Në disa komuna të administruara nga Lega çmime në qiell për certifikatën e nevojshme për të kërkuar bashkim familjar apo kartën e qëndrimit. Edhe pse ka pasur një dënim për racizëm
Romë, 24 qershor 2015 – A do të paguante një italian mëse 400 euro për të pasur një copë letër ku të jetë shkruar që mund të banojë në shtëpinë ku vërtet banon? E pra, këtë kërkojnë disa komuna të administruara nga Lega e Veriut nga imigrantët.
Copa e letrës në fjalë është e ashtuquajtura certifikatë e përshtatshmërisë së strehimit. Nevojitet, për shembull, për të sjellë në Itali gruan e fëmijët me bashkim familjar ose, pas pesë vjetëve rezidencë të rrgullt në Itali, për të futur në xhep kartën e qëndrimit. Madje disa komuna e kërkojnë (në mënyrë të paligjshme) edhe për regjistrimin në Zyrat e Gjendjes Civile.
Praktikisht, në të gjithë Italinë, certifikata kushton, maksimumi, 50 euro si “të drejta sekretarie”, por nga fillimi i vitit 2014 në Bolgare të Bergamos kryetari legist i komunës mendoi mirë të çonte tarifën në plot 500 euro. “Nuk detyrojmë njeri të qëndrojë…” shpjegoi pa iu dridhur syri, por pas disa muajve gjykata e Bergamos e shfuqizoi tarifën sepse ishte diskriminuese dhe detyroi Komunën të dëmshpërmblente me 350 euro të gjithë imigrantët që kishin paguar ndërkohë super-taksën.
E megjithatë, shembulli i keq i Bolgare-s u ndoq edhe nga komuna të tjera të drejtuara nga Lega në provincat e Bergamos dhe të Brescias, që me vendime komunale kanë ngritur në qiell çmimet e certifikatës. Shkohet nga 160 eurot e kërkuara në Albino në 425 euro të Pontoglio-s, nga 220 eurot e Seriate-s në 325 të Telgate-s.
Në prill, çështja mbërriti në Parlament. Deputetët e majtë SEL, Celeste Costantino dhe Franco Bordo kanë paraqitur kërkesë për seancë dëgjimore – akoma në pritje përgjigjeje – për t’i kërkuar qeverisë të ndërhyjë kundër ngritjes së tarifës dhe më 10 qershor është miratuar një rend dite që angazhon qeverinë të fiksojë tarifën tavan për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit.
Ndërkaq është vënë në lëvizje edhe Shoqata për Studimet Juridike mbi Imigracionin, ASGI, që kishte kërkuar e fituar zhdukjen e “mbitaksës” së Bolgare-s. ASGI u ka shkruar komunave legiste, duke u kërkuar të bëjnë një hap mbrapa ose të paktën të pezullojnë vendimet e tyre në pritje të vendimit të qeverisë. Por kërkesa e ASGI-t deri tani ka rënë në vesh të shurdhët, dhe në Albino, Seriate e Telgate kushton edhe më shtrenjtë se në anë të tjera të Italisë.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)