Pas mbylljes graduale të kufijve në Ballkan, kontrabandistët po gjejnë mënyra të reja që t’i fusin refugjatët në Serbi dhe të kalojnë pastaj në Hungari.
Reportazh nga Milivoje Pantovic, BIRN Beograd
“U largova nga Pakistani për arsye të sigurisë personale dhe shkova në Serbi duke përdorur shërbimet e kontrabandistëve,” tha për BIRN i riu me origjinë nga Afganistani.
Ai po e tregonte historinë e tij në afërsi të stacionit kryesor hekurudhor në Beograd.
Ky është një vend i preferuar për emigrantët e sapoardhur për t’u takuar dhe për të shkëmbyer këshilla se si mund të arrihet në Hungari – hapi tjetër i udhëtimit të tyre të gjatë në Europën Perëndimore.
I njëjti person thotë se, me të arritur në Turqi i ka paguar kontrabandistëve 800 euro që ta çojnë atë me motoskaf në Greqi.
Ai pastaj i pagoi kontrabandistëve edhe 300 euro që ta kalonin nga Maqedonia në Serbi.
Ai gjithashtu tha se emigrantët si ai, janë kontrabanduar në të gjithë Ballkanin në mënyra të ndryshme.
Mundësia më e lirë, por më pak e sigurt përfshin angazhimin e banorëve apo kriminelëve lokalë, të cilët ofrojnë t’i çojnë emigrantët në kufirin me Hungarinë dhe t’i ndihmojnë të kalojnë gardhin me tela me gjemba të Hungarisë.
“Rruga më e shtrenjtë është e ashtuquajtura “mundësia e sigurt”, që të çon nga Beogradi drejt e për në Austri për 2,000 euro,” tha ai.
Çmimi i lartë përfshin ryshfet për oficerët e policisë dhe rojet kufitare, të cilët më pas i lejojonë emigrantë e paligjshëm të kalojnë kufirin në një vend dhe kohë të saktë.
Pasi vendet përgjatë të ashtuquajturës rrugë e Ballkanit, mbyllën kufijtë e tyre dhe pasi BE përfundoi një marrëveshje me Turqinë për ripranimin e refugjatëve, numri i emigrantëve që kalojnë Serbinë përgjatë rrugës së tyre për në vendet e BE-së ka rënë ndjeshëm.
Megjithatë, vetëm përkohësisht.
Kohët e fundit, azilkërkues të rinj kanë filluar të vijnë në Beograd në baza ditore.
Si burri nga Pakistani, ata vijnë kryesisht me “ndihmën” e kontrabandistëve të cilët vazhdojnë të gjejnë vendkalime të reja e të paligjshme kufitare dhe marrin një çmim të lartë për shërbimet e tyre.
Vetëm në muajin e fundit, Serbia ka regjistruar 1.512 refugjatë të rinj që kur kufijtë e rrugës së Ballkanit janë mbyllur.
Zyrtarët dhe ekspertët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Shumë të tjerë besohet të jenë duke kaluar nëpër Serbi në rrugën e tyre drejt BE-së, pa u vënë re apo pa regjistrim.
Punonjësja humanitare Tijana Sijariç, e cila ka punuar me refugjatët në Parkun Info të Beogradit për shtatë muaj, thotë se fluksi është rritur në javët e fundit dhe se shumë emigrantë po drejtohen përsëri drejt kufirit hungarez.
“Ne kemi marrë informacion nga refugjatët për njerëzit që i kanë kontrabanduar përtej kufirit hungarez,” tha ajo për BIRN.
“Edhe vendasit po i ndihmojnë ata të kalojnë në Hungari. Refugjatët na thonë se ata i paguajnë vendasit nga 150 deri në 200 euro për të prerë gardhin. Refugjatët vetë nuk mund ta bëjnë, sepse në qoftë se kapen burgosen”, shtoi Sijariç.
Ajo shpjegoi se refugjatët dhe kontrabandistët vendas janë duke zhvilluar forma të reja bashkëpunimi.
