Nënshkruhet dekreti i ri, pjesa më e madhe e kuotave është për punonjësit e huaj që ndodhen në Itali. Kërkesat përpilohen e nisen online
Romë, 24 dhjetor 2014 – Mbërrin dekreti i ri i flukseve, por edhe këtë radhë i ndikuar nga kriza ekonomike që ka ulur kërkesën për krah pune.
Teksti, i nënshkruar më 11 dhjetor e që pritet të botohet në Gazetën zyrtare, autorizon gjithsej 17.850 kuota. Nga këto, vtëm 5.500 janë hyrje të mirëfillta nga jashtë Italisë, ndërsa 12.350 janë për imigrantëve të regullt në Itali që do të mund të konvertojnë në leje qëndrimi për punë leje të lëshuara për tjetër motiv.
Kuotat janë të ndara si më poshtë:
Hyrje për punë:
– 1.000 punonjës të huaj që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të dekretit legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998”;
– 2.400 punonjës të pavarur (sipërmarrës që kryejnë aktivitet me interes për ekonominë italiane, profesionistë, figura të rëndësishme shoqërish private (jo kooperativa), artistë me famë ndërkombëtare apo me kualifikim të lartë profesional të kërkuar nga ente private e publike); qytetarë të huaj për ngritjen e sipërmarrjeve “start-up innovative” sipas ligjit 221 të 17 dhjetorit 2012, në prani të kritereve të parashikuara nga i njëjti ligj dhe në favor të të cilëve ka marrëdhënie pune e karakterit autonom me sipërmarrjen;
– 100 punonjës të pavarur apo të varur me origjinë italiane (pasardhës deri të shkallës së tretë) rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil:
Konvertime lejeqëndrimesh
Autorizohet konvertimi në leje qëndrimi për punë të varur i:
– 4.050 lejeqëndrimeve për punë sezonale;
– 6.000 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 1.000 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.
Parashikohen gjithashtu edhe konvertime në lejeqëndrime për punë të pavarur të:
– 1.000 lejeqëndrimeve për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional;
– 250 lejeqëndrimeve BE për qëndrues afatgjatë të lëshuar nga vende të tjera europiane.
Kërkesat
Edhe këtë vit kërkesat do të paraqiten on-line. Do të mund të nisen përmes sistemit informatik të ministrisë së Brendshme duke filluar nga ora 9.00 e të nesërmes së botimit të Dekretit të flukseve në Gazetën Zyrtare për tetë muajt pasardhës. Një qarkore e përbashkët e ministrive të Bendshme dhe të Punës përshkruan në detaje procedurën.
Kërkesat do të shqyrtohen sipas renditjes kronologjike të paraqitjes, deri në mbarimin e vendeve në dispozicion, por duke parë natyrën e veçantë të kuotave, nuk do të ketë nevojë për nxitim. Veçanërisht përsa u takon kuotave të konvertimeve, vështirë se mund të mbarojnë.
Ndërsa pritet botimi i dekretit në Gazetën Zyrtare, mund të përgatitet kërkesa për ta pasur gati. Nga 23 dhjetori, është e mundur që i interesuari të regjistrohet në faqet internet të ministrisë së Brendshme https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/Ministero/index2.jsp, të përpilojë e të ruajë kërkesën, për ta nisur më pas në çastin e duhur.
Si gjithnjë, për ata që nuk janë shumë të zotët me kompjuterin, do të ofrojnë ndihmesën e tyre për përpilimin dhe nisjen e kërkesave edhe patronatet e shoqatat e ndryshme
Formularët
Formularët zgjidhen sipas llojit të kërkesës që paraqitet:
Formulari A për kërkesa autorizimesh për bashkëpunëtorë familjarë me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Formulari B për kërkesa autorizimesh për punë të varur për punonjës me origjinë italiane rezidentë në Argjentinë, Uruguaj, Venezuelë dhe Brazil;
Formulari VA për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari VB për konvertime lejesh qëndrimi për punë sezonale në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari Z për konvertime lejesh qëndrimi për studime, praktikë pune dhe/ose formim profesional në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari LS për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të varur;
Formulari LS1 për kërkesa autorizimesh për punë shtëpiake për të huaj titullarë lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane;
Formulari LS2 për konvertime lejesh qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë të lëshuara nga vende të tjera europiane në leje qëndrimi për punë të pavarur;
Formulari BPS për kërkesa emërore autorizimesh të rezervuara për punësimin e punonjësve të futur në projekte speciale.