in

Mbërrin sot në Romë ambasadorja Anila Bitri

Ambasadorja për komunitetin shqiptar në Itali:Është sot ura më solide e miqësisë, komunikimit dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Ambasada e Shqipërisë është shtëpia e hapur e shqiptarëve që jetojnë në Itali. Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të tyre sipas ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare do të jetë prioriteti i punës sonë”.

Romë, 19 maj 2016 – Pas mëse katër muajve nga dekreti i shkarkimit të ambasadorit Neritan Ceka, vjen sot në Romë, ambasadorja e re, 52-vjeçarja Anila Bitri. Emërimi i saj është dekretuar nga presidenti i Shqipërisë në 8 shkurt 2016 dhe para dhjetë ditëve ka marrë edhe pëlqimin e presidentit italian.

Anila Bitri ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës për Histori dhe Gjuhë Spanjolle. Ka qenë pedagoge e Historisë së Mesjetës në Universitet dhe është doktoruar në Marrëdhëniet Shqiptaro-Spanjolle të Mesjetës në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Granadës në Spanjë.

Në vitin 2002 ka qenë konsulle e Nderit e Spanjës dhe në përfundim të mandatit u dekorua nga mbreti Huan Karlos për shërbimet ndaj shtetit spanjoll.

Më pas u emërua ambasadore e Shqipërisë në Spanjë dhe deri më sot është ambasadorja më jetëgjatë në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Spanjën.

Mbi vizionin dhe përparësitë që ambasada shqiptare do të ketë gjatë drejtimit të saj, ambasadorja është shprehur në seancën dëgjimore në Komisionin për Politikën e Jashtme, të Kuvendit të Shqipërisë kur ajo ishte akoma kandidate për këtë detyrë.

Mes të tjerash, lidhur me emigracionin shqiptar në Itali ka nënvizuar se “ai është sot ura më solide e miqësisë, komunikimit dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Ambasada e Shqipërisë është shtëpia e hapur e shqiptarëve që jetojnë në Itali. Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të tyre sipas ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare do të jetë prioriteti i punës sonë”.

“Reforma e nisur këtë vit në shërbimet konsullore, me konsullatën digjitale që u lanciua përpara pak ditësh në Milano dhe e bën Italinë një projekt pilot, si dhe ligji për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, i cili është në procedurë miratimi, janë hapa të rëndësishëm që janë bërë në ndihmë të bashkëkombësve tanë në favor të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së lidhjeve mes tyre dhe shtetit amë”.

“Sot emigrantët shqiptarë në Itali janë të organizuar në një rrjet shoqatash shqiptare dhe shqiptaro-italiane që synojnë ndër të tjera të ruajnë dhe forcojnë identitetin kombëtar të emigracionit shqiptar.
Mendoj se është një obligim i institucioneve të vendit të origjinës, të kontribuojë brenda mundësive në mbështetjen e projekteve të këtyre shoqatave që ndikojnë në promovimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ne do të përpiqemi për këtë duke shpresuar në mbështetjen e Ministrisë sonë të Kulturës, të Arsimit dhe të institucioneve të tjera të specializuara”.

Ambasadorja ka nënvizuar bashkëpunimin në kulturë e, ashtu si thuajse të gjithë pararendësit e saj këto dy dekadat e fundit, ka ngritur çështjen e rëndësisë së themelimit të Institutit të Kulturës shqiptare qoftë për komunitetin shqiptar të këtyre 25 vjetëve të fundit qoftë për arbëreshët: “Marrëdhëniet kulturore midis dy vendeve, të cilat janë të vjetra, intensive dhe shumë planesh. Kjo është një temë shumë e gjerë, por shkurtimisht do të përmend vetëm disa prioritete të punës në të ardhmen: Krijimi i Institutit të Kulturës Shqiptare pranë Ambasadës në Romë do të institucionalizonte dhe strukturonte më mirë bashkëpunimin kulturor dhe promovimin më të mirë të Shqipërisë në Itali. Kjo qendër do të ishte një strehë kulturore për emigracionin tonë të gjerë në Itali, por edhe për komunitetin arbëresh që prej shekujsh jeton atje. Do të vazhdojmë punën e nisur për të mbështetur projektet që lidhen me ruajtjen e gjuhës arbëreshe, e cila fatkeqësisht humbet terren në moshat e mitura. Po ashtu promovimi i kulturës dhe traditës arbëreshe do të vazhdojë të jetë në fokus të vëmendjes sonë”. Një tjetër çështje e mprehtë për ambasadoren është “mbijetesa e katedrave të gjuhës shqipe në universitetet italiane, që rrezikojnë të mbyllen është një çështje e mprehtë që do të ndiqet me përparësi, për shkak se shqipja nuk është vetëm gjuha e vendit fqinj, por gjuha e gati gjysmë milioni të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë atje”.