“Disa refugjatë shkojnë në Suboticë me grupe njerëzish dhe kthehen vetëm. Ne kemi zbuluar më vonë se ata po bashkëpunojnë me kontrabandistët,” tha Sijariç, duke shtuar se shumica e refugjatëve që tashmë hyjnë në Serbi janë futur me kontrabandë.
Refugjatët e rinj vazhdojnë të hyjnë në Serbi, pavarësisht nga fakti se që nga mbyllja e “itinerarit ballkanik” policia dhe ushtria serbe kanë “përforcuar sigurinë e kufirit shtetëror”, siç tha për BIRN Ministria e Brendshme serbe në një deklaratë me shkrim.
Sipas kësaj deklarate, vetëm në prill, policia serbe ka ngritur 17 padi penale kundër 31 personave – përfshirë 30 qytetarë serbë dhe një person i kombësisë së panjohur – për kontrabandimin e 214 emigrantëve nga Afganistani, Pakistani, Siria, Iraku dhe vende të tjera.
Rreth 70% e të gjithë emigrantëve që arrijnë Serbinë nga Turqia dhe Greqia vijnë nga Bullgaria, ndërsa shumica e pjesës tjetër vijnë nga ana e Maqedonisë. Disa refugjatë arrijnë në Beograd përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi, siç i thanë BIRN punonjësit socialë dhe refugjatët.
Ata gjithashtu thanë për BIRN se disa prej emigrantëve i ndihmojnë trafikantët për të fituar para ose të transportuar falas në BE.
Në këmbim të ndihmës, ata përkthejnë për kontrabandistët dhe krijojnë besim te emigrantët, shumë prej të cilëve janë mashtruar nga kontrabandistë të tjerë përgjatë rrugës së Ballkanit.
Në këtë situatë, negocimi i transportit me “një prej tyre” mund të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm në finalizimin e një marrëveshjeje.
Përveç kësaj, disa prej emigrantëve të cilët kanë qenë të bllokuar pas kufijve të mbyllur për një kohë të gjatë kanë pasur mundësinë të njohin kontrabandistët, të cilët shpesh vijnë nga grupet kriminale vendase.
Samar A, një migrant nga Irani, thotë se atij i kishin ofruar transport në Serbi, ndërsa ishte në kampin Idomeni në Greqinë e veriut.
“Në kamp, një burrë nga Afganistani u ofrua të më çojë në Serbi për 800 euro. Por unë nuk pranova dhe ai shkoi i vetëm,” tha ai për BIRN.
“Megjithatë, të tjerët kaluan kufirin në atë mënyrë. Një përqindje e vogël e njerëzve kanë sukses në kalimin [nga Greqia] në Maqedoni apo edhe më tej,” shtoi ai.
Ai tha se ishte e paqartë nëse refugjatë i drejtojnë ose vetëm marrin pjesë në këto operacione kontrabande. Shumica e refugjatëve të cilët angazhohen në kontrabandë e bëjnë këtë për shkak se nuk kanë më të holla dhe duhet të financojnë transportin e tyre në BE, tha ai.
“Jo të gjithë kanë të holla për udhëtim. Paratë i kanë shpenzuar ose ua kanë grabitur – gjëra që ndodhin,” tha ai.
“Diçka duhet të bëhet për të fituar [para],” shtoi Samar, duke vënë në dukje se ai nuk ka dashur të aplikojnë për azil në Serbi dhe se kishte për qëllim të vazhdonte udhëtimin e tij drejt BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur.
Emigrantët dhe punonjësit e ndihmave thonë se biznesi i kontrabandës është zhvilluar veçanërisht në Greqi, ku mafia lokale ka ngarkuar çmime të larta për transportin: 600 deri 800 euro për të kaluar kufirin në Maqedoni dhe 2.400 në 2.800 euro për të shkuar në Itali. Për të shkuar në Austri nëpërmjet Hungarisë, ata marrin nga 2.600 deri në 3.500 euro.
Radosh Gjuroviç, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e Azilkërkuesve, tha për BIRN se mbyllja e kufijve në Ballkan ka nxitur një shtim në kontrabandimin e njerëzve.
“Ngritja e gardheve nuk e zgjidh problemin e refugjatëve. Ajo vetëm sa përshkallëzon kontrabandën e njerëzve,” tha ai.
