in

Mblidhet Kuvendi i Shqipërisë, nis legjislatura e re

Namik Dokle: “Është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë, që nis pa bojkot dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen këtu, por para të gjithash e mbi të gjitha, falë popullit shqiptar”

Tiranë, 9 shtator 2013 – Pak minuta pas orës 18 hapi punimet Kuvendi i ri me deputetët që dolën nga vota e 23 qershorit. Namik Dokle, deputeti i dytë më i vjetër i Kuvendit (Berisha, më i vjetri, deklaroi dje se nuk donte të hapte punimet e kësaj legjislature) drejtoi seancën disaminutëshe duke e nisur me një fjalim të shkurtër përshëndetës. Pas mirëseardhjes kolegëve të vjetër dhe të rinj, Dokle uroi për të gjithë: “Të jemi në çdo moment në lartësinë e misionit dhe të përgjegjësisë që vota e popullit na ka ngarkuar të gjithëve. Të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të deputetit, duke mos harruar se ajo na kërkon përkushtim, pasion dhe ndershmëri. Kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë dhe opozitë sepse aty ku mungon mirëkuptimi edhe qëllimet e mira bëhen të padobishme”.

Ai vlerësoi që “kjo legjislaturë është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë, që nis pa bojkot dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen këtu, por para të gjithash e mbi të gjitha, falë popullit shqiptar që si një sfinsk i heshtur, i mënçur dhe i përmbajtur, larg zhurmave dhe tamtameve fushateske, vendosi me votën e tij, të ndryshojë mënyrën dhe ritmin e udhëtimit të Shqipërisë drejtë Europës së bashkuar, vendosi ta bëjë atë më të ndershme, më të mënçur, më të saktë dhe më të shpejtë”, tha Dokle.

Ai shtoi më tej se “Populli na dha të gjithëve një mesazh të qartë kundër politikave arrogante, prepotente dhe plaçkitëse, na bëri thirrjen e madhërishme që më të bukur se kushdo, e ka shprehur Nënë Tereza: Ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është dëshpërimi, të sjellë shpresë, ku është dyshimi të sjellë besim, ku është ndarja të sjellë bashkim”.

Deputeti Dokle uroi që “të gjithë të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të deputetit, duke mos harruar se ajo na kërkon përkushtim, pasion dhe ndershmëri. Kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë dhe opozitë sepse aty ku mungon mirëkuptimi edhe qëllimet e mira bëhen të padobishme”.

Në fund të fjalës hapëse të punimeve, Dokle ngriti komisionin e verifikimit të mandateve. Kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi propozoi emrat e 4 anëtarëve të këtij komisioni nga radhët e PS. Ata janë Armando Subashi, Ermonela Felaj, Besnik Bare, Vexhi Muçmata. Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili propozoi deputetin Vangjel Tavo si anëtarin e 5-të të këtij komisioni. Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka propozoi 4 emrat që do të përfaqësojnë opozitën në këtë komision. Ata janë Voltana Ademi, Oerd Bylykbashi, Arben Ristani dhe Gerti Bogdani.

Sali Berisha u ul në radhën e dytë në sallën e Kuvendit, mes Jozefina Topallit dhe Ridvan Bodes. Ra në sy që dy parlamentarët e thjeshtë të kësaj legjislature Topalli dhe Berisha, më shumë se fjalën e Dokles u përqendruan gjatë gjithë kohës tek iPad-et (as që u hodhën sytë kompjuterave të sapoinstaluar në sallën e Kuvendit, shumë të përfolur për koston e tyre të lartë por pjesë e projektit e-parlament që sipas ish kryetares Topallit “një ndër arritjet më të mëdha në fushën e dixhitalizimit të Kuvendit të Shqipërisë”).

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, emri i të cilit i është propozuar zyrtarisht presidentit Nishani nga deputetët e koalicionit të majtë, ka ndjekur seancën i ulur nga radhët e mesit, mes Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës. 

Seanca zgjati rreth një çerek ore, ndërsa e radhës do mbahet të martën në orën 11:00. Në këtë seancë do verifikohen mandatet dhe do bëhet betimi i deputetëve.

 

“Shumë bij të huajsh në klasë”. Prindërit italianë tërheqin fëmijët

Studentët e huaj. Leja e qëndrimit do të zgjasë sa kursi i studimeve