in

Mbrohu! Lexo gjithnjë atë që nënshkruan

Shumë nuk e mendojnë, por në jetën e përditshme pothuajse të gjitha aktivitetet, qeverisen nga kontrata. Marrëdhëniet e punës bazohen në një kontratë (kontrata e punës), kur kryhet një blerje lidhim një kontratë (kontrata e shitjes), furnizimi me energji elektrike, ujë, telefon dhe shërbime të përdorura nëpër shtëpitë apo dyqanet tona bazohen në kontrata (kontratat e furnizimit). Edhe kur shkohet me pushime, marrëdhëniet me operatorin turistik, me hotelin, dhe atë që na transporton në vendin e pushimit, janë të rregulluara nga kontrata (kontrata e turizmit, kontrata e hotelit dhe kontrata e transportit). E kështu me radhë.
Është e natyrshme që jo të gjithë njohin hollësisht llojet e ndryshme të kontratave dhe ligjet që i disiplinojnë ato (që ndonjëherë u shpëtojnë edhe vetë specialistëve), veçanërisht kur ata që nënshkruajnë janë shtetas të huaj që vijnë nga vende ku janë në fuqi rregulla të tjera.

Lexoni para se të nënshkruani

Këshilla e parë, thelbësore, është që të lexoni  dhe të informoheni mirë përpara nënshkrimit të çfarëdo dokumenti. Duket gjë e qartë dhe e natyrshme, por në realitet nuk është kështu. Leximi i kontratës ose i dokumentit që po bëheni gati të nënshkruani lejon para së gjithash të dini së pari, se cilat do të jenë të drejtat tuaja dhe detyrimet kur kontrata hyn në fuqi.

Kontratat e furnizimit

Shpesh, sidomos në ofrimin e shërbimeve (p.sh. telefoni, uji, energjia elektrike, gazi e kështu me radhë), përdoren të ashtuquajturat “module” ose “formularë”. Janë modularë ku ofruesi i shërbimit, përfshin të gjitha kushtet e kontratës dhe në të cilat klienti nuk mund të bëjë ndryshime. Meqenëse bëhet fjalë për modulare të gjysmë të gatshëm, pra standard, ligji parashikon që brenda tyre të parashikohen një sërë rregullash që ofruesi ka detyrimin t’i përfshijë në mënyrë që të mbrojë klientin.  Do t’i ketë ndodhur shumëkujt që pas nënshkrimit të një kontrate me një kompani telefonike ose me një tjetër furnizues të një shërbimi do t’i kenë mbërritur në shtëpi “kushtet e përgjithshme të kontratës”. Këto kushte janë rregullat që disiplinojnë marrëdhëniet kontraktuale.

Në shumë raste, të njëjtat kushte të kontratës janë të pranishme në faqet e internetit të kompanive që ofrojnë shërbime.
Përdoruesi ka të drejtë t’i shohë dhe t’i lexojë ato para nënshkrimit të kontratës (këshilla është që të lexohen ato me kujdes, një veprim që zakonisht ka nevojë vetëm për disa minuta, për të ditur se çfarë duhet pritur pas nënshkrimit të kontratës).

Kontratat në distancë

Me përhapjen e internetit, shumë kontrata mund të lidhen edhe në distancë. Një kontratë lidhet në distancë, kur shitësi i mallit ose ofruesi i shërbimit nuk është fizikisht i pranishëm në aktin e lidhjes së kontratës.

Bisedimi në distancë lidhur me kontratën, sot është sigurisht një nga mjetet më të përhapura për lidhjen e kontratave. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme që, para lidhjes së kontratës nëpërmjet internetit ose duke dërguar dokumentet tuaja me faks për ofruesin e shërbimit, ta keni të qartë se ka një sërë  informacionesh që i duhen dhënë konsumatorit përpara lidhjes së kontratës.

Informacionet thelbësore që duhet të jepen  janë: identiteti i furnizuesit (adresa e selisë ligjore ku mund të drejtohen ankesat e mundshme); karakteristikat thelbësore të mallit apo të shërbimit; çmimi (duke përfshirë treguesit e taksave dhe tatimeve); shpenzimet e transportit nëse ka; mënyra e pagesës dhe e  dorëzimit të mallit; ekzistenca apo mospranimi i motivuar i të drejtës së kthimit të mallit apo i heqjes dorë nga kontrata dhe mënyra se si ushtrohet (p.sh. duke i dërguar një letër të porositur me lajmërim marrjeje); mënyra e kthimit dhe e tërheqjes së mallit në rast mospranimi të tij; kostot e përdorimit të mjeteve të komunikimit; si dhe kohëzgjatja e vlefshmërisë së çmimit të ofruar; të kohëzgjatjes minimale të kontratës në rast ofrimi produktesh ose shërbimesh, të vazhdueshme ose periodike.

E drejta e kthimit

Mund të ndodhë ndonjëherë që të pendoheni për një blerje të bërë në distancë. Për shembull, keni lidhur një kontratë telefonike ose një abonim, e pastaj ndërroni mendje. Në këto raste ju mund të ushtroni pa asnjë kosto, të drejtën e tërheqjes, e parashikuar shprehimisht nga Kodi i konsumit.