“Kontrabandistët kanë rekrutuar refugjatët të cilët flasin gjuhën e klientëve të mundshëm dhe e kanë më të thjeshtë të krijojnë besim”, shtoi ai.
Edhe banorët që jetojnë pranë kufirit me ose pa kaluar kriminale janë duke u përfshirë në biznesin e kontrabandës, tha ai.
“Për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, kërkesës së lartë dhe shumave relativisht të madhe të parave, njerëzit që nuk janë angazhuar më parë në krim kanë filluar të merren në kontrabandimin e njerëzve,” tha ai.
“Kjo krijon probleme shtesë për policinë për shkak se këta njerëz nuk kanë qenë më parë kriminelë dhe për këtë arsye janë të vështirë të identifikohen,” shpjegoi Gjuroviç.
Megjithatë, vendasit dhe refugjatët e rekrutuar nuk janë aq të mirë në kontrabandë, si bandat kriminale dhe shkalla e “suksesit” të tyre është e ulët deri në 20 për qind, tha Gjuroviç. Shumë emigrantë përfundojnë duke humbur paratë dhe shpresën.
Gjuroviç tha se shkeljet e të drejtave të njeriut janë një tjetër problem në itinerarin e Ballkanit.
“Bullgaria është njollë e zezë në rrugën tranzite të refugjatëve,” tha Gjuroviç, duke shtuar se duket si një strategji e qëllimshme nga ana e autoriteteve bullgare “që refugjatët të mos qëndrojnë atje”.
“Sjellja mizore sistematike ndaj refugjatëve dërgon mesazhin se ata nuk janë të mirëpritur dhe duhet të qëndrojnë larg”, përfundoi ai.
Mohammad Zubair, nga Afganistani, i cili mbërriti në Serbi nga Bullgaria, bie dakord se situata në Bullgari për refugjatët është e zymtë.
“Kam kaluar më shumë se 40 ditë në burg aty kur ata më kapën duke kaluar kufirin. Mua dhe refugjatët e tjerë të burgosur na rrahën”, tha ai.
“Pasi më liruan dhe më dëbuan në Turqi, pagova kontrabandistët që të më transportonin në një përpjekje të dytë kalimi të kufirit”, tha Zubair.
“Kur kalova në Bullgari për herë të dytë, pagova 200 euro një njeri që të më tregonte rrugën mbi malet në Serbi. Ia dola”, përfundoi ai.
Tani në Serbi, ai nuk ishte në dijeni se kishte të drejtë të aplikonte për azil atje, dhe kur e mori vesh tha se do të përpiqet.
“Edhe ky park [afër stacionit të autobusëve të Beogradit] është më mirë se Bullgaria. Askush nuk më bezdis mua këtu,” tha ai.
Ai është një nga shumë pak personat që synojnë të aplikojnë për azil në Serbi.
Shumica vazhdojnë në drejtim të kufirit me Hungarinë dhe e kalojnë atë në mënyra të ndryshme.
Para se të vazhdojnë udhëtimin e tyre në BE, refugjatët shpesh flenë në një ndërtesë të braktisur në rrugë Brace Krsmanoviç në Beograd.
Adel K, 17 vjeç, nga Libia, ishte një prej emigrantëve që e përdorin këtë ndërtesë të braktisur si një strehë gjatë natës.
Pasi qëndroi atje për një ditë me një grup shokësh, ai e pastroi atë për vizitorët e ardhshëm, ndërsa shokët e tij u larguan për të rregulluar hapin tjetër të udhëtimit të tyre në Hungari.
Ai i tha BIRN se do të largoheshin gjatë natës dhe se nuk duan të lënë një rrëmujë pas për ata që vijnë më vonë.
Ai tha se refugjatët shkëmbejnë informacion nëpërmjet internetit për vendet ku mund të flesh, të kalosh kufirin, kë të paguash për të kaluar, ku dhe kështu me radhë.
Adel nuk deshi t’i zbulojë mundësitë që ka për të kaluar në Hungari. Megjithatë, ai ishte i sigurt se ata do ta kalojnë kufirin në fund dhe do të vazhdojnë rrugën e tyre drejt perëndimit.