Duke folur për rëndësinë e biznesit shqiptar në Itali ka thënë: “Shifrat flasin për një rritje dhe fuqizim të sipërmarrjes së Shqiptarëve në Itali, të cilët tashmë regjistrojnë rreth 38.000 entitete. Fuqizimi i tyre i mëtejshëm duhet parë nga ne si një oportunitet për t’ u zgjeruar edhe në Shqipëri me bizneset e tyre të suksesshme.
Ambasada do të jetë aktive në ofrimin e informacionit për legjislacionin, instrumentet nxitëse dhe njëkohësisht në lehtësimin e vendosjes së kontakteve të nevojshme me institucionet tona”. Ka theksuar se “zgjidhja së fundmi e çështjes së taksës së transportit të kamionëve shqiptarë në territorin italian, krijon mundësinë për të ecur më tej me zgjidhjen e çështjeve të tjera të ngritura nga biznesi ynë, siç janë për të përmendur disa prej tyre: Kuotat e pamjaftueshme për autorizimet e mjeteve të transportit rrugor të mallrave, ose negocimi për arritjen e një marrëveshjeje të re transporti detar midis dy palëve”.

Lidhur me rolin e Ambasadës në marrëdhëniet e përgjithshme Itali-Shqipëri, ajo ka theksuar se “në fushën politike prioriteti numër një i Ambasadës do të vazhdojë të jetë zgjerimi dhe forcimi i mbështetjes italiane për integrimin Europian të vendit”, se “krahas ekzekutivit Ambasada do të punojë ngushtë me legjislativin në të dy vendet” sepse sipas saj “kjo do të zgjeronte bazën e mbështetjes për procesin e integrimit të vendit tone”, se “bashkëpunimi në fushën e sigurisë për të përballuar kërcënimet dhe rrisqet e përbashkëta që lidhen me terrorizmin, ISIS, krimin e organizuar, trafiqet, valët e refugjatëve, do të kërkojnë nga Ambasada një qasje më të zhdërvjellët për të shkëmbyer informacione, për të lehtësuar ndërveprimet ndërmjet institucioneve respektive të sigurisë të të dy vendeve”.

“Fokusi kryesor i punës do të jenë marrëdhëniet ekonomike.  – ka vijuar ajo – Këto marrëdhënie kapin një gamë të gjerë nga transporti tek energjia, nga infrastruktura tek turizmi, tek sektori bankar. Një numër i madh marrëveshjesh mes dy vendeve përbëjnë kuadrin e nevojshëm ligjor për të zhvilluar një bashkëpunim ekonomik të gjithanshëm. Ne do të synojmë që marrëdhëniet ekonomike me Italinë të ngrihen në një nivel më të lartë me pjesëmarrjen e kompanive të mëdha italiane, të cilat ende nuk janë fort prezent në Shqipëri. Bashkëpunimi ekonomik mund të avancojë duke shfrytëzuar më mirë qasjen rajonale, pra lidhjen e rajoneve të ndryshme të Italisë me Qarqet e vendit tonë.

Partneriteti i përbashkët në ndërtimin e TAP-it u jep marrëdhënieve tona ekonomike një dimension gjeostrategjik të ri që lidhet me sigurinë energjetike të kontinentit. Kjo na krijon mundësinë të paraqitemi përpara investitorëve italianë si një vend që përveçse oportunitete për të marrë pjesë në ndërtimin e tij, ofron siguri”. 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

Reforma e shtetësisë akoma në vend-numëro, #Matteononrisponde

Ndërron jetë Marco Pannella, lideri i radikalëve italianë, babai i betejave civile