in

Mbi 200 mijë shqiptarë kanë pasaportë italiane

Deri në fund të vitit 2016 janë mbi 150 mijë, por me shtetësitë e fituara gjatë vitit të shkuar që ende nuk janë bërë publike, dhe bijtë e çifteve italo-shqiptare, shifra i kapërcen 200 mijë

 

Romë, 25 janar 2018 – Nëse nga njëra anë, vitet e fundit, kriza ekonomike, mungesa e flukseve të mirëfillta për punë ka çuar në uljen e ardhjeve të reja të emigrantëve shqiptarë në Itali, nga ana tjetër, po vërehet se gjithnjë e më shumë shqiptarë po marrin pasaportën italiane. Kanë mbyllur tashmë një cikël të plotë nga largimi nga atdheu e hapat e parë të emigracionit deri në integrimin e plotë të kulmuar me marrjen e shtetësisë italiane. Këto dy elementë kanë sjellë rënien e shqiptarëve me lejeqëndrim nën 450 mijë vetë: më saktësisht, komuniteti i shqiptarëve në Itali u rrit vit pas viti deri sa në fillim të vitit 2013  kapërceu shifrën 500 mijë (502.546). Nga ajo kohë është vënë re një rënie e vazhdueshme deri sa më 1 janar 2017 shifra e tyre shkoi në 441.838.

Por nga ana tjetër, në të njëjtën periudhë të rënies së komunitetit të shqiptarëve me lejeqëndrim, jemi dëshmitarë të shtimit marramendës të atyre që bëhen italianë.

Qytetarë italianë të lindur shqiptarëTë dhënat ISTAT flasin qartë. Vetëm gjatë vitit 2016 kanë marrë shtetësinë italiane 36.920 shqiptarë. Gjithnjë ISTAT shpjegon se marrin shtetësinë italiane thuajse në të njëjtën masë burra (19.334) e gra (17.586), se e marrin më shumë për arsye rezidence (59,6%) se për martesë (5,7%) dhe se e përfitojnë automatikisht gjithnjë e më shumë edhe të mitur e 18-vjeçarë (34,7% e shtetësive të fituara nga shqiptarët gjatë 2016-tës). Janë bijtë e atyre shqiptarëve që kur babai o nëna bëhen italianë, janë akoma në moshë të mitur e shtetësia italiane u kalon automatikisht nga prindi, apo të lindurit e të rriturit në Itali që e kërkojnë shtetësinë sapo mbushin moshën madhore.

Shifra e shtetësive të marra gjatë vitit 2016 është thuajse sa katërfishi i asaj të vitit 2012, kur ishte vetëm 9.493. Nga viti 2012 rritja ka qenë e pandalueshme: u kalua në 13.671 marrje shtetësie në vitin 2013, në 21.148 në vitin 2014 dhe në 35.134 marrje shtetësie gjatë vitit 2015.

Vërehet gjithashtu që vetëm gjatë vitit 2016 e kanë fituar shtetësinë italiane më shumë nga të gjithë shqiptarët që ishin bërë italianë deri në vitin 2011. Gjë që na e thotë censusi i vitit 2011. Në fakt, një e dhënë interesante e mbledhur me censusin e atij viti ishte pikërisht shtetësia e pasur para asaj italiane: 33.699 vetë deklaruan se kishin shtetësi shqiptare para se të bëheshin italianë.

Një mbledhje e thjeshtë e shifrave të ISTAT-it dëshmon se në fund të vitit 2016, shqiptarët të bërë italianë kanë kapërcyer 150 mijë.

Për vitin 2017 akoma nuk ka të dhëna, por ecuria e deritanishme fitimit të shtetësisë dhe vjetërsia e emigracionit shqiptar lë të mendohet që do të ruhet e njëjta prirje e viteve të fundit e mund të kemi edhe mbi 35 mijë shqiptarë të tjerë që gjatë 2017-tës të jenë betuar para flamurit italian.

Natyrisht prej këtyre ka nga ata që janë larguar nga Italia, e gjithnjë sipas ISTAT për vitin 2016, për shembull, në rastin e shqiptarëve, përqindja është shumë e ulët, nuk kap as 1%. Natyrisht ndonjë mund edhe të jetë ndarë nga jeta, por padyshim shifrat mbeten tejet të rëndësishme.

Shqiptarë me pasaportë italianeE nuk janë të gjitha: në këto shifra mungojnë të gjithë ata që këto vjet kanë lindur nga çifte shqiptarësh ku të paktën njëri ka marrë shtetësinë italiane apo në çiftet e përziera italo-shqiptare. Të gjithë këta fëmijë nuk janë të huaj, ata janë italianë të lindur, kështu që nuk mund të rezultojnë në statistikat e mësipërme. Sa janë? Nuk i dimë me saktësi por të gjithë këta ndoshta e kapin shifrën 25-30 mijë. Për të lindurit nga prindër shqiptarë, por që të dy me pasaportë italiane, nuk ka ndonjë statistikë. Gjejmë shifra vetëm për ata që kanë një prind italian e një shqiptar. Kështu, po t’u hedhësh një sy statistikave ISTAT në vite vëren se vetëm në vitin 2016 lindën mbi 2.600 fëmijë nga çifte të tilla, 2.300 në vitin 2015, 2.150 në 2014-tën, 1.800 në vitin 2013, 1.850 në 2012-tën, 1.750 në 2011-tën, 1.500 në vitin 2010, … mbi 1.400 në vitin 2008, …, 1.350 në vitin 2006 e kështu me radhë.

Kështu, të pohosh që sot ka mbi 200 mijë italianë “me gjak shqiptari” – pa futur këtu arbëreshët – nuk është aspak e gabuar. Të paktën sipas ligjeve në fuqi, pasi askush nuk mund të thotë sa prej tyre ndihen vërtet shqiptarë e sa të tjerë ndihen italianë e ndoshta as nuk e kanë pasaportën shqiptare, apo më keq akoma as që janë shënuar ndonjëherë në regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri.
Janë të gjithë pjesë e atij komuniteti të madh shqiptarësh, të cilët qeveria shqiptare nuk di akoma se ku janë, por po mendon t’i regjistrojë e t’u japë të drejtën e votës atje ku jetojnë. Ca si shumë vonë, dhe nuk dihet sa ngushëlluese mund të jetë këtë radhë shprehja “më mirë vonë se kurrë”.

Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

In italiano: Oltre 200 mila, gli albanesi con passaporto italiano

 

Flukset 2018. Nis përgatitja e kërkesave për 18 mijë punonjësit sezonalë

Pensioni italian i shqiptarëve të kthyer, falë INAS Albania po bëhet realitet