in

Mbyllet në Zagreb aventura e Skënderbeut në Ligën e Kampionëve

Fundoset me 4 gola ëndrra e korçarëve për të luajtur në turneun më prestigjioz të Evropës

Tiranë, 26 gusht 2015 – Skënderbeu mbylli me një humbje aventurën e vet në Ligën e Kampionëve. Kampionët korçarë u mundën në stadiumin Maksimir të Zagrebit  përballë Dinamos me rezultatin 4-1 (6-2, po të mbahet parasysh edhe humbja në Elbasan me rezultatin 1-2), në kuadër të ndeshjes së kthimit të play off-ve të Ligës së Kampionëve.

Skënderbeu vinte në këtë takim pas humbjes në shtëpi me shpresën e një mrekullie, por kroatët i shuajtën menjëherë ëndrrat e skuadrës së Mirel Josës. Ndryshe nga shtatë ditë më parë, skuadra e Skënderbeut pësoi golin e para dhe më tej arriti të rifutej në lojë, por shumë shpejt kroatët gjetën sërish golin e avantazhit.

Korçarët e nisin mirë dhe mundohen të tregohen agresivë që në fillim. Por, Dinamo hidhet në sulm duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 8-të. Soudani i harruar në zonë nga mbrojtësit tanë, godet me kokë duke kaluar të tijët në avantazh. Skënderbeu përgjigjet menjëherë dhe gjen golin me Eskardinjën vetëm 2 minuta më vonë. Arapi kroson për Latifin nga mesfusha, ky i fundit merr topin në të djathtë të zonës, nga ku dhe godet, por topin e devijon portieri, topi shkon tek Eskardinja, i cili shënon me portën bosh.

Kroatët rrisin presionin dhe në minutën e 15-të  vendasit rikthejnë avantazhin me Hodziç. Fraksioni i dytë i lojës nis shpejtë, por janë sërish vendasit që gjejnë golin. Në minutën e 56-të një goditje këndi për kroatët kthehet në gol nga Taravel, i cili përfiton nga rrëmuja në zonën e korçarëve. Pas këtij goli loja zbehet, por vendasit nuk ndalen dhe në të 80-tën shënojnë edhe golin e katërt.

Pavarësisht këtij rezultati, Skënderbeu meriton përgëzimet për rezultatin e deritanishëm, vetëm një hap larg fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.  Gjithsesi ai ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, duke hyrë në histori si skuadra e parë shqiptare që ka arritur në fazën e grupeve në kompeticionet evropiane, sipas këtij formati të Ligës së Kampionëve.

(Sipas ATSh-së)

Jam bërë me fëmijë, është italian. Po unë mund të marr shtetësinë italiane?

Arsyet e largimit të shqiptarëve që kryeministri e qeveria nuk shohin