De Biasi: “I hidhëruar për ndeshjen sepse e luajtëm deri në minutën e fundit”
Shqipëria u mposht 0-2 nga Franca në përballjen e mbrëmjes së sotme në stadiumin Vellodrome të Marsejës, për sfidën e dytë të grupit A në kampionatin Evropian Francë 2016.
Shqipëria zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë duke surprizuar dhe duke mbajtur në barazim pa gola për rreth 89 minuta. Por ka qenë Antoine Griezmann ai që në minutën e 90-të ka shënuar golin e avantazhit për Francën.
Ndërsa Payet shënoi golin e dytë në minutën e 96-të duke vulosur rezultatin 2-0 për Francën.
Në stadium ndodheshin mbi 10 mijë tifozë shqiptarë që përkrahën Kombëtaren shqiptare, në një stadium me kapacitet 66 mijë vendesh. Në stadium ndodheshin edhe presidentët e të dy vendeve, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe Presidenti i Francës, Francois Hollande.
“I hidhëruar për ndeshjen sepse e luajtëm deri në minutën e fundit. Skuadra bëri një ndeshje të mirë në pjesën e parë ndërsa në të dytën na vunë në vështirësi. Ishte mëkat që nuk e ruajtëm deri në fund” tha në intervistën për Supersport Gianni De Biasi menjëherë pas ndeshjes.
A është i mërzitur me zëvendësimet? Kujtojmë që goli i parë erdhi nga qendra e mbrojtjes ku u vendos Frederik Veseli në vend të Arlind Ajetit që u dëmtua.
“Jo nuk jam i hidhëruar me askënd. As me lojtarët që e nisën nga stoli. E luajtëm mirë të gjithë ndeshjen. Patëm dhe raste në pjesën e parë. Por nuk ia dolëm të shënojmë”.
A ka më shanse Shqipëria? “Do të tentojmë të bëjmë gjithçka me Rimaninë. Të bëjmë edhe atë golin që na mungon te ky evropian” – e mbylli De Biasi.