Jam i huaj me lejeqëndrim Ce për qëndrues afatgjatë. Desha të dij nësë me këtë dokument mund të punoj dhe në Austri.
Direktiva 2003/109/CE , lidhur me shtetasit e vendeve të treta që janë banorë afatgjatë, ka uniformuar lejeqëndrimin CE për banorët afatgjatë (atë që në Itali njihet si karta e qëndrimit), brenda të gjitha vendeve të Bashkimit Europian që e kanë pranuar këtë direktivë. Austria është një ndër këto vende.
Synimi është favorizimi dhe lehtësimi i qarkullimit të lirë dhe thjeshtësimi i lëvizjes në tregun e punës në nivel komunitar. I huaji që ka të vlefshëm një lejeqëndrim afatgjatë CE, të lëshuar nga Shteti italian, mund të banojë në një tjetër Shtet Anëtar.
Brenda tre muajsh nga hyrja në shtetin tjetër anëtar, banori afatgjatë duhet të paraqesë kërkesë pranë autoriteteve kompetente të atij shteti për lëshimin e një lejeqëndrimi. Pra mund të ushtrojë aktivitet pune të pavarur apo të varur, mund të frekuentojë kurse studimi dhe trajnimi profesional, por mund të banojë edhe pa arsye të veçanta, me kusht që të jenë qëllime të ligjshme. Kur shtetasi i pajisur me lejeqëndrim afatgjatë vendoset në shtetin tjetër anëtar pajiset me lejeqëndrim të përkohshëm sipas aktivitetit që zhvillon.
Natyrisht që mund t’i kërkohen të përmbushë disa kritere si për shembull në rast pune të varur, të tregojë propozimin e kontratës ose, në rast të ndjekjes së një shkolle, regjistrimin për ndjekjen e kurseve.
Në rast transferimi ia vlen gjithnjë marrja e informacioneve pranë ambasadës së vendit ku dëshirohet të shkohet, për të ditur se çfarë dokumentesh mund të të kërkohen.
Avv. Mariangela Lioy