip

Arrestohet në Domodossola i kërkuari nga drejtësia shqiptare

Nga Italia në Tiranë për një ditë në Big Brother