in

Gjysmë milioni shqiptarë jetojnë në Itali

Edhe pse gjatë vitit 2012 komuniteti shqiptar është rritur më pak se një vit më parë, mbetet i dyti i jokomunitarëve me qëndrim të rregullt në Itali. Shqiptarët e Italisë janë sot gjysmë milioni, nga të cilët 27,5% të mitur, 66% me leje qëndrimi të përhershëm

Më 1 janar 2013 Italia numëron 3.764.236 të huaj me qëndrim të rregullt. E thotë në një raport të nxjerrë më 30 korrik ISTAT në bazë të të dhënave të ministrisë së Brendshme italiane. Komunitetet më të mëdha të jokomunitarëve janë marokenët (513.374), shqiptarët (497.761 persona), kinezët (304.768), ukrainasit (224.588) dhe filipinët (158.308).Krahasuar me një vit më parë numri i të huajve është rritur me rreth 127 mijë. Për shqiptarët rritja vjetore është më e ulëta e vërejtur nga viti 2001, vetëm 6.266 persona.

Imigracioni në Itali është gjithnjë e më i qëndrueshëm, gjë që vërehet nga rritja e vazhdueshme e numrit të personave me lejeqëndrim CE për qëndruesit afatgjatë, e ashtuquajtur kartë qëndrimi, e rritja e vazhdueshme e përqindjes së të miturve. Këta të fundit shkojnë nga 23,9% (të 1 janarit 2012) në 24,1% të të gjithë të pranishmëve më 1 janar 2013; përqindje që për komunitetin shqiptar është edhe më e lartë: janë të mitur 27,5% e shqiptarëve në Itali.

Përsa u përket të huajve me kartën e qëndrimit janë 2.045.662 (dhe përbëjnë 54,3% të të gjithë të huajve me qëndrim të rregullt në Itali) kundrejt 1.896.223 që ishin në vitin 2012. Edhe në këtë rast, për komunitetin shqiptar kjo përqindje është më e lartë, plot 66%, e thënë ndryshe, 328.502 kanë kartën e qëndrimit.
Një e dhënë tjetër që dëshmon për ngulitjen e të huajve në Itali është numri i atyre që përtërijnë lejet e qëndrimit pas një periudhe relativisht të gjatë kohe: kështu 68,2% e jokomunitarëve të ardhur në Itali në vitin 2007 ka ruajtur edhe në 2013-tën lejen e qëndrimit. Madje 22,4% e të ardhurve të atij viti sot kanë kartën e qëndrimit. Shifrat janë mbi mesataren për komunitetin shqiptar: sot kanë dokument qëndrimi 74,6% e të ardhurve në vitin 2007 madje 29,7% kanë kartën e qëndrimit.

Dhjetë komunitetet më të mëdha të të huajve në Itali në vitet 2012, 2013 (shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar):

Reduktohen ardhjet e reja

Gjata vitit 2012 ardhjet e reja janë reduktuar ndjeshëm. Janë lëshuar vetëm 263.968 leje të reja qëndrimi ose 27% më pak se gjatë vitit 2011 (kur ishin 361.690). Rënia ka prekur më shumë meshkujt (-33% kundrejt -19,5% të grave) dhe lejet e qëndrimit për punë (-43,1% kundrejt -17% të lejeqëndrimve për bashkim familjar).  Për numrin më të lartë të ardhjeve të reja gjatë vitit 2012 shquhen kinezët (25.211), marokenët (21.585) dhe të tretët shqiptarët me 18.889 ardhje të reja kundrejt 25.006 të vitit 2011 apo 48.330 të vitit 2010.

Ndër 264 mijë lejet e reja të lëshuara gjatë vitit 2012, 44,3% kanë pasur për motive qëndrimi familjen, 26,9% punën,  11,7% studimet, 8,7% strehimin politik e mbrojtjen humanitare dhe 8,4% motive të tjera.Për komunitetin shqiptar, lejeqëndrimet e reja janë lëshuar kryesisht për motive familjare (60,4%), vetëm 18,6% për punë, 3% për studime dhe 0,7% për strehim politik e mbrojtje humanitare. Plot 17,2% e lejeve të reja të vitit 2012 janë lëshuar për motive të ndryshme nga të sipërpërmendurat.

Ardhjet e reja të të huajve në Itali në vitet 2011, 2012 (shtyp mbi tabelë për ta zmadhuar):

Italianët e rinj

Gjatë vitit 2011 janë regjistruar 56.148 marrje të shtetësisë italine; 49.836 nga këto ishin për shtetas jokomunitarë. Të parët për marrje shtetësie komunitetet më të vjetëra e me më shumë prani në Itali: marokentë (10.732) dhe shqiptarët me 8.101, kundrejt 5.628 shtetësive të marra gjatë vitit 2010.

Ashtu si në vendet e tjera europiane, edhe në Itali prej disa vjetëve, numri i shtetësive të marra për rezidencë në Itali (25.079 për vitin 2011) kapërcen numrin e shtetësive të marra për martesë me shtetas italian (14.744).

Keti Biçoku

Lexo edhe: Thuajse gjysmë milioni shqiptarët me qëndrim të rregullt në Itali më 1 janar 2012

 

 

 

Foggia. Shtyp 26-vjeçarin e nuk ndalet. Arrestohet pirati i rrugës

Fondo Integrazione. 17 milioni di euro per i progetti territoriali