Komisioni i Ligjeve pritet të nisë sot procedurën për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, të kërkuar nga grupi parlamentar i PD-së
Tiranë, 18 janar 2012 – I paralajmëruar nga kryeministri Berisha, shkarkimi nga detyra e nënkryetarit të KLD-së është kërkuar zyrtarisht nga grupi parlamentar i PD-së dhe për shqyrtimin e procedurave të shkarkimit të tij mblidhet sot Komisioni i Ligjeve.
Sipas kërkesës së demokratëve, Kreshnik Spahiu “ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur”.
Nga anë e tij, Kreshnik Spahiu e ka denoncuar si antikushtetues veprimin e Berishës dhe kërkesën e tij për shkarkim dhe ka njoftuar se do të jetë i pranishëm në seancën dëgjimore në komisionin e ligjeve.
Edhe pse Partia Demokratike tashmë ka vendosur shkarkimin e numrit 2 te KLD, Kreshnik Spahiun, juristët deklarojnë se kjo është ligjërisht e pamundur pasi vendimi për mandatin e nënkryetarit i takon KLD-së dhe jo parlamentit. Sipas juristëve kjo lëvizje është politike për sa kohë që mungojnë arsyet ligjore.
Teorikisht, Komisioni i Ligjeve duhet pritet të shqyrtojë nismën e deputetëve të PD-së për ngritjen e komisionit hetimor. Komisioni hetimor do të ketë 3 javë kohë për të renditur shkeljet ligjore dhe kushtetuese për të cilat Kreshnik Spahiu duhet te shkarkohet. Dhe kjo nismë ndërmerret në një çast kur Spahiut i mungojnë vetëm 5 muaj nga mbarimi i mandatit si nënkryetar i KLD, dhe kur ai vetë ka lënë të kuptohet se do të lërë postin për t’u marrë me shndërrimin në parti të lëvizjes Aleanca KuqeZi.