in

Më 1 tetor, regjistrimi i popullsisë

Për tri javë, rreth 12 mijë anketues do të shkojnë derë më derë të çdo familjeje të numërojnë shqiptarët dhe të huajt të cilët janë rezidentë të zakonshëm në Shqipëri në momentin e Censusit; njësitë ekonomike familjare; banesat (të banuara ose jo); banesat kolektive. INSTAT ka nisur rekrutimin e anketuesve. Kërkesa mund të paraqitet deri më 31 gusht

Tiranë, 28 gusht 2011 – Në Shqipëri, Instituti statistikor (INSTAT) ka nisur tashmë rekrutimin e  11.712 anketuesve që në periudhën 1- 21 tetor 2011 do të realizojnë regjistrimin e popullsisë, të quajtur ndryshe Census. Kërkesat për t’u punësuar si anketues i nisen INSTAT-it brenda datës 31 gusht, pas së cilës instituti do të bëjë përzgjedhjen e 11.712 personave që do të vihen në dispozicion nga 22 shtatori deri më 27 tetor për një kompenso prej 42.000 lekë, rreth 300 euro. Këta do të kontrollohen nga rreth 2.400 kontrollorë dhe nga disa qindra mbikëqyrës.

Censusi do të mbledhë informacione për individët, banesat dhe njësitë ekonomike familjare duke iu referuar “çastit të Censusit”, që do të merret mesnata e 30 shtatorit – 1 tetorit 2011. Në këtë Census do të përdoret metodologjia tradicionale për mbledhjen e të dhënave, ajo derë më derë. Duke filluar nga 1 tetori, 11.712 anketuesit (1.420 në Tiranë, 494 në Durrës, 326 në Vlorë, 255 në Elbasan, e kështu me radhë) do të shkojnë derë më derë të çdo familje për mbledhjen e informacioneve.

Tashmë është gati edhe pyetësori. Pjesa mbi të dhënat individuale përmban 40 pyetje, mes të cilave u duhet dhënë përgjigje e saktë, me përjashtim të dy pyetjeve të fundit mbi fenë dhe kombësinë, të cilave mund të zgjidhet të mos i jepet përgjigje. Për herë të parë pas regjistrimit të vitit 1989, do të mblidhen statistika mbi përkatësinë etnike dhe fetare. Megjithatë, pas ligjit të miratuar në Kuvend dhe amendamenteve të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të dhënat që do të merren nga pyetësorët nuk do të jenë përfundimtare. INSTAT jo vetëm detyrohet të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe t’i ballafaqojë ato me regjistrin për gjendjen civile dhe të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile.

Sipas ligjit, “të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar në pyetësorët e censusit të popullsisë dhe të banesave, në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme”. Përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet “me gjobë prej 100 000 (njëqind mijë) lekësh, refuzimi për të bërë deklarim ose deklarimi i rremë dënohet me gjobë”.

Ndërkaq nuk shuhen polemikat për deklarimin e përkatësisë fetare dhe etnike. Për Kreshnik Spahiun, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ligji mbi censusin, jo vetëm që “shkel parimet kushtetuese dhe standardet e BE-së”, por edhe miratimi i tij në parlament është bërë në shkelje të pastër të procedurës: kaloi me minimumin e mundshëm të votave (71  pro) falë dy prej deputetëve të mazhorancës që votuan edhe për dy kolegë të tyre që mungonin në sallë.

Ja pyetësori i botuar nga INSTAT

 

Nis sot Festivali ndërkombëtar i filmit në Durrës

Kur do të reshtin aktet raciste ndaj çamëve që duan të udhëtojnë në Greqi?