in

Reforma e shtetësisë akoma në vend-numëro, #Matteononrisponde

Në Senat akoma nuk po ia dalin me malin e amendamenteve të Legës. Ndërkaq, brezat e dytë e pyesin përmes rrjeteve sociale, por pa ndonjë rezultat

#Riformacittadinanzasubito, #Stranieroachi, #Matteorisponde, #MatteononrispondeRomë, 19 maj 2016 – Mbi shtetësinë italiane për bijtë e imigrantëve, tani për tani ka fituar Lega. Në kuptimin që nuk flitet për reformën, sepse në Parlament nuk po ia dalin dot të rinisin debatin për shkak të obstruksionizmit të partisë së Salvinit.

Dukej sikur kishte ardhur çasti i mirë. Tri javë pas paraqitjes së mëse 7 mijë amendamenteve, thuajse të gjitha të Legës, sot Komisioni për Çështjet Kushtetuese kishte vënë sërish reformën në rend të ditës. Nuk pritej ndonjë gjë e madhe, veçse që kryetarja Finocchiaro të lajmëronte: “Amendamentet janë botuar”.

Fakti është që as kjo nuk do të ndodhë. Në zyrat e Komisionit puna për të vënë rregull mbi malin e amendamenteve akoma nuk ka mbaruar. Botimi i tyre është shtyrë, shpresojmë t’ia dalim për javën e ardhshme” thonë, kështu që edhe mbledhja e sotme e Komisionit është përditësuar duke hequr reformën nga argumentet që do të trajtohen. Sërish shtyrje.

Në këto kushte, brezat e dytë i drejtohen drejtpërdrejt kryeministrit. Një grup i madh bijsh imigrantësh lanë takim për mbrëmë për #Matteorisponde, që Matteo Renzi organizon rregullisht në rrjetet sociale për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve. Të gjithë i kërkuan qeverisë të tundet duke përdorur si fjalëkalim #Riformacittadinanzasubito dhe #Stranieroachi (që shqip do të ishin Reforma e shtetësisë menjëherë” dhe “Kujt i thua i huaj ti?”).

Mes tyre ishte edhe Paula Baudet Vivanco, një nga themelueset e Rrjetit G2, që i kujtoi Renzit që shumë fëmijë e adoleshentë po presin që të konsiderohen bij e jo thjeshtër”, apo që “kush rritet në shkollat italiane është Italian, pork a një ligj që këtë gjë nuk e njeh”. Shkrimtarja Igiaba Scego i shkruante kryeministrit në Twitter: “Në fushatë premtuat #riformacittadinanzasubito, por akoma gjithçka mbetet pezull. Pse?”, “Edhe në Itali ka një Sadiq Khan, por nuk mund të votojë. Jemi pa të drejta ne brezat e dytë”.

Shoqata QuestaèRoma ka ripropozuar paralelizmin, shumë në modë këto ditë: “Më në fund lidhjet civile, kur do të mbërrijë edhe miratimi përfundimtar i reformës së shtetësisë?”. Ka edhe nga ata aktivistë që shkuan më tej e postuan nja njëzet pyetje e komente me #Riformacittadinanzasubito e  #Stranieroachi, derisa nuk ua bllokuan profilin.

Përgjigjet e kryeministrit? Asnjë. Ashtu si edhe në takimet e shkuara online, #Matteononrisponde mbi reformën e shtetësisë. Me siguri herët a vonë do të jetë i detyruar ta bëjë, edhe sepse të interesuarit janë të vendosur të mos heqin dorë: “Po mendojmë ta kthejmë në një takim të rregullt. Sa herë kryeministri të lajmërojë se do t’u përgjigjet qytetarëve – premton Vivanco – ne nuk do të mungojmë”.

Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)

 

 

Gran bella partecipazione dell’Albania alla Festa dei Popoli di Roma

Mbërrin sot në Romë ambasadorja Anila Bitri