Përfundon mandatin Saba D’elia, ambasadori italian i akredituar në Tiranë më 15 shtator 2007.
Romë, 23 nëntor 2011 – Ministria e jashtme italiane njofton që Këshilli i Ministrave ka emëruar Massimo Gaiani, Ambasador të Italisë në Shqipëri.
I lindur në Addis Abeba të Etiopisë, në vitin 1956, dhe i kaherë karrierës diplomatike në vitin 1982. Nga viti 2005 ka qenë Këshilltar Diplomatik i ministrit për Politikat Komunitare, duke asistuar ministra të ndryshëm që kanë mbuluar atë post. Është emëruar edhe Koordinator i Zyrës së Sekretarisë së Komitetit Ndërministror për Çështjet e BE-së.
Si diplomat jashtë shtetit ka shërbyer fillimisht në Konsullatën italiane në Montreal, ku është marrë me çështjet tregtare, më pas ka qenë në Përfaqësinë e përhershme pranë Komunitetit Ekonomik Europian në Bruksel e së fundi në Ambasadën italiane në Uashington.
Në ministrinë e Jashtme ka punuar pranë Drejtorisë së Çështjeve Ekonomike, pranë Sekretarisë së Përgjithshme, Drejtorisë së Integrimit evropian dhe pranë Drejtorisë së Personelit.
Gaiani i zë vendin ambasadorit aktual Saba D’Elia i akredituar më 15 shtator 2007 nga presidenti shqiptar Bamir Topi. Edhe D’Elia është një diplomat karriere me përvojë në shtetet ballkanike. D’Elia ka qenë ambasador në Sarajevo ndërsa në fillimet e karrierës së tij, në fund të viteve ‘70 ka qenë këshilltar pranë ambasadës italiane në një nga vendet kyçe të Perdes së Hekurt, në Republikën Demokratike Gjermane. Në vitet e fundit, para se të vinte në Shqipëri, ka qenë përgjegjës i Njësisë së Koordinimit të Sekretarisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane.