in

Më mbaron kontrata, mund të vazhdoj punën?

Jam një punonjës i huaj i marrë në punë nga një firmë me kontratë pune që skadon nesër. Punëdhënësi më ka kërkuar që të punoj edhe një javë, por nuk kemi nënshkruar akoma kontratën e re. Është e ligjshme?

Kontrata e punës me afat mund të nënshkruhet vetëm në raste të veçanta të parashikuara nga ligji. Në fakt punëdhënësi mund të përdorë këtë lloj kontrate kur ekzistojnë arsye objektive për prodhimin ose organizative ose edhe për të zëvendësuar punonjës që mund të jenë me leje lindjeje apo me raport.

Natyrisht duhet që kontrata të jetë me shkrim dhe ka rëndësi që në të të specifikohen arsyet e marrjes në punë me afat kohor dhe duhet të përcaktohet data e fillimit dhe e përfundimit të kontratës. Gjithsesi një kontratë e tillë nuk mund të jetë mbi 36 muaj.

Në rastin tënd, punëdhënësi yt do që të zgjasë afatin e punësimit, kjo mund të lejohet vetëm kur ekzistojnë arsye objektive që lidhen me aktivitetin e punës për të cilin ke nënshkruar kontratën e mëparshme.

Është i nevojshëm pranimi yt, që mund të bëhet përpara ose gjatë zgjatjes së periudhës së punës, dhe është mirë që ti ta kërkosh që të vihet me shkrim që marrëdhënia e punës zgjatet, duke përcaktuar datën e fillimit dhe të përfundimit të kësaj zgjatjeje.

Mund të bëhet një zgjatje vetëm për një herë, kur kontrata fillestare ka një afat më të shkurtër se tre vjet dhe me pëlqimin e punonjësit. Në këtë rast kohëzgjatja e përgjithshme e marrëdhënies së punës, bashkë më kohën shtesë, nuk mund t’i kapërcejë 3 vjetët.

Në rast zgjatjeje të marrëdhënies së punës, ligji parashikon një afat maksimal përtej kontratës : 20 ditë për marrëdhëniet e punës nëse kontrata është më e shkurtër se 6 muaj, 30 ditë në të gjitha rastet e tjera.

Nëse punëdhënësi ka nevojë për ty për një periudhë më të gjatë kohore, duhet të rinovojë (jo të zgjasë) kontratën tënde me afat. Nëse nuk e bën këtë dhe të vë të punosh për më shumë se 20 ose 30 ditë pas skadimit të kontratës, ajo konsiderohet e transformuar automatikisht në kontratë pa afat, duke filluar nga data e skadencës.

Avv. Mariangela Lioy

Farnesina: “Kënaqësi për heqjen e vizave Shqipërisë dhe Bosnjës”

Shqipëria e Minarollit në Viareggio