Por ka kufizime. E drejta e kthimit mund të  ushtrohet vetëm për kontratat në distancë, pra jashtë mjediseve tregtare. Nuk është e mundur të ushtrohet e drejta e kthimit nëse keni blerë një veshje, e keni provuar dhe më pas keni ndërruar mendje. Në këto raste është shitësi ai që vendos sipas rastit nëse e bën apo jo ndërrimin.

Ka pastaj dhe një afat kohor. Në të vërtetë, e drejta e kthimit është e ushtrueshme brenda 10 ditësh pas lidhjes së kontratës (60 në qoftë se klienti nuk është informuar për mundësinë e tërheqjes), duke dërguar një letër të porositur me lajmërim marrjeje. Nëse malli është marrë e pranuar, ai i duhet kthyer i paprekur shitësit. Për disa lloje të mallrash dhe shërbimesh e drejta e kthimit nuk mund të ushtrohet. Ajo nuk mund të ushtrohet për shembull në shërbime të tilla si bastet, abonimet në revista dhe gazeta, nëse blini një software dhe e hapni (për shembull një CD muzike).

Pas skadimit të afatit për të ushtruar të drejtën e kthimit, në rast se ju nuk dëshironi që të keni më shërbimin, nëse e parashikon kontrata, duhet paguar një shumë si penale.

Garancitë për blerjet e bëra në dyqane

Për blerjet e drejtpërdrejta në dyqane nuk mund të ushtrohet e drejta e kthimit. Megjithatë blerësit përfitojnë nga format e mbrojtjes së të drejtave të tyre përmes instrumentit të “garancisë”. Garancia konsiston në faktin që shitësi ka detyrimin të shesë mallrat e konsumit, pikërisht siç është treguar në kontratën e shitjes (pra shitësi bëhet garant për autenticitetin e mallit), d.m.th. që përputhet me të gjitha tiparet e paraqitura nga ana e shitësit ose nga prodhuesi (duhet të jenë të përshtatshme për përdorim, që korrespondon me atë që është reklamuar nga shitësi). Mund t’i kundërshtohen shitësit ose prodhuesit qoftë defekte prodhimi, pra të gjitha defektet që e bëjnë mallin të padobishëm (prishje, mosfunksionim etj.) qoftë defektet e tjera të përgjithshme të mospërputhjes si për shembull kur një mall është ndryshe nga ai për të cilin kishit rënë dakord.

Garancia jep mundësinë e riparimit ose zëvendësimit të mallrave të blera. Klienti duhet të njoftojë shitësin për të metat e mallit brenda 2 muajve nga zbulimi i tyre. Garancia ka vlerë  minimumi dy vjet nga blerja ose dorëzimi i mallit. Për ushtrimin e garancisë është e rëndësishme të mbahet si provë kuponi i blerjes së mallit.

Paralajmërimi për mospërtëritje të kontratës

Shumë kontrata, sidomos për furnizimin e shërbimeve, mund të parashikojnë ripërtëritjen automatike. Në këto raste, për të ndërprerë kontratën duhet të dërgoni një letër të porositur me lajmërim marrjeje në të cilën shprehet dëshira për të mos  vazhduar kontratën. Është e këshillueshme që t’i kushtohet vëmendje afateve për dërgimin e letrës, të cilat zakonisht janë përmendur shprehimisht në kontratë dhe mund të  ndryshojnë në varësi të kontratës. Afati mund të jetë 30 ditë para skadimit në rastin e kontratave për shërbime telefonike apo abonimeve televizive, 30 ose 60 ditë në rastin e kontratave të sigurimeve, 6 muaj në rastin e paralajmërimit për mospërtëritjen e kontratës së qirasë nga ana e qiramarrësit. Në rast se letra për anulim dërgohet pas afatit të caktuar, kontrata do të rinovohet.

Pra kini kujdes, paralajmërimi për ndërprerjen e kontratës dhe mënyra se si duhet bërë ndryshon sipas llojit të kontratës.

Duhet përmendur se në Itali është në fuqi një parim sipas të cilit mosnjohja e ligjit dhe e rregullave nuk mund të përdoret si justifikim. Është pra mirë të njihni të drejtat tuaja, të paktën ato më themeloret, për të ditur për shembull që në kuadrin e marrëdhënies së punës, rregullat nuk janë vetëm ato që nënshkruhen me punëdhënësin, por se për çdo profil pune ka Kontrata kolektive kombëtare (si për shembull kontrata kolektive për punonjësit familjarë), që diktojnë të drejtat dhe detyrimet për punëdhënësin dhe për të punësuarin. Po në këtë kuadër ka rëndësi për shembull dallimi mes heqjes nga puna dhedhënies së dorëheqjes, gjëra që kanë rrjedhoja të ndryshme, sidomos për punonjësit.

Nëse po nënshkruani një kontratë qiramarrjeje, një kontratë kredie me bankën, një kontratë sigurimi ose çdo lloj tjetër kontrate, kushtojini vëmendje përmbajtjes, për të mos u gjendur më vonë, pas nënshkrimit të një dokumenti, në  pamundësi për t’u kthyer prapa.

Këshilla e fundit atëherë, para nënshkrimit të një kontrate ose dokumenti është: lexoni me kujdes dhe nëse është e nevojshme, në qoftë se ndiheni të pasigurt, drejtohuni për këshillë një avokati, një sindikate apo shoqate e konsumatorësh.

Avokat Andrea De Rossi
 

Nove corti kosovari al Genova Film Festival

Katër i Radës: Gjykata e apelit dënon dy komandantët